“PO, HAPUR JEMI!”- Një Ftesë E Ngrohtë Nga Ndërmarrës Të Rinj Ambicioz
Historia e Ajtenes & Beharit është ajo e shumë të kthyerve kosovarë, të cilët aspirojnë riintegrimin në shoqëri përmes pronësisë së biznesit në mes të pandemisë
Njëri rrobaqepës, tjetra frizere, të dy i sfidojnë statistikat marramendëse të papunësisë që prek rininë e Kosovës. UNDP-ja në Kosovë, përmes Programit të vet të Tregut Aktiv të Punës adreson çështjen kryesore të papunësisë nëpërmjet ofrimit të ndihmës teknike për shërbimet publike të punësimit dhe masave të drejtpërdrejta të tregut të punës për punëkërkuesit e rinj. Historia e Ajtenes dhe Beharit, është ajo e shumë përfituesve të punësuar përmes këtyre masave.
Më parë, industria e tekstilit dhe e veshmbathjeve ishte e dyta pas minierave në Kosovë, por sot ajo punëson vetëm rreth 1% të punëtorëve të regjistruar në vend. Megjithatë, duke poseduar njohuri dhe traditë afatgjatë, sektori ende paraqet potencial të madh për investime. Ky profesioni që kërkon shumë punë dhe kombinon kreativitetin dhe përvojën, paraqet një potencial të madh ekonomik për ndërmarrësit e rinj.
Behar Januzi e ka admiruar prej kohësh zanatin e rrobaqepësit; ai është qytetarë i Kosovës i riatdhesuar nga Gjermania dhe ka krijuar idenë e tij të ndërmarrësisë prej ditës kur lexoi për Programin e Vetëpunësimit. Beharin dhe biznesin e tij të rrobaqepësisë që e ka krijuar rishtazi dhe e ka regjistruar në janar 2021, e gjen pikërisht karshi një prej pazareve kryesore në qytetin e Vushtrrisë. Normalisht, pazari do të ishte i mbushur plot me njerëz dhe do të gumëzhinte nga aktiviteti. Por tashmë, për shkak të COVID-19, konsumatorët nuk janë të shumtë. Sipas Vlerësimit të Shpejtë të Ndikimit Socio-Ekonomik të COVID-19 në Kosovë, 55% e bizneseve raportuan efekte negative prej pandemisë, me mbi 80% që shprehen se ka mungesë të klientëve. Por këto shifra nuk e lëkundin Beharin, ai beson në biznesin e tij, ndaj do ta gjeni çdo ditë në dyqan, duke pritur klientët e tij, gjithmonë i buzëqeshur dhe i gatshëm për t’u shërbyer.
Numri i klientëve është ende i vogël, por rritet çdo ditë, dhe Behar kujdeset t’i presë me ‘çaj rusi’, pija tradicionale dhe pjesë përbërëse e rutinës së përditshme të të gjithëve në Vushtrri. “Kështu e filloj ditën time dhe ma rregullon disponimin. Është edhe mënyra ime që t’i bëj klientët të ndihen të mirëpritur në dyqanin tim”, thotë Behari 31-vjeçar.
Behari punon së bashku me motrën e tij që ka 15 vite përvojë rrobaqepësie. Ajo ishte e rëndësishme për ta ndihmuar Beharin ta zhvillonte konceptin për biznesin e tij të rrobaqepësisë dhe ata e mbështesin njëri-tjetrin, duke synuar gjithmonë ta përmirësojnë dhe zgjerojnë biznesin. Behari ishte në mesin e shumë përfituesve të Programit të Vetëpunësimit të UNDP-së, përmes së cilit ai mori trajnim profesional dhe ndihmë direkte me grante me mjete dhe komplet pajisjesh për ta finalizuar dyqanin e tij.
Kur e vizituam dyqanin, Behari dhe motra e tij ishin të zënë me përgatitjen e ‘bohçes’ së të fejuarës së tij - një dhuratë e punuar me dorë, e qëndisur e përgatitur duke përdorur teknika të shkëlqyera tradicionale. ‘Bohçja’ është një dhuratë tradicionale e ditës së fejesës – një zakon i pranishëm në mbarë Kosovën.
Megjithëse trajnimi profesional i Beharit mbulon një gamë të gjerë produktesh rrobaqepësie, specialiteti i tij është përgatitja e perdeve, kryesisht për klientë privatë. Pajisjet që ai mori përmes grantit ia lehtësojnë ngarkesën e punës dhe i mundësojnë Beharit dhe motrës së tij të punojnë njëkohësisht për disa porosi në dyqan. Në këtë mënyrë, ata mund të kujdesen për një klientelë më të gjerë, duke prodhuar gjithashtu veshje dhe qëndisje.
Kur hyn në dyqanin e Beharit, të bie menjëherë në sy rregulli, vëmendja ndaj detajeve dhe cilësia. Behari beson në rëndësinë e talentit, por edhe të përkushtimit dhe disiplinës në çdo aspekt të biznesit të tij – dhe dyqani shpërfaq dashurinë, dedikimin dhe përkushtimin e tij të vërtetë për punën e tij si një ndërmarrës i ri, krenar për biznesin e rrobaqepësisë.
Duke i uruar Beharit të gjitha të mirat për dasmën e tij të ardhshme, largohemi nga qyteti i vjetër i Vushtrrisë dhe udhëtojmë 25 km më larg - në një nga pjesët më të frekuentuara të Prishtinës dhe takojmë një tjetër ndërmarrëse punëtore dhe të talentuar, Ajtene Azemin.
Gratë zotërojnë më pak se 10% të bizneseve në Kosovë, megjithatë kjo nuk e pengoi Ajtenen që të shkonte në zyrën lokale për punësim dhe t’i zgjidhte vetë gjërat. Ajtenia është informuar për masat e punësimit nga këshilltari i saj dhe ka ndjekur trajnime profesionale, ku ka mësuar shkathtësitë kryesore për menaxhimin e biznesit dhe më pas ka aplikuar për Programin e Vetëpunësimit. Përveç masave të punësimit, UNDP-ja ofron ndihmë teknike të drejtpërdrejtë për Agjencinë e Punësimit duke përmirësuar shërbimet e zyrave të punësimit dhe disponueshmërinë e modulit të trajnimit në qendrat për aftësim profesional. Pas përpilimit të një plani biznesi, Ajtenia aplikoi dhe mori një komplet pajisjesh për sallonin e saj. Ajo tani qëndron me krenari përballë “Ayten Salon”, ku u shërben klientëve të saj të rregullt dhe ndan rrugën e saj drejt ndërmarrësisë së suksesshme.
“Po, hapur jemi”, thotë Ajtenia kur troket për të hyrë në sallonin e saj, njësoj si tabela në derë, duke i mirëpritur klientët e interesuar. Ajtenia është shumë e zënë pasi të gjithë klientët dhe shërbimet i trajton vetë - gjithmonë shumë e përkushtuar dhe energjike.
Kjo arritje për Ajtenen nuk është vetëm një ëndërr e realizuar në aspektin e karrierës, por është edhe një hap i rëndësishëm i ‘rivendosjes në atdhe’.
Në vitin 2015, Ajtenia dhe bashkëshorti i saj ikën në Gjermani. Ajo lindi djalin e saj kur ishte në Gjermani dhe pas dy vitesh, kur djali i saj ishte vetëm dhjetë muajsh, Ajtenia dhe familja e saj u riatdhesuan në Kosovë. Familja ishte shumë e lumtur me kthimin në Kosovë dhe megjithëse Ajtenia fillimisht u përqendrua në kujdesin për djalin e saj, ëndrra e saj ishte të kishte biznesin e vet. Vështirësitë në zbatimin e ligjit të punës për pushimin e lehonisë kontribuojnë në mbipërfaqësimin e grave në punësim informal (të vlerësuar si 60%), megjithatë Ajtenia ishte e përkushtuar për ta krijuar biznesin e saj dhe shkoi për trajnim.
“U desh pak kohë që më në fund të krijoja lokalin tim dhe të kisha një biznes ku klientet e mia do të ndiheshin të mirëpritura dhe si në shtëpi, diçka për të cilën kam ëndërruar gjithmonë. Ishte shumë e vështirë, por në fund ia vlejti. Dhe - nëse unë munden ta bëj, kështu mundet edhe çdo grua që ka një ide dhe vullnet për t’i ndjekur ëndrrat e saj”.
Parukeritë, përkatësisht sallonet e ondulimit dhe trajtimet e tjera të bukurisë, janë një nga aktivitetet kryesore të biznesit të zhvilluara nga gratë në Kosovë. Sipas Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë, deri më tani janë regjistruar afro 6300 sallone ondulimi dhe bukurie.
Si Behari ashtu edhe Ajtenia u mbështetën nëpërmjet Programit të Vetëpunësimit, i zbatuar nga PTAP2, faza e dytë e programit të punësimit të UNDP-së që zbatohet që nga viti 2005.
Programi i Vetëpunësimit e ka një fokus të veçantë tek gratë dhe grupet e cenueshme, me synimin për të krijuar biznese të qëndrueshme dhe të afta për t’u rritur në një treg konkurrues. Gjatë vitit 2020, 136 punëkërkues të riatdhesuar janë mbështetur me trajnime profesionale si dhe me mjete e pajisje për hapjen e bizneseve të reja. Komponenti kryesor i projektit, së bashku me zhvillimin e kapaciteteve institucionale, është punësimi i të rinjve dhe të rejave, me mbi 15,000 punëkërkues që kanë qenë pjesë e një prej disa programeve të tregut aktiv të punës të zbatuara në dekadën e fundit.
Përkundër të gjitha sfidave që lidhen me pandeminë COVID-19 me të cilat është përballur gjatë zbatimit, Projekti PTAP ka arritur të ofrojë mundësi trajnimi, punësimi dhe vetëpunësimi për 231 persona të riatdhesuar gjatë vitit 2020.
Teksa shënojmë “Ditën e Ndërmarrjeve Mikro, të Vogla dhe të Mesme (NMVM) 2021: çelësi për rimëkëmbjeje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme”, i vlerësojmë këta dy ndërmarrës të rinj, Ajtenen dhe Beharin, të cilët i kapërcyen të gjitha pengesat pasi u riatdhesuan në Kosovë, u futën në tregun e punës dhe po punojnë shumë për rimëkëmbje nga ndikimi që pati pandemia COVID-19 në bizneset e tyre të krijuara së fundmi.