Kur Besimi Ka Më Shumë Rëndësi Se Përkthimi
Interpretimi i saktë është jetik për parandalimin e keqkuptimeve ndërmjet palëve të ndryshme - të paditurve, prokurorëve, avokatëve, gjyqtarëve dhe viktimave.
Në situatat juridike që përfshijnë persona që flasin gjuhë të ndryshme, interpretimi i saktë është jetik për parandalimin e keqkuptimeve ndërmjet palëve të ndryshme - të paditurve, prokurorëve, avokatëve, gjyqtarëve dhe viktimave. Për të siguruar një gjykim të drejtë duhen përfshirë interpretë dhe përkthyes shumë të aftë. Ky është momenti kur në skenë dalin profesionistë si Blerta Kalaveshi! Blerta së fundi i është bashkëngjitur Gjykatës Themelore në Prishtinë, si interprete, së bashku me tre kolegë të tjerë. Kjo është detyra e parë e Blertës si përkthyese.
Një përkthyes gjyqësor duhet të zotërojë jo vetëm njohuri të thella për gjuhët në të cilat specializohet, por edhe një nivel të mjaftueshëm njohurish rreth sistemit të drejtësisë dhe procedurave penale. Në këtë kuptim, Blerta është perfekte për këtë detyrë. Ajo është diplomuar për juridik në Universitetin e Prishtinës dhe gjuhën serbe dhe boshnjake e ka mësuar nga nëna e saj.
“Ndoshta, sepse jam e re, kjo punë më duket shumë ngazëlluese dhe jam gati të përpiqem t’i kapërcej të gjitha pengesat për t’u bërë edhe më e aftë! Duhet kohë për ta kapërcyer stresin gjatë proceseve gjyqësore, por mendoj se jam në rrugën e duhur”, tha Blerta.
Koordinatorja e saj e përkthimit për gjykatën dhe kolegia me përvojë Ilmije Sopjani, me një përvojë 20 vjeçare në këtë fushë, na tha se Blerta ishte një zgjedhje perfekte për postin e përkthyeses gjyqësore: “Ajo ka durim dhe është e ditur. Ne po kërkonim pikërisht një kandidat të tillë. Interpretët janë akterë kyç në gjykim dhe për këtë është e rëndësishme se çfarë lloj kandidatësh zgjedhim,” tha Ilmija.
Blerta mendon se të jesh përkthyese është më shumë se thjesht një punë: “Unë jam dikush që ua lejon palëve ta kuptojnë gjykimin. Unë jam personi që u ndihmon të kenë qasje në drejtësi. Se sa të rëndësishëm jemi ne përkthyesit, e tregon fakti se nëse përkthyesi nuk arrin të vijë në gjykim, gjykim do të anulohet”, thotë Blerta dhe shton:
“Rëndësia e përkthyesit duket ndoshta më së miri në momentet kur palët na drejtohen neve në vend të gjyqtarit! Ua rikujtojmë palëve gjatë gjithë kohës gjatë gjykimit “Ju lutemi drejtohuni gjyqtarit, jo neve”. Kjo marrëdhënie besimi që kemi me palët tregon se përkthimi nuk ka të bëjë vetëm me qasjen në drejtësi, por edhe me ndërtimin e besimit mes njerëzve.”
Znj. Blerta Kalaveshi është një nga katër përkthyesit gjyqësorë që janë angazhuar nga projekti i UNDP-së në Kosovë për Sundimin e Ligjit, i zbatuar në partneritet dhe bashkëpunim me Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK). Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, katër përkthyesit gjyqësorë kanë përkthyer gjithsej 1,904 dosje të lëndëve dhe kanë ofruar interpretim për 724 seanca gjyqësore – duke mbështetur kështu funksionimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë gjatë pandemisë. Për shkak të burimeve të kufizuara njerëzore të disponueshme për përkthim dhe interpretim, nuk ka mjaftueshëm përkthyes të kualifikuar në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe gjyqësorin. Problem mbetet përkthimi i dobët i legjislacionit. Kjo paraqet kërcënim për të drejtën e secilit për gjykim të drejtë. Për këtë arsye, UNDP-ja dhe UNMIK-u kanë bërë përpjekje të përbashkëta dhe kanë ofruar ekspertizë për ta mbështetur Gjykatën Themelore në Prishtinë për sigurimin në kohë të shërbimeve të përkthimit dhe interpretimit në gjuhët shqipe dhe serbe për të gjitha palët.
Komisioneri i Gjuhëve në Kosovë, Slavisha Mladenoviq, konfirmon se përkthimi mund të ndikojë në qasjen në drejtësi: “Mungesa e shërbimeve të përkthimit të ofruara nga përkthyes shumë të aftë në çdo fazë të sistemit juridik, mund të ketë pasoja shkatërrimtare. Cilësia e përkthimit në sistemin juridik mund të matet në shkallën “nga liria deri në burgim”. Pikërisht në këtë mund të rezultojë një fjalë ose një fjali e interpretuar ose e përkthyer gabimisht: burgim të pajustifikuar, ose paraburgim arbitrar. Interpretët më të kualifikuar në gjykata do të zvogëlojnë numrin e akumuluar të lëndëve dhe do të sigurojnë vendime të duhura, fer dhe të drejta të marra nga organet e drejtësisë. Interpretimi adekuat gjithashtu do t’i eliminojë ankesat e shpeshta dhe do t’i përshpejtojë proceset. “
Për më tepër, në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe Zyrën e Komisionerit për Gjuhët, projekti ka trajnuar 30 përkthyes të gjykatave në Kosovë në vitin 2020, duke kontribuar në forcimin e shkathtësive të përkthyesve dhe standardizimin e terminologjisë juridike të përdorur në gjykata.
UNDP-ja dhe UNMIK-u po bashkëpunojnë me sukses për ta mbështetur funksionimin e sundimit të ligjit në Kosovë dhe për ta përmirësuar qasjen e qytetarëve në drejtësi. Duke punuar së bashku për të shmangur hendekët dhe mbivendosjet, UNDP-ja dhe UNMIK-u do të vazhdojnë ta plotësojnë punën e njëri-tjetrit duke qenë të vetëdijshëm për sfidat e paraqitura nga pandemia COVID-19 për zhvillimin dhe paqen.
Komisioneri i Gjuhëve, si kampioni më i madh i të drejtave gjuhësore, na tregon gjithashtu se sa i rëndësishëm është ky proces:
“Nëse institucioni është i aftë të ofrojë shërbime profesionale, kujdeset për mirëqenien e qytetarëve dhe vepron me integritet, atëherë individi, pavarësisht nga etnia, do të zhvillojë besimin te institucioni dhe rrjedhimisht te komuniteti. Nëse një serb merr një gjykim të drejtë në Prishtinë dhe stafi i gjykatës vepron me integritet dhe profesionalizëm, ai ose ajo pashmangshëm do të zhvillojë më shumë besim te komuniteti shqiptar në përgjithësi. E njëjta gjë vlen edhe për një shqiptar në Mitrovicën e Veriut, për shembull.”