Ndryshimi i Perceptimeve Përmes Turizmit
Si po i sfidojnë këto dy gra ndërmarrëse normat gjinore në Kosovë, ndërkohë që i mbajnë bizneset e tyre në jetë gjatë pandemisë COVID-19?
FETIJE NIKIQI
Sapo dalim nga makina, ne mirëpritet flladi i ajrit të freskët dhe bjeshkët e bukura të bardha që rrethojnë fshatin. Pas pak, Fetije Nikiqi dhe i shoqi Mustafa, të shoqëruar nga qeni i tyre, nxitojnë të na përshëndesin dhe Fetijes i shndrit fytyrat: “Mirë se na erdhët në bujtinën tonë”.
Fetija është grua ndërmarrëse inovatore, e cila ka themeluar dhe drejton bujtinën familjare “Ariu” në fshatin idilik malor të Rekës së Allagës, në luginën e Rugovës. Bujtina ndodhet në fillim të shtegut të ecjes Via Dinarica, i cili kalon nëpër malet e Ballkanit Perëndimor dhe çdo vit mirëpret mijëra entuziastë të natyrës dhe bjeshkatarisë
Ndonëse Fetije ishte një nënë shtëpiake përpara se ta hapte bujtinë, ajo gjithmonë ka qenë e gatshme të punojë. Për të, puna nënkuptonte pavarësi - një ide e rrënjosur gjatë fëmijërisë së saj në Gjermani. Së bashku me të shoqin, ajo punoi shumë për ta krijuar bujtinë familjare në vitin 2007. Gjithçka filloi me përgatitjen e flisë tradicionale që ua shiste bjeshkatarëve që kalonin atypari. Duke e parë me sa gëzim ata e shijon ushqimin dhe përjetimet që ofron Rugova, Fetija dhe i shoqi e zgjeruan menynë e tyre dhe i shtuan shërbimet duke ofruar dhoma për fjetje.
Përkundër mbështetjes së fortë nga i shoqi, rrugëtimi i Fetijes si grua ndërmarrëse nuk ishte gjithmonë i lehtë. Për shkak të roleve të rrënjosura tradicionale gjinore dhe nën-përfaqësimit të rëndë të grave në tregun e punës, Fetija u përball me paragjykime nga komuniteti lokal.
“Fillimi nuk ishte i lehtë, komuniteti im nuk është mësuar ta shohë një grua të pavarur, por vullneti dhe dëshira më mbajtën të motivuar. E filluam me pak dhe u rritëm. Fillimisht mund të prisnim maksimumi katër mysafirë dhe mund të ofronim vetëm dyshekë, por tani mund të presim deri në 65 mysafirë në natë”, thotë Fetija me buzëqeshje krenare në fytyrë.
Ajo që e bën këtë vend unik është se vizitorët përjetojnë një përvojë autentike tradicionale. Krejt ushqimet që përgatit Fetija janë tradicionale dhe me produkte vendore. “Përpiqem të promovoj kulturën, traditën dhe ushqimin tonë, dhe e di që kjo është çka duan mysafirët kur vijnë këtu.”
Fatkeqësisht, viti i kaluar nuk ka qenë i lehtë për ta. Viti 2020 solli shpërthimin global të COVID-19 që e mbylli botën brenda dhe sektori i turizmit ishte ndër më të goditurit. Në Kosovë, turizmi është burim jetese në zonat rurale dhe veçanërisht në mesin e grave ndërmarrëse. Ky kolaps për sektorin reflektohet në faktin se turizmi përjetoi humbjen e dytë më të madhe të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2020, dhe parashikimet nuk janë premtuese.
Në vitin 2019, numri i vizitorëve në bujtinë ishte më i larti që kishin pasur ndonjëherë dhe ata prisnin që ky numër të rritej në vitin 2020. Megjithatë, për shkak të COVID-19, numri i vizitorëve ra në mënyrë drastike. Përkundër kësaj situate, motivimi dhe vullneti i Fetijes nuk ka ndryshuar, ajo po punon fort që ta tejkalojë dhe shpreson që së shpejti të jetë në gjendje të presë po aq vizitorë sa më parë.
KALTRINA SALIHU
Në tetor 2020, në mes të pasigurisë së pandemisë, një grua me vullnet të fortë mori përsipër riskun e menaxhimit të një ndërmarrjeje të re biznesi në 1500 metra lartësi mbidetare në një fshat piktoresk të Dragashit. Bujtina magjepsëse “N’bjeshkë” ndodhet pranë majës së Skarpës, e rrethuar nga natyra e pacenuar e fshatit.
Pengesat e COVID-19 për funksionalizimin e plotë të bujtinës nuk e kanë penguar Kaltrina Salihun që t’i japë formë vizionit të saj dhe të hedhë plane konkrete në letër. Ajo është e sigurt se ky vend ka shumë për të ofruar - nga mbledhja e boronicës deri te skijimi. “Kam plot ide!”, thotë ajo me krenari. Në të vërtetë, ajo është një grua kreative plot ide dhe plane inovative; pikërisht ajo që i nevojitet më shumë sektorit të turizmit. Ajo parashikon kthimin e “N’bjeshkë” në kompleks eko-turizmi që përdor zgjidhje të qëndrueshme energjetike dhe integron prodhimet vendore në meny për ta mbajtur në funksionim zinxhirin e furnizimit lokal. Mbi të gjitha, ajo e sheh se përmes ndërmarrjes mund të çlirohet potencial i madh edukativ. Kaltrina po planifikon të dizajnojë dhe zhvillojë përvoja mësimore për të rinjtë dhe fëmijët nëpërmjet punës praktike në bujqësi dhe blegtori në një fermë edukative..
Në procesin e realizimit të vizioneve të saj, ajo e ka përcaktuar qartë një mision kyç. Ajo përpiqet të ofrojë mundësi punësimi për gratë nga zona rurale. Duke punuar në zonën e Dragashit tash e shumë vite, ndërkohë që është angazhuar në projekte të ndryshme, ajo është ndërgjegjësuar për normat e ngulitura gjinore që kanë ndikuar në imazhin e një gruaje që punon fizikisht larg shtëpisë. Ajo e di sepse i është dashur t’i kapërcejë vetë paragjykimet pasuese.
“Njerëzit këtu nuk janë mësuar të shohin gra në poste drejtuese, ndaj tendenca për paragjykime është e lartë. Unë i kam tejkaluar ato dhe banorët e fshatit më trajtojnë me respekt. Megjithatë, për fat të keq, për shumë gra të tjera kjo mbetet sfidë e vështirë.”
Duke krijuar vende pune dhe mjete jetese për gratë dhe vajzat në zonat rurale, Kaltrina po i thyen stereotipet tradicionale dhe po i sfidon normat sociale që pengojnë pavarësinë ekonomike të grave. Deri më tani, pjesa më e madhe e stafit të saj përbëhet nga gra, pasi mendon se angazhimi i tyre është vendimtar për zhvillimin e turizmit.
Turizmi mund të jetë një mjet për fuqizimin e grave dhe gjenerimin e të hyrave, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunitetet rurale. Pra, teksa sektori i turizmit përballet me sfidat e shkaktuara nga pandemia COVID-19, kjo situatë paraqet edhe një mundësi për ta riformuar sektorin duke u fokusuar në zgjidhje të qëndrueshme dhe të gjelbra dhe duke i bashkuar njerëzit. Projekti i UNDP-së për Eko-turizmin punon drejt promovimit të turizmit të qëndrueshëm dhe bizneseve të udhëhequra nga gratë në Kosovë. Projekti synon të mbështesë bizneset e vogla për t’u ringritur nga pandemia COVID-19 përmes rimëkëmbjes së gjelbër dhe mbështetjes për gratë në turizëm.
*Ky aktivitet i vizitës në terren u zhvillua në partneritet me Butterfly Outdoor Adventure.
Trina Ukmata dhe Sihana Bina