Taste the Future: HoReCa & Slow Food Connections – Promovimi i Aftësive, Qëndrueshmërisë dhe Inovacionit në Sektorin e Mikpritjes në Kosovë
26 nëntor 2025
Prishtinë, 27 nëntor 2025 – Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), përmes projektit HoReCa – Hospitable, Resilient, Capable, të financuar nga Qeveria e Italisë përmes Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim (AICS), do të organizojë aktivitetin “Taste the Future: HoReCa & Slow Food Connections” në Tech Park, Prishtinë. Ngjarja njëditore do të mbledhë mbi 100 pjesëmarrës, përfshirë përfaqësues të institucioneve publike, sektorit privat, mësimdhënës, trajnerë, këshilltarë të karrierës, të rinj dhe partnerë ndërkombëtarë, me qëllim të eksplorimit të së ardhmes së gastronomisë dhe mikpritjes së qëndrueshme në Kosovë.
Aktiviteti bazohet në potencialin në rritje të Kosovës në turizmin aventurier, rural dhe gastronomik, dhe prezanton konceptin Slow Food si një model për inovacion, qëndrueshmëri dhe zhvillim ekonomik lokal. Iniciativa synon të motivojë të rinjtë, të forcojë ofruesit e arsimit dhe aftësimit profesional dhe të inspirojë ndërmarrjet e vogla për të ngritur ofertën e tyre në sektorin e turizmit dhe mikpritjes përmes kreativitetit, autenticitetit dhe cilësisë.
Një ditë diskutimi, demonstrimesh dhe bashkëpunimi
Programi fillon në orën 10:00 me fjalë përshëndetëse nga Ambasadori i Italisë, Koordinatori për Zhvillim i OKB-së, përfaqësues të AICS-it, Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Agjencisë së Punësimit të Republikës së Kosovës (APRK).
Më pas vijon një panel i nivelit të lartë, i fokusuar në traditën, qëndrueshmërinë dhe inovacionin në HoReCa. Panelistët do të diskutojnë rolin e konceptit Slow Food në zhvillimin e një sektori më konkurrues dhe të qëndrueshëm të mikpritjes në Kosovë.
Gjatë ditës, pjesëmarrësit do të shijojnë demonstrime të drejtpërdrejta kulinarie, të realizuara nga nxënës të shkollave profesionale, qendrave të aftësimit profesional dhe anëtarë të Sloë Food Dukagjini. Dy sesione prezantimi do të ofrojnë larmi pjatash, ëmbëlsirash dhe pije të përgatitura në vend, duke shpalosur kreativitetin dhe talentin e gjeneratës së re të sektorit HoReCa.
Në vijim, sesioni i dedikuar për për Mundësitë e Karrierës do të lidhë bizneset lokale me Qendrat e Karrierës në shkollat profesionale dhe zyrat e punësimit, duke ndihmuar në afrimin e arsimit me mundësitë reale të punësimit dhe trajnimit.
Promovimi i inovacionit dhe aftësive të të rinjve
Me prezantimin e parimeve Slow Food, aktiviteti synon të promovojë qëndrueshmërinë, të mbështesë prodhuesit lokalë dhe të nxisë modele të reja biznesi në sektorin e mikpritjes dhe turizmit.
Mbi 40 nxënës do të prezantojnë aftësitë e tyre gjatë ditës, duke dëshmuar përkushtimin e projektit për fuqizimin e të rinjve dhe forcimin e sistemit të arsimit dhe aftësimit profesional.
Rreth Projektit HoReCa
Projekti HoReCa – i financuar nga Qeveria e Italisë përmes AICS dhe i zbatuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës – mbështet integrimin në tregun e punës të të rinjve në sektorin e mikpritjes përmes zhvillimit të aftësive, forcimit të kapaciteteve të ofruesve të arsimit dhe aftësimit profesional dhe bashkëpunimit të shtuar ndërmjet institucioneve publike, punëdhënësve dhe partnerëve të zhvillimit.