Drejt Energjisë Së Pastër, Hap Pas Hapi
Premtimi i potencialit të energjisë solare në Kosovë
Dielli siguron energji më shumë se të mjaftueshme për t’i përmbushur të gjithë kërkesat e botës për energji. Në fakt, energjia solare dhe prej erës ka kapacitet 100 herë më të madh se kërkesa globale për energji! Teksa përdorimi i energjisë solare ka qenë mjaft i kufizuar në Kosovë deri më sot, dalëngadalë po shohim përparim pozitiv në shfrytëzimin e këtij potenciali të madh. Urgjenca për të ecur drejt zhvillimit me karbon të ulët - dhe në fund të fundit, neutralitetit të karbonit - së bashku me uljen e madhe të kostove të teknologjisë, po e bëjnë energjinë solare një burim tërheqës energjie, duke u bërë në fakt zgjidhja me kosto më të ulët në shumë raste.
Prodhimi i energjisë është kontribuuesi më i madh në ndryshimet klimatike. Përdorimi i karburanteve fosile – në rastin e Kosovës, djegia e thëngjillit, ndikon dukshëm edhe në cilësinë e ajrit që thithim – duke ndikuar në shëndetin, mirëqenien dhe jetesën tonë. Largimi nga thëngjilli drejt burimeve më të pastra të energjisë do ta përmirësojë cilësinë e ajrit dhe do t’i bëjë qytetet më të shëndetshme dhe më të jetueshme. Trajtimi i ndryshimeve klimatike është me rëndësi kritike për një të ardhme të qëndrueshme. Për ne si UNDP, ky është një nga prioritetet tona kyçe. Kalimi nga karburantet fosile në energjinë e pastër është e vetmja mënyrë që bota t’i trajtojë në mënyrë efektive ndryshimet klimatike. Energjia solare dhe prej erës, plus deponimi i energjisë, do ta ulin në të njëjtën kohë koston e energjisë në planin afatgjatë.
Projekti i UNDP-së “Mbështetje për Prizrenin e Qëndrueshëm – Inicimi i VDKZ-ve Urbane (Veprimet e Duhura Kombëtare për Zbutje)” ka qenë një projekt pionier në Kosovë për rritjen e veprimit për klimën në nivel lokal. Projekti është financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) me bashkëfinancim nga Komuna e Prizrenit dhe UNDP-ja. Ai ka mbështetur zhvillimin e një plani investimi ndërsektorial për të reduktuar emetimet e gazeve serë (GS) përmes një qasjeje pjesëmarrëse – bazuar në inventarin e kryer të GS-ve. Nëpërmjet krijimit të Qendrës për Rritje të Gjelbër, janë lehtësuar partneritetet publiko-privat. Një nga aktivitetet pilot ka përfshirë instalimin e një sistemi solar fotovoltaik (FV) në kulmin e ndërtesës së Komunës së Prizrenit. Panelet solare do të prodhojnë rreth 30% të energjisë që i nevojitet Ndërtesës së Komunës.
Faton Çitaku, Inxhinier i Energjisë së Ripërtërishme që punon me Fabrikën Solare Jaha, na tregon për rëndësinë e kësaj përpjekjeje: “Përafërsisht 97% e nevojave të Kosovës për energji elektrike sigurohen nga dy termocentrale: Kosova A dhe Kosova B të cilat përdorin thëngjillin si lëndë djegëse. Edhe pse kohëve të fundit janë bërë investime të mëdha në filtra për të reduktuar substancat e dëmshme që çlirohen nga procesi i djegies së thëngjillit, Kosova ende pëson ndotje të konsiderueshme nga këto dy termocentrale. Fatkeqësisht, deri në vitet e fundit, ka pasur vëmendje të kufizuar ndaj ndikimeve mjedisore.”
Panelet solare prodhojnë energji elektrike duke e transformuar në energji elektrike rrjedhën e vazhdueshme të energjisë nga dielli. Është kaq e thjeshtë! Megjithatë, ky proces kërkon investime dhe Kosova është në pozitë të mirë për t’u bërë e qëndrueshme në këtë fushë. Z. Çitaku e konfirmon këtë:
Potencialet e Kosovës për gjenerimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme, më konkretisht nga sistemet fotovoltaike, janë të konsiderueshme dhe shumë të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit. Vendndodhja gjeografike e Kosovës konsiderohet relativisht e mirë për zbatimin e sistemeve fotovoltaike - çka do t’i bëjë ato shumë fitimprurëse. Kosova ka më shumë se 270 ditë me diell në vit. Kosova është në pozitë shumë të favorshme për të vazhduar shfrytëzimin e potencialit të saj të energjisë solare.
Në vend që ta shikojmë diellin si një blerje që ka një kosto, panelet solare mund të shihen si një investim. Kjo kërkon edhe njohuri dhe përvojë ndërkombëtare. Michael Gold, Drejtor Menaxhues i Crimson Capital, ka eksploruar potencialet e sistemit të energjisë solare në Kosovë:
“Kosova e merr pjesën më të madhe të energjisë elektrike nga termocentralet e saj A dhe B me thëngjill. Edhe me këto termocentrale, Kosova nuk ka energji të mjaftueshme për t’i përmbushur nevojat e qytetarëve dhe bizneseve të saj. Në të njëjtën kohë, Kosova është zotuar të rrisë përqindjen e energjisë së saj nga burimet e gjelbra dhe të qëndrueshme si panelet fotovoltaike, era dhe biomasa, sipas Traktatit të Kartës së Energjisë. Deri kohët e fundit, ka pasur një numër shumë të kufizuar të sistemeve të energjisë solare të instaluara në Kosovë, por kjo tani ka filluar të ndryshojë,” tha zoti Gold.
Ai mendon se si akterët publikë dhe privatë, ashtu edhe familjet, duhet të vetëdijesohen më shumë për mundësitë dhe përfitimet ekonomike nga instalimi i sistemeve FV. Për ta përshpejtuar përvetësimin e sistemeve të reja FV kërkohet koordinim mes amvisërive, bizneseve dhe prodhuesve të pavarur të energjisë (PPE) që instalojnë panele solare, si dhe konsulentëve lokalë për energji dhe financa dhe institucioneve financiare. “Dituria është fuqi.”
Z. Gold na tha se për PPE-të solare, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) duhet të finalizojë një procedurë të re për autorizimin e PPE-ve të reja. Ajo duhet të përcaktojë çmimin e energjisë elektrike me të cilën PPE-ja mund ta shesë energjinë e vet solare. “ZRRE aktualisht është duke zhvilluar, me mbështetjen e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), një procedurë të re të ankandit për realizimin e kësaj. Për bizneset, ndërtesat publike dhe amvisëritë që do ta konsumonin vetë energjinë solare që do të prodhonin dhe nuk do të kalonin asnjë pjesë të saj në rrjetin elektrik, ata mund t’i instalojnë panele solare që tani. Në rast se ata dëshirojnë ta kalojnë në rrjet tepricën e energjisë për t’i ulur më tej kostot e tyre të energjisë, do të ishte e dobishme që ZRRE-ja ta rrisë madhësinë e projekteve që kualifikohen për atë që quhet njehsim neto, ku përdoruesi merr një kompensim për tepricën e energjisë solare të prodhuar që ata e kalojnë në rrjetin elektrik. Tavani aktual është 100 kW. Rekomandohet që kjo të rritet në të paktën 400-500 kW”, tha z. Gold.
Sipas z. Gold, rritja ekonomike kërkon disponueshmërinë e energjisë së mjaftueshme. Rritja e instalimeve solare do të krijojë vende pune cilësore për prodhuesit e paneleve solare, instaluesit dhe personelin e mirëmbajtjes. “Veç kësaj, do t’i mbështesë sektorë të tjerë, si industria e përpunimit të metaleve për strukturat mbështetëse metalike, gypat, etj. Në përgjithësi, rritja e përdorimit të energjisë solare do të krijojë shitje të reja dhe vende pune, ndërsa do ta bëjë më të gjelbër ekonominë dhe Kosovën në tërësi, si dhe do t’u ulë kostot e energjisë për bizneset dhe amvisëritë që instalojnë sisteme solare”, tha ai.
USAID-i, përmes projektit të tij për Sigurinë e Furnizimit me Energji Elektrike në Kosovë (KESS) ka kryer një analizë gjithëpërfshirëse të sektorit aktual të energjisë solare në Kosovë dhe potencialit të tij për të ardhmen, dhe ka bërë rekomandime për kornizën rregullative për ta përshpejtuar përvetësimin e mëtejshëm të energjisë solare. Një gjetje e rëndësishme e studimit është se instalimi i paneleve solare është i përballueshëm dhe me kosto efektive për shumë amvisëri dhe biznese, dhe se me çmimet dhe kushtet aktuale ky veprim mund të financohet nga bankat lokale dhe institucionet mikrofinanciare.
UNDP-ja NË KOSOVË E BËN ÇKA THOTË – KALIMI NË ENERGJI SOLARE
Si UNDP, ne jemi të vendosur ta reduktojmë gjurmën tonë të karbonit – dhe si organizatë, ne kemi bërë ecur mirë në rrugën drejt UNDP-së “më të gjelbër”. UNDP-ja në Kosovë e ka monitoruar nga afër konsumin tonë të energjisë dhe emetimet e karbonit gjatë viteve të fundit, dhe ka kërkuar në mënyrë aktive zgjidhje për reduktimin e emetimeve tona.
UNDP-ja në Kosovë është krenare që është në mesin e 20 zyrave të UNDP-së në mbarë botën, nga pothuajse 170 në botë, që ka instaluar panele solare për të reduktuar gjurmën tonë të karbonit.
Sapo ka përfunduar instalimi i një sistemi FV 27 kWp të lidhur në rrjet. Ai pritet të sigurojë rreth 24% të kërkesës totale për energji elektrike të Shtëpisë së OKB-së në Prishtinë, ku gjenden disa subjekte të OKB-së. Sistemi do të na lejojë t’i zvogëlojmë emetimet tona të CO2 për përafërsisht 36 ton në vit (që do të thotë reduktim 22% i emetimeve të CO2), duke e reduktuar në mënyrë efektive gjurmën e karbonit të UNDP-së në Kosovë dhe barrën mbi mjedisin. Zyra gjithashtu do të jetë më pak e varur nga rrjeti i Kosovës për furnizim me energji elektrike dhe do të ketë fatura të reduktuara të energjisë elektrike. Ky investim u mundësua përmes mbështetjes së marrë nga Ekipi i UNDP-së për Zgjidhje të Energjisë së Gjelbër.
Presim me padurim që furnizimi me energji në Kosovë të bëhet më i gjelbër gjatë dy-tre viteve të ardhshme!