Vlerësimi i UN Women Zbulon Gjendjen e Buxhetimit Gjinor në Kosovë
![](/sites/default/files/styles/hero_header_2xl_1x/public/2021-10/GRB_3.jpeg?itok=ojV14gHD)
Lansimi i raportit “Vlerësimi i nevojave lokale në lidhje me barazinë gjinore, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe adresimin e nevojave gjatë pandemisë”.
UN Women zbulon gjetjet e një vlerësimi të kohëve të fundit të kapaciteteve, përvojës dhe nevojave të përfaqësuesve të qeverisjes lokale në aplikimin e optikës gjinore në proceset e tyre buxhetore. Vlerësimi zbuloi se janë kryesisht gratë zyrtare që e aplikojnë optikën gjinore në proceset e tyre të buxhetimit, edhe pse në përgatitjen e buxheteve kontribuojnë më shumë burrat
Raporti “Vlerësimi i nevojave lokale në lidhje me barazinë gjinore, buxhetimin e përgjegjshëm gjinor dhe adresimin e nevojave gjatë pandemisë” u prezantua në një event të nivelit të lartë në Prishtinë më 3 shtator. Vlerësimi zbuloi se përderisa zyrtarët në Kosovë janë në një farë mase të njohur me aplikimin e optikës gjinore në procesin e tyre të buxhetimit, ose buxhetimin e përgjegjshëm gjinor (BPGJ), kjo ende nxitet kryesisht nga gratë zyrtare.
Vlerësimi zbuloi se më shumë gra (84 për qind) sesa burra (59 për qind) morën pjesë në punëtori, trajnime dhe vizita studimore të kryera nga programuesit e lidhur me BPGJ-në. Ndërkohë, janë dukshëm më shumë burra (76 për qind) sesa gra (52 për qind) që kanë pasur mundësi të përgatisin ose të kontribuojnë në përgatitjen e buxheteve. Për më tepër, pak vendimmarrës të nivelit lokal dhe anëtarë të kuvendit kanë njohuri të mira se çfarë përfshin buxhetimi i përgjegjshëm gjinor. Këto rezultate tregojnë se çështjet gjinore perceptohen si ‘çështje të grave’ dhe se trajnime dhe punëtori të tilla përfshijnë më shumë gra zyrtare dhe përfaqësuese sesa burrat.
“BPGJ-ja fokusohet në çështjet që shpesh anashkalohen në analizën dhe vendimmarrjen e buxhetimit konvencional”, tha Vlora Tuzi Nushi, Shefe e Zyrës së UN Women në Kosovë. “Këto çështje përfshijnë rolin e punës së papaguar në rezultatet ekonomike dhe sociale, veçanërisht përgjegjësinë disproporcionale që mbajnë gratë për punën e papaguar; si dhe shpërndarjen e burimeve brenda dhe ndërmjet familjeve; dhe shkallën në të cilën gratë dhe burrat marrin pjesë në vendimmarrjen për buxhetin,” tha ajo.
Duke folur në ngjarjen e lansimit, Edi Gusia, Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Barazi Gjinore theksoi se, “Qeveria e Kosovës po mbështet zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor, i cili do të përdoret për të trajtuar problemet, pabarazitë dhe për të arritur intervenime të targetuara në fushat ku mund të bëjmë ndryshime.”
“Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor ka filluar në komunën tonë kohë më parë”, tha në këtë event kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini. “Megjithatë, në komuna ka sfida afatshkurtra dhe vizione afatgjata, të cilat jo gjithmonë janë plotësisht të përputhshme”, tha ai, duke theksuar sfidat me të cilat përballen zyrtarët në komunat si ajo që ai drejton.
Ndërkaq, Qëndron Kastrati, kryetar i Komunës së Kamenicës, theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme që përfaqësuesit dhe vendimmarrësit e nivelit lokal t’i kuptojnë implikimet dhe dallimet gjinore që ekzistojnë kur propozojnë apo votojnë për politika dhe kur përgatitin buxhete.
“Faktorët për zbatimin e suksesshëm të BPGJ-së janë vullneti politik dhe lidershipi, gjithashtu angazhimi i institucioneve publike administrative dhe përmirësimi i kapaciteteve teknike të nëpunësve civilë, si dhe përfshirja e shoqërisë civile, ndarja e të dhënave gjinore dhe përfshirja në diskutime,” deklaroi ai.
Gjatë eventit, pjesëmarrësit patën mundësinë të diskutojnë rëndësinë e BPGJ-së, planifikimin e ardhshëm dhe rëndësinë e sigurimit të shpërndarjes me ekuitet gjinor të burimeve, si dhe kontributin për mundësi të barabarta për të gjithë. Zbatimi i zotimeve drejt barazisë gjinore kërkon masa të qëllimshme për ta përfshirë këndvështrimin gjinor në kornizat e planifikimit dhe buxhetimit, si dhe investime konkrete për adresimin e hendekëve gjinorë.
Për ta përmirësuar situatën, vlerësimi do të shërbejë si bazë për hartimin e një moduli trajnimi për administratën lokale në lidhje me integrimin gjinor dhe BPGJ-në, dhe zbatimin e tij në situata emergjente.
Eventi i lansimit mblodhi së bashku kryetarë të komunave, zyrtarë për barazi gjinore, drejtorë të buxhetit dhe financave dhe akterë të tjerë relevantë. Ai përfundoi me një shprehje të përkushtimit të pjesëmarrësve për avancimin e integrimit të barazisë gjinore në të gjitha fazat e proceseve kombëtare dhe lokale të politikëbërjes dhe buxhetimit.
Vlerësimi u krye në kuadër të projektit rajonal, Transformimi i Financimit për Barazinë Gjinore drejt një Qeverisjeje më Transparente, Gjithëpërfshirëse dhe Llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor. Kjo përpjekje mbështetet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA). Vlerësimi u krye nga UN Women me ndihmën e IDRA Research and Consulting, Kosovë.