Partnerët e projektit #RealitetiRi ndanë rekomandime për trajtimin e pandemisë.
Partnerët e projektit #RealitetiRi, konkretisht kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, dhe Drejtoresha Ekzekutive e Platformës CiviKos, Donika Emini, mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp për të prezantuar rekomandimet e tyre për zhvillimet e fundit në trajtimin e pandemisë dhe për mundësinë e rritjes së shkallës së vaksinimit në Kosovë.
Rekomandimet e mëposhtme janë mbledhur nga konsultimet me përfaqësues të bizneseve dhe partnerë nga shoqëria civile gjatë aktiviteteve të projektit:
🟢 Të hiqet burokracia në rezervimin e termineve, për të pasur qasje të thjeshtuar dhe më të lehtë;
🟢 Të mundësohet vaksinimi në qendrën më të afërt, pavarësisht nga vendbanimi i regjistruar zyrtarisht;
🟢 Vaksinimi nëpërmjet ekipeve mobile në ambientet e bizneseve, pasi aktiviteti ekonomik i tyre po pengohet nga oraret e kufizuara të vaksinimit, ndërkohë që rritet risku që të punësuarit e pavaksinuar të vazhdojnë kontaktin me të tjerët;
🟢 Ekipe mobile të vaksinimit për zonat rurale dhe më të izoluara, veçanërisht ato të banuara kryesisht nga komunitete që kanë më pak qasje në informacionin e duhur;
🟢 Të riorganizohen resurset e kujdesit shëndetësor për zgjatjen e orarit të vaksinimit gjatë fundjavës. Kjo është veçanërisht e rëndësishme duke qenë se shumë qytetarë e kanë të pamundur të vaksinohen gjatë ditëve të punës, veçanërisht nëse punojnë në qytete të tjera larg vendbanimit të tyre të regjistruar;
🟢 Vaksinimi në sheshet kryesore të qyteteve për të arritur shifra që përkojnë me një vaksinim masiv;
🟢 Të bashkëpunohet me vendet e tjera për të siguruar që pasaporta jonë e vaksinimit do të pranohet si dëshmi prej tyre dhe për të parandaluar çdo pengesë për lëvizjen e lirë.
Njoftimin e plotë për shtyp për konferencën e sotme mund ta gjeni këtu: https://tinyurl.com/kcc-civikos