Një Orë në Shkollat e Kosovës Kundër Punës së Fëmijëve
![ILO CL](/sites/default/files/styles/hero_header_2xl_1x/public/2021-07/_C2A0123.jpg?itok=-ZDFzx19)
Viti Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve
Më 11 qershor 2021, Ditën Botërore Kundër Punës së Fëmijëve, ILO dhe Ministria e Arsimit organizuan së bashku një fushatë në shkollat e Kosovës për të rritur vetëdijesimin e nxënësve shkollorë për punën e fëmijëve. Kompleti informativ për mësimdhënësit u përgatit me mbështetjen e ILO-s dhe nga të gjitha shkollat anembanë Kosovës u kërkua që atë ditë t’i kushtojnë një orë mësimit kësaj teme. Të paktën 137,000 nxënës nga 309 shkolla morën pjesë për të mësuar se çfarë është puna e fëmijëve dhe si të ndihmohen viktimat. Fushata u organizua në kuadër të një programi global të ILO-s kundër punës së fëmijëve (MAP’16) me mbështetjen e Departamentit të Punës të SHBA-së.
A duhet t’i ndihmojnë fëmijët mbi 10 vjeç prindërit e tyre që punojnë në bujqësi? Si mund ta mbështesni shokun tuaj nëse zbuloni se ai/ajo është i përfshirë në punë të fëmijëve? Çfarë mund të bëjnë mësimdhënësit për ta mbështetur zhdukjen e punës së fëmijëve? Kur dhe si mund t’i punësoni ligjërisht të rinjtë? Këto ishin disa nga pyetjet që diskutuan nxënësit dhe mësimdhënësit gjatë orëve të mësimit kushtuar Ditës Botërore kundër Punës së Fëmijëve. Mësimdhënësit shpjeguan gjithashtu pse edukimi ndihmon në zhdukjen e punës së fëmijëve.
“Çdo individ ka të drejtat e veta të cilat duhet t’i gëzojë, askush nuk ka të drejtë t’i mohojë ato. Por jo çdo herë ngrihet zëri kur shkelen të drejtat, sidomos të fëmijëve. Askush nuk duhet të na i mohojë të drejtat vetëm sepse jemi fëmijë, nuk kemi forcë fizike apo aftësi të larta intelektuale. Askush nuk ka të drejtë të abuzojë me fëmijët, t’i detyrojë të punojnë ose të vendosë për jetën e tyre.” |
Dita e shkollës kundër punës së fëmijëve në Kosovë mori mbështetje nga projekti i ILO-s MAP’16 (Matja, Rritja e Vetëdijesimit dhe Angazhimi i Politikave për të përshpejtuar veprimet kundër punës së fëmijëve dhe punës së detyruar). MAP’16 mbulon më shumë se 20 vende dhe territore anembanë globit duke përfshirë Kosovën, Malin e Zi dhe Serbinë nga Evropa Juglindore. Për një prezantim të MAP’16 shihni këtu
Kosova gjithashtu iu bashkua nismës globale “Fund Punës së Fëmijëve 2021” përmes pesë zotimeve për ta përshpejtuar dhënien fund të punës së fëmijëve gjatë Vitit Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve. Objektivi i kësaj fushate është të arrihet Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm 8.7 nga korniza e OKB-së (çrrënjosja në mbarë botën e punës së fëmijëve) deri në vitin 2025. Pesë zotimet përfshijnë rritjen e vetëdijesimit për punën e fëmijëve; mobilizimin e agjencive të Ministrisë së Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural për të identifikuar dhe parandaluar punën e fëmijëve në pylltari dhe bujqësi; rritjen e monitorimit dhe mbështetjes nga Inspektorët e Arsimit dhe Drejtoritë Komunale të Arsimit; trajnimin e mësimdhënësve për parandalimin dhe identifikimin e punës së fëmijëve.
Sipas të dhënave të fundit të ASK-UNICEF (2020), në punë të fëmijëve janë të përfshirë 5 për qind e fëmijëve të moshës 5-17 vjeç në popullatën e përgjithshme që jetojnë në Kosovë, dhe 7 për qind e fëmijëve të së njëjtës moshë që jetojnë në komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Shumë nga këta fëmijë punojnë në kushte të rrezikshme pune.
ILO koordinon aktivitetet në mbarë botën me rastin e Vitit Ndërkombëtar për Eliminimin e Punës së Fëmijëve (2021). ILO vlerëson se puna e fëmijëve globalisht është ulur për 38 për qind në dy dekadat e fundit, me pothuajse 100 milionë fëmijë të larguar nga puna e fëmijëve. Por, 152 milionë fëmijë në mbarë botën janë ende në punë të fëmijëve, të përqendruar në bujqësi, shërbime dhe industri. Përhapja globale e pandemisë COVID-19 po i kërcënon këto arritje. Për shumë fëmijë dhe familjet e tyre, pasojat kanë qenë ndërprerja e arsimit, sëmundjet familjare dhe humbja e të hyrave familjare, duke rritur riskun e punës së fëmijëve.
Shënim: Artikulli u botua fillimisht në International Year for the Elimination of Child Labour: One hour against child labour at schools in Kosovo (ilo.org)