Fuqizimi i Përpjekjeve për Imunizim
Fuqizimi i përpjekjeve për imunizim
Java Botërore e Imunizimit, e cila shënohet globalisht gjatë javës së fundit të prillit, bashkon partnerë nga mbarë bota për të promovuar vaksinimin i cili mbron fëmijët dhe personat e të gjitha moshave nga sëmundje serioze. Tema e këtij viti, #TëRindërtojmëImunitetin synon të theksojë rëndësinë e rikuperimit nga humbjet në mbulueshmërinë me vaksinim të rregullt gjatë pandemisë COVID-19 dhe përshpejtimin e progresit në luftën kundër sëmundjeve të parandalueshme me vaksina.
Ministria e Shëndetësisë, në partneritet me UNICEF-in dhe OBSH-në, po shënojnë Javën Botërore të Imunizimit në Kosovë si moment kyç për të ritheksuar nevojën urgjente për veprime të menjëhershme sa i përket luftimit të hezitimit për vaksinim dhe dezinformit si dhe përkushtimit për të mbështetur rimëkëmbjen e sistemeve shëndetësore pas pandemisë.
Siç theksohet në raportin kryesor të UNICEF-it për vitin 2023, "Gjendja e Fëmijëve në Botë"[1], pandemia ka shkaktuar rënie shqetësuese të imunizimit të rregullt në mbarë botën. Sipas të dhënave të prezantuara në raport, një në pesë fëmijë në mbarë botën nuk është plotësisht i mbrojtur kundër sëmundjeve të parandalueshme me vaksina dhe rritja e sëmundjeve infektive si fruthi paraqet shqetësim në rritje për shumë vende. Në nivel global, numri i rasteve të fruthit është dyfishuar në vitin 2022 krahasuar me vitin paraprak, me raste të identifikuara në shumë vende të Evropës, duke përfshirë edhe vendet afër Kosovës.
Fatkeqësisht, ndikimet negative të pandemisë në imunizimin kanë prekur edhe Kosovën. Të dhënat administrative tregojnë se mbulumeshmëria me vaksinën e fruthit në Kosovë ka rënë deri në 10 për qind ndërmjet viteve 2019 dhe 2021. Aktualisht, një në çdo tetë fëmijë të moshës 1 vjeç në Kosovë nuk e ka marrë vaksinën MMR, e cila ofron mbrojtje kundër fruthit.
“Këtë vit, për Javën e Imunizimit, UNICEF-i së bashku me partnerët po theksojnë angazhimin për të mbrojtur çdo fëmijë nga sëmundjet e parandalueshme. Ne duhet të punojmë së bashku për të mobilizuar burimet dhe për të shtuar përpjekjet për të arritur kudo fëmijët e pavaksinuar si dhe për të rritur investimet për fuqizimin e shërbimeve shëndetësore për nënat dhe fëmijët brenda sistemit të kujdesit parësor shëndetësor”, tha Nona Zicherman, Shefe e Zyrës së UNICEF-it në Kosovë.
Hezitimi për të marrë vaksina është një pengesë e rëndësishme që duhet adresuar. Sipas të dhënave nga raporti i UNICEF-it për gjendjen e fëmijëve në botë, besimi tek vaksinat ka rënë ndjeshëm në krahasim me kohën para pandemisë. Në Kosovë, si kudo në botë, është shumë e rëndësishme të trajtohet kjo sfidë duke fuqizuar kapacitetet e punonjësve të kujdesit shëndetësor në adresimin e shqetësimeve të prindërve, duke gjeneruar evidencë mbi përcaktuesit e sjelljeve dhe duke angazhuar komunitetet në ndryshimin e sjelljes.
Oleksandr Martynenko, shef i zyrës së OBSH-së në Prishtinë tha “Të gjitha vaksinat që janë në dispozicion në Kosovë janë të parakualifikuara nga OBSH-ja. Kjo do të thotë se të gjitha vaksinat në Kosovë janë të sigurta dhe efektive. Mos hezitoni të merrni vaksina që shpëtojnë jetë. Ato nuk shkaktojnë sëmundje. Ato parandalojnë vdekjen."
Si pjesë e zotimit institucional për imunizimin, Kosova planifikon të përfshijë tri vaksina të reja në kalendarin e imunizimit të rregullt këtë vit. UNICEF-i dhe OBSH-ja do të punojnë ngushtë me autoritetet shëndetësore për të siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të ketë qasje në vaksinat të cilat shpëtojnë jetë dhe që secili fëmijë të mbrohet nga sëmundjet e parandalueshme.
Dr. Vitia, ministër i shëndetësisë, tha se “Duhet të kemi prioritet fuqizimin e shërbimeve të përgjithshme shëndetësore për nënat dhe fëmijët në kuadër të kujdesit parësor shëndetësor. Ne do të vazhdojmë t'i fokusojmë përpjekjet tona në rritjen e qasjes në vaksina për të gjithë fëmijët në Kosovë dhe arritjen e atyre popullatave që janë më e vështirë për t'u arritur. Ne do të vazhdojmë partneritetin tonë strategjik me UNICEF-in, OBSH-në, USAID-in dhe BE-në për të përmirësuar dhe mbështetur qasjen në kujdes shëndetësor cilësor për të gjithë fëmijët në Kosovë, në mënyrë që ata të jenë të shëndetshëm dhe të arrijnë potencialin e tyre të plotë”.
[1] Gjendja e Fëmijëve në Botë, https://www.unicef.org/media/108161/file/SOWC-2023-full-report-English.pdf