UN-Habitat lansoi projektin e Korridorit të Gjelbër në kuadër të Manifesta 14
Së bashku me Komunën e Prishtinës, Manifesta-n, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, UN-Habitat inauguroi “Korridorin e Gjelbër” të Prishtinës prej 1.3 km gjatë hapjes së Bienales Nomade Evropiane, Manifesta 14.
UN-Habitat, Manifesta 14 dhe Carlo Ratti Associati, punuan me Komunën e Prishtinës që përmes projekteve të intervenimeve urbane në hapësirat publike ta mbështetur ndryshimin shoqëror, i cili përbën thelbin e kësaj nisme të realizuar për herë të parë në vend.
Ky projekt aspiron jo vetëm të rikuperojë një pjesë të hekurudhës së papërdorur dhe ta kthejë atë në infrastrukturë fizike të gjelbër dhe të qasshme, por mbi të gjitha ta kthejë në hapësirë publike të integrimit të komunitetit në kryeqytet, duke u lejuar qytetarëve t’i rifitojnë hapësirat e tyre publike. Ky projekt është përkrahur edhe nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Korridori i Gjelbër lidh katër lagje të Prishtinës dhe synon të rehabilitojë linjën e papërdorur hekurudhore. Iniciativa e transformon sipërfaqen prej 5200 m2 në hapësirë të hapur publike që do të përfshijë korsi për këmbësorë, zona rekreative dhe pika të gjelbra që lidhin Fabrikën e Vjetër të Tullave dhe shkollën fillore “Qamil Batalli”, e njohur si Shkolla Model, me Pallatin e Rinisë dhe Sportit.
Zbatimi i këtij projekti ka përfituar edhe nga kontributet e punëtorive Minecraft, të zbatuara përmes iniciativës Block-by-Block, një partneritet mes Mojang, zhvilluesit të Minecraft, Microsoft-it dhe UN-Habitat-it. Kryetari Përparim Rama ndau mirënjohje për fëmijët pjesëmarrës në procesin e dizajnit gjatë punëtorive Minecraft, duke e vlerësuar angazhimin dhe punën e tyre.
Ky projekt zbatohet nga UN-Habitat me mbështetjen financiare të Qeverisë së Suedisë, Komunës së Prishtinës dhe Fondacionit Block-by-Block.
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
UN-Habitat
Programi i Kombeve të Bashkuara për vendbanimet njerëzore