“HOLAMO QHAVORO” PROMOVON GJUHËN DHE VLERAT E TRASHËGIMISË ROME
“Djaloshi Kokëfortë”, një shfaqje teatrale për fëmijë, e shkruar fillimisht në gjuhën turke dhe e përshtatur në gjuhën rome.
‘Qendra Rinore’ në Prizren gumëzhinte si zgjua bletësh. Nxënës të shkollave, prindër, si dhe përfaqësues të skenës artistike dhe teatrale të komuniteteve rom dhe turk të Kosovës prisnin me entuziazëm fillimin e “Djaloshi Kokëfortë”, një shfaqje teatrale për fëmijë, e shkruar fillimisht në gjuhën turke dhe e përshtatur në gjuhën rome.
Melisa, aktorja që luan rolin e “Gitës” në shfaqje, ngjitet në skenë me lëvizje të gjalla, e ndjekur nga një duartrokitje e gjatë. Shumë shpejt asaj iu bashkuan edhe dy shokët e saj, “Anandi” dhe “Akbari”, dhe të gjithë janë pak të shqetësuar nga sjellja e njërit prej djemve të lagjes, të cilit i vunë nofkën “Djaloshi Kokëfortë”. Ai po shkakton telashe me qenin e tij, nuk pranon të shkojë në shkollë dhe nuk dëshiron të luajë me të tjerët.y.
“Dëshira jonë ishte t’u ofrojmë fëmijëve romë një shfaqje në gjuhën rome dhe përmes të qeshurit dhe lojës t’i bëjmë të mësojnë për simbolet, traditën dhe zakonet rome”, thotë Gynesh Veshall.
Gynesh dhe kolegu i saj Jasir Misini, vullnetarë dhe aktivistë të komunitetit rom, vunë re përmes punës së tyre se fëmijët romë po hezitojnë gjithnjë e më shumë ta përdorin gjuhën e tyre amtare. Prej disa vitesh, Gynesh dhe Jasir janë angazhuar në projekte dhe iniciativa të ndryshme të fokusuara në të drejtat e romëve dhe vetëdijesimin për rëndësinë e pjesëmarrjes së fëmijëve romë në arsimin parashkollor. Veç kësaj, ata të dy janë artistë që kanë qenë pjesë e disa shfaqjeve teatrore.
Gynesh dhe Jasir besojnë se teatri është mjeti më i mirë për të shkëmbyer mesazhe dhe për të rritur vetëdijesimin, kështu që atyre iu lindi ideja kreative që nëpërmjet mënyrave artistike t’i edukojnë fëmijët nga komuniteti i tyre për vlerat e gjuhës rome dhe rëndësinë e të mësuarit dhe promovimit të trashëgimisë së tyre.
Ideja e tyre për promovimin e gjuhës rome dhe pasurimin e teatrit rom mori mbështetje përmes “Konkursit të Çmimeve Sfida”, një iniciativë që është pjesë e projektit “Trashëgimia kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, i cili zbatohet nga UNDP në Kosovë dhe është financuar nga Bashkimi Evropian. Iniciativa ka si fokus mbështetjen e të rejave dhe të rinjve të talentuar – me fokus në grupet e margjinalizuara – për të zhvilluar idetë e tyre për promovimin, interpretimin ose riinterpretimin e trashëgimisë kulturore jomateriale, ose zhvillimin e shkathtësive dhe fitimin e përvojës së punës, dhe rritjen e vetëdijesimit për pasurinë dhe diversitetin e trashëgimisë kulturore në Kosovë.
“Kjo është shfaqja e parë teatrale rome e prodhuar posaçërisht për fëmijë. Janë të shumta shfaqjet që janë vënë në skenë ndër vite por asnjëra prej tyre nuk i ka pasur fëmijët në qendër të vëmendjes, thotë Jasir, i cili është gjithashtu pjesë e trupës.
Si Gynesh, ashtu edhe Jasir nuk arrijnë ta fshehin krenarinë dhe gëzimin nga gjithë dashuria dhe vlerësimi i marrë nga publiku. Edhe pse shfaqja është në gjuhën rome, për ta parë shfaqjen së bashku me 60 fëmijë nga komuniteti rom erdhën rreth 40 nxënës nga komunitetet turk, boshnjak dhe shqiptar.
“Fëmijët e kuptojnë më mirë gjuhën e emocioneve dhe arti është promovuesi më i mirë”, thotë Gynesh, të cilën e lumturon pamja e dhomës plot me fëmijë, jo vetëm për të mësuar për trashëgiminë rome, por edhe për të krijuar miqësi të reja së bashku dhe për të ndërtuar një ndjenjë vlerësimi për kulturat e ndryshme.
“Përmes kësaj shfaqjeje e kemi pasuruar shoqërinë me trashëgiminë tonë, prandaj ndikimi i vogël i rritjes së vetëdijesimit sot kthehet në ndikim afatgjatë për të ardhmen tonë”, përfundoi Gynesh.
Të gjitha reagimet pozitive, jo vetëm nga komuniteti rom, por edhe nga komunitetet e tjera, po i inkurajojnë Gynesh dhe Jasir që të gjejnë mënyra dhe fonde për ta vënë shfaqjen e tyre në skenë edhe në vende të tjera anembanë Kosovës.
Gynesh dhe Jasir besojnë se fëmijët nga komuniteti rom në mbarë Kosovën e meritojnë të kenë mundësinë të mblidhen dhe ta shikojnë shfaqjen, të argëtohen dhe të reflektojnë për trashëgiminë dhe vlerat e tyre të pasura si komunitet.
Story by Mimoza Kqiku