Pasioni Për Ndryshim – Punëtorët e Rinj Socialë në Kosovë Bëhen Udhëheqës
12 gusht 2021
Historia e Tahir Halilajt, një të riu 23-vjeçar që bën kaq shumë për komunitetin.
Për aq kohë sa i kujtohet, ai ka pasur dhembshuri ndaj personave të cenueshëm, veçanërisht fëmijëve. Sapo mbaroi Fakultetin Filozofik - Dega e Punës Sociale në Universitetin e Prishtinës, Tahiri filloi të punojë si vullnetar, një përvojë që e ekspozoi tek mënyrat se e përballojnë jetën e tyre të përditshme fëmijët e pambrojtur. Edhe pse është punë shpërblyese, ka pasur raste kur e ka pasur të vështirë ta përballojë stresin emocional nga puna. Por, me këmbëngulje dhe me vizionin që i jep dëshira e vërtetë për ndryshim, ai këmbënguli dhe vazhdoi të punonte dhe t’i mbështeste fëmijët e cenueshëm, dhe kjo - nga ana tjetër - e bëri ta kuptonte fuqinë transformuese që sjell ndjenja se të dëgjojnë, të duan dhe të vlerësojnë. Dhe kështu për Tahirin, çelësi ishte komunikimi!
“Kjo pjesë e komunitetit ka nevojë për vëmendje dhe unë duhej të bëja pjesën time!”.
Menjëherë pas diplomimit, duke qenë se drejtimi i tij ishte në një fushë shumë specifike, ai ishte skeptik për perspektivat e punësimit. Megjithatë, ambicia e tij për të gjetur një punë që do t’i lejonte të kontribuonte në shoqëri ia mbajti gjallë shpresat. Pas disa tentativave, ai pa një shpallje të publikuar nga UNDP-ja dhe vendosi të aplikojë. Projekti 'Përgjigjja ndaj Emergjencës COVID-19 dhe Mbështetja për Rimëkëmbje të Hershme’ kërkonte 40 vullnetarë të OKB-së për të punuar në qendrat për punë sociale në mbarë Kosovën. Qëllimi i projektit është t’u ndihmojë grupeve më të cenueshme duke përmirësuar sistemet e mbështetjes socio-ekonomike, duke përfshirë ofrimin e shërbimeve sociale dhe rritjen e qasjes në mbrojtje sociale të barabartë, cilësore dhe të integruar për grupet më të cenueshme, duke përfshirë gratë dhe vajzat. “Sot, falë këtij projekti jam në gjendje të bëj atë që më pëlqente që kur isha fëmijë”, thotë Tahiri.
Pas disa muajsh në punë, Tahiri është i emocionuar dhe i ngazëlluar nga perspektivat për ndryshimin që mund të sjellin ai dhe kolegët e tij në qendër. Këtu përfshihet puna e tij për 6 raste ku ka mbështetur pajtimin dhe rindërtimin e besimit brenda familjeve, 8 raste me fëmijë të mbetur në rrugë, 1 rast me fëmijë pa kujdes prindëror, 2 procedura birësimi dhe shumë seanca këshillimi me familjet që kanë kërkuar ndihmë për zgjidhjen e problemeve të ndryshme familjare.
“Tahiri është punëtor, energjik, pasionant dhe ambicioz. Ai solli aq shumë energji dhe profesionalizëm me punën që bën me ne, saqë lehtë do ta krahasoja me anëtarët e tjerë të stafit që kanë përvojë profesionale” – vëren Dervish Tahiri, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë.
Sa i përket ambicieve të karrierës, Tahiri konsideron se do të vazhdojë në këtë drejtim të punës. Po ta pyesësh, ai nuk do ta ndërronte me asgjë në botë, sepse e di se çfarë ndikimi ka puna e tij dhe se kjo është ajo që dëshiron të bëjë. Edhe kur e pyet për rastet e vështira me të cilat duhet të përballet çdo ditë, Tahiri thotë: “Rastet ndryshojnë. Kam pasur raste të fëmijëve të braktisur nga familjet e tyre, fëmijë kujdestarët e të cilëve ishin gjyshërit e moshuar, të cilët vetë kanë nevojë për mbështetje dhe për këtë arsye e kanë të vështirë të kujdesen për fëmijët, dhe raste të fëmijëve në rrugë që nuk duan të shkojnë në shtëpi për shkak të neglizhencës dhe abuzimit në familje – këto raste janë shtuar ndjeshëm gjatë pandemisë. Dëgjon kaq shumë tregime të ndryshme nga këta fëmijë, ndonjëherë kjo më ndikon psikologjikisht dhe më krijon probleme në kryerjen e aktiviteteve të mia të përditshme. Por, e mira është se tani jam mësuar ta menaxhoj më mirë punën, jetën time private dhe shëndetin mendor, kështu që mund të shkoj në palestër, të shoqërohem me miqtë e mi, të ndjek kurse - për ta jetuar jetën, me të vërtetë. Pasi të kem punuar me fëmijët për një kohë, shoh përparim - ata janë më të lumtur, rriten, janë plot dashuri! Kjo më jep shumë gëzim! Vazhdoj të mbaj kontakte me ta, në mënyrë që ata ta kuptojnë se njerëzit kujdesen për ta, se unë KUJDESEM, dhe PUNOJ shumë për t’i mbështetur ata të jetojnë një jetë më të mirë”.
Tahiri ndan një rast veçanërisht të vështirë. Flitet një djalë 8-vjeçar nga komuniteti rom. Kur ramë në kontakt me të, ai ishte dukshëm i lënë pas dore, i kequshqyer, i uritur, zbathur dhe shumë agresiv si pasojë e dhunës që kishte përjetuar në familjen e tij. Prindërit e tij u ndanë, nëna nuk e donte, pasi që u martua përsëri, babai i tij ishte i papunë dhe jetonte në kushte shumë të këqija dhe e kishin vërtet të vështirë ta bindnin që ta lejonte djalin të jetonte me një familje kujdestare. “Ky ishte rasti që më bëri ta kuptoj se komunikimi, dashuria, ndjeshmëria janë çka u duhet këtyre fëmijëve. Ky ishte rasti që më preku në zemër dhe gjithashtu më bëri ta kuptoj se ky djalë nuk është i vetmi, ka shumë fëmijë të pambrojtur që kanë nevojë për kujdesin më elementar, ushqim, tesha, një kulm mbi kokë, dhe po ashtu për dashuri dhe përkujdesje”. Tahiri tregoi se si ka ndryshuar në mënyrë drastike mirëqenia, qëndrimi dhe shëndeti mendor i djalit. “Edhe sot, unë ende shkoj dhe e kontrolloj për të parë se si po shkon. Kam pasur një përvojë të jashtëzakonshme me të dhe përmes kësaj përvoje kam ndjekur ecurinë dhe kam kuptuar se sa e rëndësishme është puna ime dhe puna e qendrës sonë”- tha Tahiri.
Angazhimi i 40 vullnetarëve të OKB-së që punojnë në të gjitha Qendrat për Punë Sociale (QPS) anembanë Kosovës vazhdon të ofrojë përforcim të menjëhershëm të kapaciteteve të kapaciteteve njerëzore dhe energji inovative për Qendrat, ndërsa, në të njëjtën kohë, ofron përvojë profesionale për punëtorët e rinj socialë.
Ky aktivitet është pjesë e Projektit Reagimi nga Emergjencës së COVID-19 dhe Mbështetje për Rimëkëmbje të Hershme, i cili është financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNDP-ja në Kosovë.
Shkruar nga
Vjosa Rakovica Xhemaj
UNDP
Oficer i menaxhimit të informacionit | Njësia e Komunikimit