Në mbështetje të barazisë gjinore: Projekti i financuar nga BE-ja lansohet në Kosovë
13 qershor 2023
Në mbështetje të barazisë gjinore: Projekti i financuar nga BE-ja lansohet në Kosovë
Sot, projekti Gender Equality Facility (GEF) është lansuar zyrtarisht në Kosovë, duke hedhur ështu një hap të rëndësishëm në integrimin e perspektivës gjinore në të gjithë sektorët në Kosovë.
I financuar nga Bashkimi Europian dhe i implementuar nga Zyra e UN Women në Kosovë, kjo iniciativë ka për qëllim që t’i fuqizojë mekanizmat e barazisë gjinore dhe të nxisë zhvillim më të barabartë socio-ekonomik për gratë, burrat, vajzat dhe djemtë në Kosovë.
Projekti Gender Equality Facility shënon një moment tejet të rëndësishëm angazhimin për të arritur barazi gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe me acquis të Bashkimit Europian për barazi gjinore. Me një investim prej 1.5 milionë eurosh nga BE-ja, ky projekt do të shërbejë si katalizator për ndryshim transformativ, duke ndikuar në zhvillimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse që i njeh dhe i promovon të drejtat e të gjithë individëve, pavarësisht gjinisë.
Gjatë fjalimit të tij në këtë ngjarje, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u shpreh optimist se projekti i financuar nga BE-ja do t’i kontribuojë avancimit të barazisë gjinore në Kosovë.
“Projekti Gender Equality Facility që financohet nga Bashkimi Europian e do të implementohet nga zyra e UN Women në Kosovë, do të jetë dora jonë e djathtë në arritjen e objektivave për tu siguruar që jemi në përputhje me direktivat e BE-së për barazi gjinore”.
Duke e konfirmuar mbështetjen e palëkundur të Bashkimit Europian për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimit të grave, Shefi i Seksionit për Bashkëpunim në Zyrën e BE-së në Kosovë, Johannes Stenbaek Madsen, u shpreh optimist karshi progresit signifikant të Kosovës në avancimin e të drejtave të grave dhe vajzave. Duke folur në këtë ngjarje, ai tha:
“Në dy vitet e fundit, Kosova ka bërë hapa të dukshëm sa i përket adresimit të rasteve të dhunës me bazë gjinore, rritjen e përfaqësimit të grave në pozitat vendimmarrëse dhe zbatimin e masave për të nxitur fuqizimin ekonomik të grave. Përderisa progres i dukshëm është bërë, tani institucionet e Kosovës duhet ta përmirësojnë funksionimin e tyre. Zbatimi i ligjeve në fuqi dhe i politikave është i dobët dhe integrimi gjinor në administratë ka nevojë për përmirësim. Angazhimi për avancimin e barazisë gjinore është i domosdoshëm - duke pasur parasysh se gratë përbëjnë 50% të popullsisë – edhe gjatë procesit të stabilizim asocimit”.
Tutje, Arnhild Spence, Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuar anë Kosovë tha se ky projekt i shërben shumë Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Europian.
“Gender Equality Facility është shembull i shkëlqyer i partneritetit të trefishtë në mes OKB-së, BE-së dhe Qeverisë së Kosovës. Duke punuar së bashku, ne po i kontribuojmë avancimit të objektivit të 5-së për Barazi Gjinore të Objektivave të Qëndrueshëm Zhvillimorë dhe progresin e Kosovës karshi përmbushjes së kushteve për anëtarësim në BE, përfshirë harmonizimin e legjislacionit me direktivën e BE-së për bilancin punë-jetë”.
Ndërkaq Vlora Tuzi Nushi, udhëheqësja e Zyrës së UN Women në Kosovë, e shprehu besimin e saj në rezultatet e prekshme që Kosova do t’i arrijë përgjatë implementimit të projektit Gender Equality Facility në vitet në vijim.
Nushi theksoi se ky projekt do të krijojë partneritet të ngushtë me institucionet kryesore publike, duke u fokusuar në reformat sektoriale, strategjitë, programet zhvillimore dhe planet për të siguruar përafrimin me acquis të Bashkimit Europian për Barazinë Gjinore.
“GEF në Kosovë do të shtrihet në tri komponenta për ta fasilituar apo lehtësuar procesin e integrimit të perspektivës gjinore në të gjithë sektorët e planifikimit strategjik në Kosovë, në mënyrë që çdo dokument i ri e strategji e politikë e dizajnuar të jetë në përputhje me ligjet e Bashkimit Europian duke e shtruar kështu në themele të sigurta rrugën drejt integrimit në BE.”
Projekti Gender Equality Facility do të shërbejë do t’i shërbejë qeverisë, organizatave të shoqërisë civile dhe palët e tjera të interesit që kërkojnë të përshpejtojnë progresin drejt përmbushjes së Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm, konkretisht objektivit të pestë për Barazi Gjinore.
Duke e lehtësuar procesin e shkëmbimit të njohurive, dhe duke i mbështetur iniciativat inovative, projekti do të ndikojë në fuqizimin e akterëve relevantë në të gjitha nivelet e qeverisjes për të dizajnuar e implementuar politika të përgjegjshme gjinore në mbarë vendin.