Rinia Krijon të Ardhmen e Eko-turizmit në Kosovë
Ndryshimet klimatike po krijojnë barrë të rëndë mbi ekosistemet dhe mjetet e jetesës.
Teksa efektet e tyre vazhdojnë të përkeqësohen, industria e turizmit – si të gjitha mënyrat e jetesës dhe industritë – është vazhdimisht e detyruar të përshtatet. Duke qenë një sektor i rëndësishëm ekonomik, turizmi kontribuon në emetimet e gazrave serrë nëpërmjet shërbimeve që lidhen me udhëtimin, akomodimin dhe gastronominë. Sipas studimit të UNWTO/ITF të vitit 2019, emetimet e dyoksidit të karbonit nga aktivitetet e turizmit mund të rriten për 25% ose më shumë deri në vitin 2030. Kjo është arsyeja pse Deklarata e Glasgout bëri thirrje për veprime urgjente për uljen e emetimeve të lidhura me turizmin. Dekada e Veprimit Klimatik në Turizëm përfshin zotimin për uljen për 50% të emetimeve të lidhura me turizmin deri në vitin 2030. Turizmi është i pozicionuar mirë për t’i adresuar ndryshimet klimatike, por që kjo të ndodhë, duhet të adoptohet një vizion dhe një qasje e re në mbarë industrinë. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për sektorin e turizmit të Kosovës, progresi i të cilit u ndërpre në vitin 2020 me një rënie të qarkullimit prej 50% dhe miliona të humbura në të hyra për shkak të pandemisë COVID-19.
Teksa Kosova e rikoncepton zhvillimin e turizmit përmes optikës së qëndrueshmërisë, po lëvizim drejt eko-turizmit, një sektor i turizmit me ndikim të ulët ndaj ekosistemeve dhe mjeteve të jetesës, por që ofron njëkohësisht mundësi ekonomike për popullatën lokale. Ky paraqet një momentum të rëndësishëm për bizneset turistike të interesuara ta shfrytëzojnë eko-inovacionin për të rritur përfitimet e tyre ekonomike, duke sjellë edhe përfitime pozitive për komunitetet e tyre pritëse. UNDP në Kosova ka bashkuar forcat me Sustainable Leadership Kosova dhe Venture UP, për të kontribuar në zhvillimin e eko-turizmit në Kosovë përmes Programit Qendra e Gjelbër. Kjo përpjekje e përbashkët mbështet NMVM-të ekzistuese të turizmit në Kosovë për rimëkëmbje nga pandemia duke mësuar të përdorin praktika të qëndrueshme mjedisore.
Por spektri i Programit nuk mbaron me kaq. Drejtuesit e Qendrës së Gjelbër janë të rejat dhe të rinjtë e pasionuar dhe të orientuar drejt inovacionit, të cilët po punojnë në kuadër të Inkubatorit Rinor për të hartuar iniciativa të reja për eko-turizëm. Nën mentorimin 8 javor të Venture UP, 13 ekipe të të rinjve kanë arritur t’i prezantojnë me sukses idetë e tyre ndërmarrëse dhe të paraqesin prototipet e tyre para ekspertëve kryesorë të fushës. Rezultatet nga kjo fazë e inkubacionit kanë shpalosur se e ardhmja e eko-turizmit në Kosovë është në duart e tyre. Tri ekipeve premtuese u është dhënë financimi fillestar për t’i lansuar iniciativat e tyre inovative
Bee Park Kosova është start-up-i i parë fitues i bletarëve të rinj që zhvillon një Park të Bletëve të vetë-qëndrueshëm në një kohë kur rënia e këtyre specieve po rrezikon ekosistemet tona dhe po e varfëron popullsinë. Falë Petar Gjorgjeviq dhe Lidija Masiq, turistët në Kosovëve dhe vizitorët lokalë do të jenë në gjendje të bëjnë glamping, të provojnë produktet e bletëve, të mësojnë për botën magjepsëse të bletëve dhe praktikën e bletarisë, si dhe të bëjnë apiterapi – përdorimin e produkteve të bletëve – për përfitime të shtuara shëndetësore.
Dy entuziastë të mekatronikës, Fitim Halimi dhe Ermira Thaqi, morën çmimin e dytë duke prezantuar një pajisje udhëzuese audio për të përmirësuar përvojën e vizitorëve në muze dhe për të tërhequr turistët në qytetin e Prizrenit. “Në diskutimin me muzeologët, ne kuptuam se ka nevojë urgjente për ta rishikuar mënyrën si i dizajnojmë përvojat muzeale për hir të vlerave tona historike dhe kulturore. Teknologjia që ne po zhvillojmë do të sigurojë një rrëfim koherent mbi artefaktet e muzeut në shumë gjuhë për turistët dhe vizitorët lokalë”, tha Fitimi.
Ekipi i tretë fitues, Baton Isniqi dhe Betine Baleci, po përpiqen ta drejtojnë mentalitetin lokal drejt zgjedhjeve mbështetëse ndaj mjedisit përmes start-up-it të tyre të quajtur Frymë. Ata kanë krijuar një mbështjellës për ushqime, të quajtur UMMA, i cili është i biodegradueshëm, i punuar me dorë, dhe që mund të lahet. Kjo ka potencialin të minimizojë mbeturinat në zonat natyrore dhe pritet të jetë artikulli i preferuar për të gjithë bjeshkatarët e pasionuar që vizitojnë malet idilike të Kosovës gjatë gjithë vitit.
Si shtesë e Programit, ekipet e kualifikuara të të rinjve do të lidhen me NMVM-të që kanë përfituar grante nga Qendra e Gjelbër, për t’u ndihmuar për digjitalizimin. Pothuajse gjysma e NMVM-ve turistike, pjesë e analizës së vlerësimit të nevojave nga Qendra e Gjelbër dhe të kryer nga SLK Kosova, deklaruan se nuk angazhohen në aktivitete promovuese dhe marketingu për shkak të kostove të larta. Për më tepër, disa prej tyre nuk i kanë shkathtësitë e nevojshme digjitale. Këtu hyn rëndësia e krijimit të lidhjeve me tregun. Pjesëmarrësit të rinj të Qendrës së Gjelbër do të prezantojnë strategji dhe taktika të marketingut digjital për rritjen e klientelës dhe shumë më tepër.
Eko-turizmi në Kosovë do të lulëzojë me të rejat dhe të rinjtë vizionarë, të cilët vazhdojnë të demonstrojnë shkathtësi dhe aftësi të forta për të sjellë në jetë zgjidhje të reja që kontribuojnë në tranzicionin e gjelbër të Kosovës. Falë njohurive dhe pasionit të të rinjve, ne po shikojmë me krenari të ardhmen më të qëndrueshme të (eko)turizmit në Kosovë.