Siguria kibernetike në Kosovë në Duart e të Rinjve
Përmes Projekti për Luftim të Krimit Kibernetik (C3K), UNDP-ja synon të rrisë kapacitetet ekzistuese të Kosovës për luftimin e krimit kibernetik.
Me shumë mundësi keni dëgjuar për “kërcënimet kibernetike” dhe e keni ndjerë se përdorimi i internetit ju ka ekspozuar ndaj ndonjë rreziku ose të paktën ka kompromentuar privatësinë tuaj. Askush nuk është i sigurt në botën e sotme kibernetike. Me pandeminë COVID-19, bota kaloi “online” dhe kërcënimet kibernetike u rritën edhe më shumë.
Kërcënimi kibernetik është mundësia e një përpjekjeje keqdashëse, përmes qasjes së paautorizuar të kryer nga individë ose organizata për ta dëmtuar ose prishur një rrjet ose sistem kompjuterik. Me pandeminë që ndikoi thellësisht në peisazhin global të kërcënimit kibernetik, shumë vende nëpër botë kanë prioritizuar investimet për t’iu përgjigjur rritjes së aktiviteteve kriminale kibernetike.
Kosova po përparon! Për të avancuar në këtë fushë nevojiten ekspertë. Çdo inkurajim i të rinjve për t’u angazhuar në sigurinë kibernetike në Kosovë do të thotë përgatitje për luftime kibernetike në të ardhmen. Mbështetja e të rinjve në këtë fushë do të thotë mbështetje për sigurinë e institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.
Një “treshe” e veçantë nga Mitrovica, studentë të Fakultetit Isa Boletini, treguan se si njohuritë e TIK-ut mund t'i çojë në sfida të ndryshme në jetën e tyre. Valton Tahiri, Eron Mahmuti dhe Armend Binaku janë shokë prej shumë vitesh dhe e quajnë veten “Bughunters” (gjahtarë të defekteve).
BugHunters fituan Sfidën Kibernetike të Kosovës të organizuar nga UNDP në Kosovë në bashkëpunim me Women4Cyber Albania, Telelink Business Services dhe IPKO Foundation. Sipas ekipit fitues, kjo ishte një nga sfidat më të vështira kibernetike online në Kosovë. Konkursi ishte dizajnuar që ekipet të përballen me sfidat që pasqyrojnë realitetin, sepse kërcënimet me të cilat përballet Kosova dhe bota sot janë gjithnjë e më komplekse dhe akterët më të sofistikuar se kurrë më parë.
Teksa evoluon peisazhi i kërcënimit, ne e dimë se edhe qasja jonë ndaj sigurisë kibernetike duhet të vazhdojë të zhvillohet. Identifikimi, zhvillimi dhe ruajtja e talenteve kibernetike është vendimtare për ta arritur këtë qëllim dhe për ta siguruar infrastrukturën dhe funksionet tona më kritike.
Sfida Kibernetike e Kosovës u organizua në kuadër të fushatës “Kujdes në internet”, e cila synon të rrisë njohuritë për kërcënimet kibernetike dhe të fuqizojë publikun e gjerë të Kosovës për lundrim më të sigurt në internet. Projekti i UNDP-së për Luftimin e Krimit Kibernetik (C3K) është financuar nga Ambasada Norvegjeze në Kosovë.
Energjia që përçojnë këta tre të rinj janë të veçanta, mënyra si shtypin në tastierë dhe shpejtësia e tyre është e mahnitshme! Eron Mahmuti është lideri i grupit, ai është edhe më i zëshmi “Kjo sfidë ishte ngazëlluese për mua! Gjuetia dhe zbulimi i kërcënimeve ishte një ndjenjë e veçantë për mua. E dua këtë punë!”. Në pyetjen nëse ai e sheh veten në luftimin e kërcënimeve kibernetike nesër, ai u përgjigj pozitivisht: “Fillimisht nuk e dija sa e mirë ishte kjo sfidë dhe thjesht dëshmuam se mund ta bëjmë, se kemi njohuri!”, tha Eroni.
Sa e rëndësishme është kjo na e tregoi shoku i tij Valton Tahiri: “Ne duhet të shpjegojmë se siguria kibernetike është një çështje serioze dhe njerëzit duhet të dinë për këtë. Gjithashtu mendoj se na duhen më shumë evente të tilla”. Valtoni mendon se kjo ishte një mundësi për t’i treguar shkathtësitë e fituara në Fakultet, si dhe lidhet shumë mirë me planet e tij: “Puna ime e ëndrrave është të jem gjahtar i këqbërësve në botën kibernetike, të ashtuquajturat “kapelet e zeza”!
Armend Binaku shpjegoi se sa serioz është programi i tyre në Fakultet, ata tashmë kanë Grupin e Sigurisë Kibernetike me rreth 20 studentë dhe të gjithë shkëmbejnë njohuri dhe ide për këtë temë. “Ne jemi shokë, dhe bashkimi na bën të fortë dhe të përgatitur për shumë situata. Kjo sfidë ishte një nga situatat më të mira që kemi kaluar”, tha Armendi.
BugHunters u inkurajuan nga çmimet modeste, tabletat, të cilat iu dorëzuan nga Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, Maria Suokko. Ceremonia e vogël për ndarjen e çmimeve ishte një mundësi për t’u takuar personalisht me këta entuziastë kibernetikë dhe për t’u inkurajuar nga shpresa dhe potenciali që ata përfaqësojnë për Kosovën në shumë mënyra. Ata janë në pozitën e duhur për të marrë pjesë dhe për të udhëhequr hapin tjetër të rrugëtimit të transformimit digjital të Kosovës. Znj. Suokko tha se iniciativat digjitale si kjo kontribuojnë në ambicien më të madhe të UNDP-së për ta mbështetur Kosovën në transformimin e saj digjital. Forcimi i programeve përgatitore për talentet e ardhshme digjitale është një bllok kyç për ndërtimin e një ekosistemi të fortë të sigurisë kibernetike. “Ju jeni të rinj me potencial dhe aftësi të mëdha për t’u bërë lider në këtë fushë. Urime për fitoren në këtë sfidë! Pres me padurim të dëgjoj ide nga ju se si të angazhohen më shumë të rinj në këtë fushë dhe t’i bëjmë pjesë të lëvizjes.”
Si ekipi fitues ashtu edhe ekipi që u doli në vend të dytë “Pied Piper” (gjithsej gjashtë persona) u shpërblyen me praktika në distancë me Women4Cyber Foundation, për t’i zhvilluar më tej shkathtësitë dhe njohuritë e tyre në fushën e sigurisë kibernetike.
Pozitiviteti që vjen nga këta të rinj është një nxitje e madhe për të gjithë partnerët e përfshirë në këtë përpjekje. Qëllimi ynë është ta zgjerojmë grupin e talenteve kibernetike në Kosovë me shkathtësitë e duhura për të shkruar kode të sigurta, për t’i mbrojtur rrjetet, për t’iu përgjigjur incidenteve kur ato ndodhin, si dhe për ta mbrojtur infrastrukturën kritike nga sulmet kibernetike. Me diversitetin e njerëzve vijnë këndvështrime më të ndryshme që ndihmojnë në informimin më të mirë të politikave dhe vendimmarrjes. Ndërtimi i një fuqie punëtore më të fuqishme dhe diverse për sigurinë kibernetike është shtylla kryesore që ky vizion të ketë sukses.
Danijela Mitic & Luana Domi