Fuqizimi i të Rinjëve që të Ndërmarrin Iniciativa për Ajër të Pastër
UNICEF-i dhe Ambasada Suedeze në Kosovë fuqizojnë të rinjtë që të ndërmarrin iniciativa për ajër të pastër
UNICEF-i, në bashkëpunim me Ambasadën Suedeze në Kosovë, shënuan Ditën Botërore të Mjedisit duke bashkuar të rinjtë dhe vendimmarrësit për të diskutuar për ndikimin e ndotjes së ajrit në Kosovë. Ngjarja kishte për qëllim të mbështesë angazhimin e të rinjve në avokimin për një mjedis më të pastër dhe më të shëndetshëm, duke inkurajuar një dialog kuptimplotë për një të ardhme të qëndrueshme për Kosovën.
Ngjarja ofroi një platformë fuqizuese që të rinjtë t'i ndajnë përvojat e tyre personale në lidhje me ndotjen e ajrit dhe çështje të tjera mjedisore. Të ftuar ishin ambasadori suedez në Kosovë, shkëlqësia e tij, Jonas Westerlund, ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, znj. Arbërie Nagavci, shefja e UNICEF-it në Kosovë, znj. Nona Zicherman, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Mjedis, znj. Fitore Pacolli, zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, z. Avni Zogiani, dhe zëvendësministri i Ekonomisë, z. Getoar Mjeku.
Suedia aktualisht mban presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian dhe një nga prioritetet e saj është mbështetja e tranzicionit të gjelbër dhe të energjisë në Ballkanin Perëndimor. “Suedia dëshiron ta përdorë presidencën e saj për të siguruar që fëmijët dhe të rinjtë të jenë në gjendje të marrin pjesë në mënyrë kuptimplote dhe të kontribuojnë në proceset kyçe të vendimmarrjes. Gjatë Ditës Botërore të Mjedisit në Kosovë, Suedia dëshiron të theksojë të drejtën e çdo fëmije për ajër të pastër. Zërat e fëmijëve duhet të dëgjohen në debatet politike që kanë të bëjnë me të drejtat e tyre” – tha ambasadori i Suedisë në Kosovë, z. Jonas Westerlund.
Gjatë aktivitetit, të rinjtë shkëmbyen ide dhe propozuan zgjidhje për adresimin e ndotjes së ajrit në Kosovë drejtpërdrejt te vendimmarrësit. 18-vjeçarja Demjana theksoi rëndësinë e perspektivave të të rinjve dhe u kërkoi autoriteteve që të konsultohen me ta gjatë zbatimit të Strategjisë së Energjisë. Ajo ndau edhe përvojën e saj me fuqinë e aktivizmit mjedisor rinor, duke thënë: “Së bashku me shokët e shoqet e mia kemi avokuar në nivel lokal me zyrtarët komunalë dhe kemi arritur të rrisim numrin e korsive për biçikleta në Ferizaj”.
Një tjetër avokuese e re, 17-vjeçarja Verona nga Obiliq, ndau shqetësimin e saj në lidhje me cilësinë e ajrit në komunitetin e saj, për shkak të afërsisë me termocentralin me qymyr. Ajo kërkoi nga vendimmarrësit që t'i përshpejtojnë planet e tyre për instalimin e filtrave në këtë fabrikë në mënyrë që të reduktohet ndotja.
Cilësia e ajrit në Kosovë mbetet shqetësuese për prindërit, fëmijët dhe të rinjtë. Raportet tregojnë se grimcat e imëta shpesh tejkalojnë kufijtë e rekomanduar të OBSH-së, gjë që i vë fëmijët dhe grupet e tjera të cenueshme në rrezik në rritje nga dëmtimi afatgjatë i shëndetit dhe zhvillimit të tyre.
“Konventa për të Drejtat e Fëmijës njeh të drejtën për mjedis të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Ndotja e ajrit dhe sfidat e tjera mjedisore paraqesin rreziqe të konsiderueshme për shëndetin dhe mirëqenien e fëmijëve. Duhet të punojmë në mënyrë aktive për t'i mbrojtur ata dhe për t'i mbështetur avokuesit e rinj këtu në Kosovë dhe globalisht, ndërsa ata ecin përpara në luftën për drejtësinë klimatike” – tha Nona Zicherman, shefe e UNICEF-it në Kosovë.
Në partneritet me Agjencinë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit, UNICEF-i po zbaton një projekt rajonal në Ballkanin Perëndimor, i cili mbështet institucionet dhe autoritetet lokale për t'i ngritur kapacitetet e tyre për të dhënat mbi cilësinë e ajrit si dhe qeverisjen duke fuqizuar zërat e të rinjve për të përmirësuar politikën e cilësisë së ajrit dhe për të ndikuar në normat sociale.