Përfshirja e Babait në Kujdesin ndaj Fëmijëve është Thelbësore që Fëmijët ta Arrijnë Potencialin e Tyre
22 qershor 2022
Sërgjan Gjukiq nga Zubin Potoku përfshihet përditë në aktivitete me dy vajzat e tij.
Zubin Potok, 1 qershor – Vitet e të fëmijërisë së hershme janë një kohë e mundësive të mëdha. Kjo është koha kur truri i fëmijëve zhvillohet më shpejt, pasi ata ndërveprojnë me mjedisin dhe personat që i rrethojnë.
Këtu hyn roli i prindërve, i të dyve. Truri dhe aftësitë e fëmijëve mund të zhvillohen më së miri me mbështetjen dhe drejtimin e prindërve.
Fatkeqësisht, të dhënat na tregojnë se është ende e ulët përfshirja e të dy prindërve në prindërimin praktik në Kosovë. Sipas të dhënave më të fundit të AGTSH-së, në përgjithësi 63 për qind e fëmijëve 2-4 vjeç angazhohen me anëtarët e rritur të familjes në aktivitete që ofrojnë stimulim të hershëm, ndërsa nënat kanë katër herë më shumë gjasa se baballarët të angazhohen me fëmijët e tyre të moshës 2-4 vjeç në aktivitete që nxisin të nxënit.
Sërgjan Gjukiq, baba i dy vajzave nga komuna e Zubin Potokut, e ka sfiduar këtë trend. Ai është një model që tregon se sa i rëndësishëm është angazhimi i baballarëve në jetën e fëmijëve të tyre. Së bashku me gruan dhe dy vajzat e tij, Ninën 2 vjeçare dhe Elenën 4 vjeçare, ai mori pjesë në festën e 1 qershorit për Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve, të organizuar nga UNICEF në bashkëpunim me komunën e Zubin Potokut.
“Është e rëndësishme, sepse ne u ofrojmë udhëzime fëmijëve tanë se si ta zgjedhin rrugën e duhur në jetë dhe gjithashtu krijojmë për ta një hapësirë të sigurt dhe të shëndetshme për zhvillimin e tyre që në fillim”, tha Sërgjani.
Sërgjan është mësues i muzikës në shkollën fillore dhe beson se arti dhe loja janë thelbësore për zhvillimin e hershëm të fëmijëve. Ai kujdeset që çdo ditë t’u lexojë, t’i ushqejë dhe të luajë lojëra me vajzat e tij.
“Punoj që herët në mëngjes, çka do të thotë se gjatë ditës gruaja ime është më e angazhuar me Ninën, ndërsa Elena shkon me mua në shkollë. Megjithatë, përpiqem të kaloj 2.5 orë në ditë me vajzat e mia me lojëra edukative, duke luajtur me lodra etj.”, thotë ai.
Maja, bashkëshortja e tij, thotë se është e rëndësishme që të dy prindërit të jenë aktivë dhe të përfshirë në prindërim.
“Edhe pse është i angazhuar dhe shumë i zënë në punë, ai gjithmonë dhe përditë e gjen një mënyrë për të kaluar kohë me vajzat tona, dhe kjo është diçka që unë e shoh si veprim të rëndësishëm nga ana e tij, sepse fëmijët kanë nevojë për të dy prindërit në procesin e të nxënit”, tha Maja.
Maja është shtëpiake dhe për të është shumë e rëndësishme që të ketë pak kohë për veten, pasi është shumë e angazhuar gjatë gjithë ditës me punët e shtëpisë.
“Unë nuk punoj (jashtë shtëpisë), prandaj jam më e angazhuar me Ninën nga mëngjesi deri në fund të ditës, por prania dhe përfshirja e bashkëshortit pas punës më ndihmon që të kem kohë edhe për veten time” tha ajo.
Në një deklaratë të lëshuar më 1 qershor, UNICEF-i theksoi se, si në shumë vende të botës, fëmijët në Kosovë ende përballen me efektet e vazhdueshme të pandemisë COVID-19, e cila e ka përmbysur progresin e arritur gjatë dekadave të tëra në aspektin e qasjes në shërbime të kujdesit shëndetësor, edukimit dhe të ushqyerit, si dhe ka kërcënuan mirëqenien mendore të fëmijëve dhe prindërve.
Manifestimi i 1 qershorit, i cili shënon edhe fillimin e muajit të prindërimit, mblodhi së bashku 500 fëmijë dhe prindër nga shkollat parashkollore dhe fillore nga komuna e Zubin Potokut për të promovuar rëndësinë e prindërimit pozitiv dhe mbështetjen e komunitetit për zhvillimin e fëmijërisë së hershme.
Krahas investimeve dhe politikave të drejta të qeverisë, vendimtare është edhe mbështetja e prindërve gjatë gjithë kohës, veçanërisht në kohë të vështira. Investimet që mbështesin zhvillimin e fëmijërisë së hershme hedhin themelin për përmirësimin transformues të rezultateve për fëmijët e vegjël dhe familjet e tyre. Inovacioni digjital që i mbështetet prindërit, si aplikacioni i prindërimit Foleja, ofron mbështetje të targetuar për prindërit dhe përfshin të gjitha fushat e zhvillimit të fëmijëve, duke rritur kështu të kuptuarit e rëndësisë kritike të një mjedisi mbështetës, të shëndetshëm dhe stimulues.