Komuna e Vushtrrisë Fillon Zhvillimin e Raportit të Parë Vullnetarë të Shqyrtimit Lokal në Kosovë
25 shkurt 2022
Raporti i Parë Vullnetarë i Shqyrtimit Lokal në Kosovë, i vendos qytetarët, planetin, prosperitetin dhe paqen, në zemër të veprimit lokal për OZHQ-të
Komuna e Vushtrrisë, në partneritet me UN-Habitat Kosova dhe UNKT, organizuan “Punëtorinë Fillestare për Shqyrtimin Vullnetar Lokal (SHVL) të Vushtrrisë – Udhërrëfyesi drejt arritjes së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZHQ) deri në vitin 2030”, duke e lansuar Vushtrrinë si komunën e parë të Kosovës që prodhon një SHVL, si dhe duke iu bashkuar komunitetit ndërkombëtar të kësaj praktike si komuna e 117-të në nivel global që prodhon një raport të tillë që demonstron përkushtimin ndaj avancimit të zbatimit të OZHQ-ve në nivel lokal.
Punëtorinë e hapën z. Ferit Idrizi, kryetar i komunës së Vushtrrisë, znj. Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim, z. Omar Siddique, Udhëheqës i Zyrës së UN-Habitat Kosova, znj. Fatmire Kollçaku, Kryetare e Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm, dhe znj. Learta Hollaj, Këshilltare për Zhvillim të Qëndrueshëm e Presidentes së Kosovës. Në punëtorinë nismëtare u mblodhën edhe palët relevante të interesit si: Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, agjencitë qendrore (përfshirë Agjencinë e Statistikave të Kosovës), përfaqësues nga të gjitha drejtoritë komunale, anëtarë të ndryshëm të shoqërisë civile, sektori privat, sektori akademik dhe pjesëtarë të komuniteteve të ndryshme etnike që banojnë në komunë.
Qëllimi i punëtorisë ishte të ofrohej një mundësi për palët lokale të interesit që përgatisin Raportin e SHVL-së për Vushtrrinë, në mënyrë që ta kuptojnë rëndësinë e OZHQ-ve dhe Raporteve të SHVL-së, përfitimet e prodhimit të një SHVL-je dhe mënyrat si do të ndikojë ky raport në zbatimin e Planit Zhvillimor Komunal dhe prioriteteve të Komunës për investime. Punëtoria identifikoi dhe validoi 8 OZHQ-të e mëposhtme si fokusi kryesor i SHVL-së për komunën:
OZHQ 1, Pa Varfëri
OZHQ 2, Zero uri
OZHQ 3, Shëndet i Mirë dhe Mirëqenie
OZHQ 4, Arsim Cilësor
OZHQ 5, Barazi Gjinore
OZHQ 7, Energji e Përballueshme dhe e Pastër
OZHQ 8, Punë e Denjë dhe Rritje Ekonomike
OZHQ 11, Qytete dhe Komunitete të Qëndrueshme
Secili prej këtyre objektivave dhe caqeve përkatëse u kontekstualizuan më tej në kuadër të kontekstit lokal. Për sa u përket treguesve, në punëtori u identifikuan edhe hendekët në të dhëna dhe ofruesit e të dhënave për përgatitjen e ardhshme të SHVL-së.
Shqyrtimi Vullnetar Lokal për Vushtrrinë hap rrugën për komunat e tjera në Kosovë që ta kuptojnë më mirë pozitën e tyre aktuale në arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, duke theksuar fushat ku nevojiten veprimet më urgjente dhe duke u lejuar t’i bashkohen bashkëbisedimit global për zhvillim të qëndrueshëm.
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
IOM
Organizata Ndërkombëtare për Migracionin
UN-Habitat
Programi i Kombeve të Bashkuara për vendbanimet njerëzore
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët