Qendra për Ndërtimin e Kapaciteteve në Pylltari Inaugurohet me Mbështetjen e BE-së dhe Suedisë
19 nëntor 2025
Blinajë, 19 nëntor 2025 – Qendra për Ndërtimin e Kapaciteteve në Pylltari në Blinajë u inaugurua zyrtarisht sot, duke shënuar një hap të rëndësishëm në forcimin e sektorit të pylltarisë në Kosovë.
Qendra do të shërbejë si një hapësirë për ndërtimin e kapaciteteve dhe forcimin e njohurive, duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive teknike në planifikimin dhe monitorimin pyjor, menaxhimin e integruar të zjarreve pyjore, digjitalizimin e informacionit dhe të dhënave pyjore, si dhe në fusha të tjera të rëndësishme për menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore. Qendra u rinovua në kuadër të Programit “Mbështetje për forcimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumëqëllimësh të pyjeve për përmirësimin e jetesës rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë”, financuar nga Bashkimi Evropian dhe Ambasada e Suedisë në Kosovë dhe zbatuar nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO). Programi synon të rrisë kontributin e sektorit të pylltarisë në zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës përmes qeverisjes së përmirësuar, menaxhimit pjesëmarrës dhe zhvillimit të zinxhirit të vlerës që sjell përfitime për komunitetet rurale.
Gjatë ceremonisë, tetë automjete terreni dhe një kontingjent i dytë i pajisjeve dorëmbajtëse – përfshirë Geo Vertex, mjete për matjen e diametrit, busulla dhe pajisje për menaxhimin e zjarreve pyjore – iu dorëzuan Agjencisë Pyjore të Kosovës (APK). Këto mjete, të financuara nga BE-ja dhe Ambasada e Suedisë, do të forcojnë kapacitetet operative dhe teknike të APK-së për menaxhim më efektiv dhe më të qëndrueshëm të pyjeve.
Ngjarja mblodhi përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasadës së Suedisë, Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR), Agjencisë Pyjore të Kosovës, FAO-s, mediave dhe mysafirëve të ftuar.
Hubert Perr, Shef i Bashkëpunimit në Bashkimin Evropian në Kosovë, deklaroi: “Pyjet janë një burim i rëndësishëm natyror në Kosovë. Me këtë Qendër të re dhe pajisjet që po dorëzojmë sot, ne po investojmë në njerëzit që mbrojnë këto peizazhe për brezat që vijnë.”
Henrik Riby, Zëvendësshef i Misionit/Shef i Bashkëpunimit për Zhvillim në Ambasadën e Suedisë në Prishtinë, shtoi: “Së bashku me BE-në, kemi investuar 2.5 milionë euro përmes FAO-s për të mbështetur reformat, trajnimin, inventarizimin pyjor dhe pajisjet. Këto mjete krijojnë një bazë të fortë për pyjet e Kosovës, ndonëse përkushtimi i vazhdueshëm politik dhe angazhimi aktiv i shoqërisë civile mbeten thelbësore.”
Naser Krasniqi, Udhëheqës i Ekipit Lokal në FAO, theksoi se kontingjenti i pajisjeve ka një vlerë totale rreth 300 mijë euro, kryesisht i financuar nga BE-ja. “FAO ka organizuar trajnim për njësitë e APK-së, duke certifikuar trajnerët që të vazhdojnë sesionet e ngritjes së kapaciteteve në menaxhimin e integruar të zjarreve pyjore dhe duke mbështetur vullnetarët në aktivitetet parandaluese dhe të shuarjes së zjarreve,” tha Krasniqi.
Lazar Radulović, Zëvendësministër në MBPZhR, shprehu mirënjohje për donatorët dhe FAO-n: “MBPZhR mbetet e përkushtuar në zhvillimin e sektorit të pylltarisë. Qendrat e reja, automjetet dhe pajisjet do të mbështesin detyrat profesionale dhe menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në mbarë Kosovën.”
Qendra për Ndërtimin e Kapaciteteve në Blinajë do të vazhdojë të shërbejë si platformë për trajnim, bashkëpunim dhe inovacion, duke mbështetur profesionistët e pylltarisë dhe komunitetet lokale në mbrojtjen e pyjeve të Kosovës dhe përparimin e zhvillimit rural të qëndrueshëm.