BLACKOUT MAY: Shënohet Dita Botërore e Lirisë Së Shtypit
03 maj 2021
Shënimi i Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “BLACKOUT MAY” për të reflektuar së bashku për gjendjen e lirisë së shtypit dhe etikën profesionale.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Koordinatoren Për Zhvillim të Bashkuara në Kosovë (UNDCO) dhe Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, shënuan Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit me moton “BLACKOUT MAY”. Motoja e këtij viti shërben si thirrje për të gjitha institucionet që të reflektojnë së bashku për gjendjen e lirisë së shtypit dhe etikën profesionale.
Për ta shënuar këtë ditë, u zhvillua një event me disa aktivitete me qëllim avokimin për lirinë e medias dhe krijimin e një mjedisi të lirë dhe të sigurt për gazetarët/punonjësit e medieve. Rasti shërbeu si platformë për të kujtuar të gjithë gazetarët që humbën jetën ose u zhdukën gjatë periudhës 1998-2005 në Kosovë, pasuar nga kërkesa për institucionet që të mbështesin të vërtetën, saktësinë dhe transparencën. Gjithashtu, rëndësi iu kushtua përmirësimit të qasjes së duhur në informacion, duke përfshirë dokumentet zyrtare, siç garantohet me ligj.
Gjatë ditës, në një ekran gjigant LED të vendosur para Kuvendit të Kosovës nën kujdesin e AGK-së, u shfaq një përmbledhje e mesazheve të akterëve lokalë dhe ndërkombëtarë që bënin thirrje për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve. Veç kësaj, në bashkëpunim me partnerët e vet AGK organizoi një tryezë të rrumbullakët (virtuale dhe me prezencë fizike) me temën “Sfidat e lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve në Kosovë”. Kjo përfshiu pjesëmarrjen e ambasadorëve, përfaqësuesve relevantë të medieve dhe shoqërisë civile.
Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e OKB-së, foli për rolin e rëndësishme të gazetarëve në shoqërinë tonë. “Gazetarët kanë një rol shumë të privilegjuar në shoqëritë tona, ata kanë veshin dhe besimin e njerëzve, dhe që natyrisht kjo vjen me një përgjegjësi të madhe për të qenë në gjendje të japin informacion në mënyrë të paanshme dhe të pavarur sa më shumë që të jetë e mundur. Tani, me këtë vijnë edhe përgjegjësitë e institucioneve që kanë për të siguruar që ekzistojnë kushtet e duhura që gazetarët të kryejnë profesionin e tyre, e që është profesion Nobel”, tha ajo.
Ambasadori Michael Davenport, Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, iu adresua konferencës përmes një video mesazhi, me ç’rast u bëri thirrje medieve që ta luftojnë keqinformimin duke raportuar drejt dhe me fakte.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett, deklaroi se “Një shtyp i gjallë, i lirë – që e informon publikun, fuqizon zërat e ndryshëm dhe mban përgjegjës zyrtarët publikë – është përbërësi themelor në çdo demokraci të qëndrueshme. Gazetarët e meritojnë respektin dhe mbrojtjen tonë. Kërcënimet dhe sulmet ndaj tyre janë sulme ndaj vetë demokracisë”.
Lars-Gunnar Wigemark – Shef i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit gjatë fjalimit të tij tha se liria e medieve nuk duhet të merret e mirëqenë, por duhet të mbrohet si njëra nga shtyllat kryesore të shoqërisë.
Në lidhje direkte ishte edhe Ambasadorja Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI-së në Kosovë, e cila u shpreh: “Gazetarët janë në vijën e parë të frontit në mbrojtje të demokracisë dhe padyshim jeni pushteti i katërt... Ju dhe mediet keni një rol kyç në mbajtjen e stabilitetit demokratik dhe për të ju kërkuar liderëve llogaridhënie”.
Para të pranishmëve për lirinë e medieve dhe sigurinë e gazetarëve, u adresua edhe Kryetarja e Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli Pustina. “I keni parë edhe vetë ju, me sa lehtësi sulmohen fizikisht kolegët tanë, ne mes të ditës, e në qendër të Prishtinës. Për organet e drejtësisë e kemi përgjigjen e zakonshme “ hetimet vazhdojnë”... shoqërisë civile, gazetarëve, e mekanizmave ndërkombëtarë që veprojnë në Kosovë na mbetet që të vazhdojmë ta ngrisim zërin për domosdoshmërinë e përmirësimit të klimës së të bërit gazetari”, tha ajo.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës për media, foli për çështjet që dalin nga keqkuptimi i institucioneve të Kosovës, përfshirë të drejtat e gazetarëve për të raportuar dhe mbrojtur burimin e informacionit. Gazetari Betim Musliu foli për vështirësitë e përballjes me raportimin e sulmeve fizike ndaj gazetarëve. Gazetari Darko Dimitrijeviq foli për një nivel shtesë të vështirësisë për gazetarët nga komunitetet jo-shumicë në Kosovë, veçanërisht në lidhje me sigurinë e tyre fizike.
Në këtë 3 maj, u përkujtuan edhe gazetarët e vrarë dhe të pagjetur gjatë dhe nga viti 1998 deri në vitin 2005 në Kosovë, me një video të posaçme përkujtuese nën sloganin “Të vërtetën e keni para syve”.
Në panelin diskutues përmes platformës Zoom, gjithashtu ishin të pranishëm:
Nancy Soderberg – Drejtoreshë e Lartë e NDI për Kosovën,
Ricardo Gutiérrez – Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve,
Imer Mushkolaj – Drejtor i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës,
Ardiana Thaçi – Gazetare,
Betim Musliu – Gazetar,
Darko Dimitrijeviq – Gazetar,
Flutura Kusari – Juriste e së drejtës së medias.
Diskutimin e plotë virtual mund ta shikoni në këtë vegëz:LINK
Shkruar nga
Shpend Qamili
DCO
Zyrtar i Koordinimit për Zhvillim, Komunikim i Programeve, Këshillim dhe Përfshirje