UN-Habitat Fiton Çmimin e Parë në Kategorinë e Inovacionit në Konkursin për Dizajn Urban 2021 (Urban Design Awards)
01 dhjetor 2021
UN-Habitat Kosova fiton çmimin e parë në kategorinë e inovacionit në Urban Design Awards 2021
Projekti Ndërtimi i Paqes në Kosovë, i cili përdori lojën kompjuterike Minecraft dhe përfshiu 70 banorë të Prishtinës për ta transformuar një hapësirë publike të lënë pas dore të qytetit të tyre, u shpërblye me çmimin e parë në kategorinë e inovacionit të Urban Design Awards 2021 në Londër.
Në vlerësimin e tyre, përveç cilësisë dhe mënyrës së prezantimit, anëtarët e jurisë e kanë përshkruar projektin si “një mënyrë e fuqishme, inovative dhe vërtet gjithëpërfshirëse për përfshirjen e komuniteteve që e kanë të vështirë pjesëmarrjen në projektet për dizajnin e lagjeve të tyre”. Projekti Ndërtimi i Paqes në Kosovë u zgjodh fitues në mesin e finalistëve nga University College London dhe Oxford Brookes University.
Projekti, i zbatuar nga UN-Habitat Kosova, Fondacioni Block-by-Block dhe Komuna e Prishtinës, u fokusua në lokacionin e një ish-tregu të gjelbër në Kodrën e Diellit, një nga lagjet më të mëdha dhe më të populluara të Prishtinës. Strukturat e përkohshme të tregut të zonës ishin hequr, duke lënë një hapësirë të braktisur, të mbuluar me beton, e cila përdorej rrallë nga 4000 banorët e komunitetit.
Në shtator 2015, më shumë se 70 banorë të Prishtinës morën pjesë në një punëtori të organizuar nga Block-by-Block për ridizajnimin e ish-tregut të Kodrës së Diellit. Pas diskutimeve fillestare mbi dizajnin urban dhe rëndësinë e hapësirave publike, pjesëmarrësit u ndanë në ekipe të vogla për të modeluar zgjidhje të ndryshme. Më pas pjesëmarrësit bashkë-krijuan dizajnin përfundimtar në një server Minecraft me shumë lojtarë, bazuar në idetë e krijuara nga ekipet. Dizajnet iu prezantuan një audience të gjerë të profesionistëve urbanë, duke përfshirë edhe kryetarin e Prishtinës. Koncepti përfundimtar përmbante një sërë objektesh që adresonin nevojat e grupeve të ndryshme, duke përfshirë kopshte, vende të rehatshme pushimi, një shesh lojrash dhe parkun e parë për skateboard në Kosovë.
Në vitin 2020, ne e rivizituan lokacionin dhe folëm me shumë prej banorëve që ishin të përfshirë në punëtorinë origjinale. Jo vetëm që ata ende po e përdornin dhe kujdeseshin për hapësirën publike që kishin dizajnuar, por projekti kishte frymëzuar një tjetër zhvillim të hapësirës publike në veri të Prishtinës.