Avancimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor
15 Komuna të Kosovës lidhin partneritet me UN Women për avancimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor
Gjatë një ceremonie zyrtare në Prishtinë, 15 Komuna të Kosovës nënshkruan Memorandume të Mirëkuptimit (MM) me UN Women për avancimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor dhe barazisë gjinore në nivel lokal.
Memorandumet e Mirëkuptimit kanë paraparë mbështetjen e UN Women Kosova për komunat nënshkruese për integrimin e perspektivës gjinore në të gjitha programet në nivel lokal, forcimin e kapaciteteve të administratës për t’i përmbushur kërkesat që dalin nga Ligji për Barazi Gjinore, si dhe avancimin e proceseve të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor (BPGJ).
Marrëveshja e bashkëpunimit do ta lehtësojë punën e UN Women për mbështetjen e institucioneve lokale me ngritje të kapaciteteve dhe ndihmë teknike për zbatimin e BPGJ-së dhe integrimin gjinor në programet komunale. Komunat nënshkruese janë Gjakova, Peja, Prizreni, Podujeva, Ferizaj, Gjilani, Mitrovica, Lipjani, Hani i Elezit, Vitia, Klina, Kamenica, Dragashi, Graçanica, dhe Suhareka.
I pranishëm në këtë ceremoni, Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, tha se barazia e plotë mes grave dhe burrave mund të arrihet përmes ndarjes së barabartë të buxhetit dhe se çdo organizatë buxhetore duhet ta zbatojë buxhetimin e përgjegjshëm gjinor. “Mënyra si ndahen shpenzimet publike mund të kontribuojë për uljen e pabarazive gjinore në shoqëri. Kështu, zbatimi me sukses i qasjes së BPGJ-së në kuadër të buxhetit qeveritar dhe komunalë, mund të rrisë efektshmërinë e shpenzimeve publike,” tha ai.
“Për vite me radhë, ne i kemi ofruar ndihmë dhe mbështetje qeverisjeve lokale për ngritjen e mekanizmave dhe realizimin e analizave gjinore për adresimin e nevojave të qytetarëve, grave dhe burrave.
Duke folur në këtë aktivitet, ambasadori i Suedisë në Kosovë, Jonas Westerlund, tha: “U bë kohë që Sida – Agjencia Suedeze për Bashkëpunim për Zhvillim Ndërkombëtar – e mbështet UN Women për avancimin e barazisë gjinore përmes promovimit të BPGJ-së në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor. Kosova po bën përpjekje të mëdha për reforma dhe ne jemi këtu për t’ju mbështetur”.
Duke theksuar efektshmërinë e BPGJ-së, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Arnhild Spence, tha: “Buxheti është me përgjegjshmëri gjinore kur investon në fusha ku gratë janë tradicionalisht të nën-përfaqësuara, përkatësisht arsimi, shëndeti, siguria dhe sigurimi. Planifikimi dhe ekzekutimi i politikave dhe vendimeve për shërbimet, objektet dhe përfaqësimin përqendrohet si tek burrat ashtu edhe gratë, djemtë dhe vajzat.”
“Buxheti është mjeti më i rëndësishëm i politikave të Qeverisjes Lokale dhe është mënyra se si qeverisjet ndajnë resurse për zbatimin e politikave të tyre. Buxheti është edhe tregues i rëndësishëm për masën në të cilën një qeveri është e ndjeshme ndaj gjinisë dhe për vlerën që i jep ajo parimit të barazisë gjinore,” tha Ermira Lubani, Menaxhere e Programit Rajonal për Buxhetim të Përgjegjshëm Gjinor pranë Zyrës Rajonale për Evropën dhe Azinë Qendrore të UN Women.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të programit “Financimi transformues për Barazinë Gjinore drejt një Qeverisjeje më Transparente, Gjithëpërfshirëse dhe Llogaridhënëse në Ballkanin Perëndimor”, i financuar nga SIDA dhe i zbatuar në Kosovë prej vitit 2020.