Siguria dhe Shëndeti në Punë: Një Studim i Rasteve të Ngacmimit Seksual në Vendin e Punës në Kosovë në Sektorin Publik dhe Privat
06 prill 2023
UN Women dhe ILO kanë lansuar një hulumtim në lidhje me rastet e ngacmimeve seksuale në vendin e punës në Kosovë duke përfshirë sektorin publik dhe atë privat.
Hulumtimi “Siguria dhe Shëndeti në Punë: Një studim i rasteve të ngacmimit seksual në vendin e punës në Kosovë në sektorin publik dhe Privat” është realizuar nga IDRA Consulting ndërkaq kërkesa për të siguruar të dhëna të tilla ka ardhur edhe nga Institucioni i Avokatit të Popullit në Kosovë.
Ky hulumtim në terren kishte për qëllim mbledhjen e opinioneve dhe perceptimeve të grave të punësuara në lidhje me sigurinë e përgjithshme të tyre në vendin e punës, ekspozimin ndaj ngacmimit seksual të grave të anketuara personalisht ose kolegeve dhe ndikimin e ngacmimit seksual në mirëqenien fizike dhe mendore.
Prezent në ngjarjen e lansimit, Avokati i Popullit, Naim Qelaj mbështeti plotësisht kauzën e parandalimit duke u zotuar se institucioni do të zgjerojë përpjekjet e tij për t'i dhënë zë këtij fenomeni. Më tutje ai theksoi se ky raport do të ngrisë shqetësimin në adresën e duhur për arritjen e një zgjidhjeje dhe do të obligojë institucionet përkatëse në trajtimin e këtyre rasteve.
Ndërkaq Vlora Tuzi Nushi, udhëheqëse e zyrës për Kosovë, tha se fenomeni prek edhe gratë edhe burrat në vendin e punës, megjithatë statistikat globale tregojnë se gratë janë më të ekspozuara.
“Ngacmimi seksual mund t’i ndodh secilit, pavarësisht a është burrë apo grua. Sipas një hulumtimi global të ILO’s, një në 15 njerëz globalisht kishte përjetuar ngacmim seksual në vendin e punës. Ndërkaq pavarësisht se fenomeni prek të dyja gjinitë, statistikisht gratë përjetojnë ngacmim seksual në punë më shumë se burrat”.
Në anën tjetër, Arnhild Spence, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, u shpreh se “çdokush ka të drejtën e një vendi pune pa ngacmime seksuale. Le të kemi zero tolerancë për dhunën dhe ngacmimin në punë – ose kudo!”
Anketimi i 500 grave respodente të sektorëve të ndryshëm profesionalë në sektorin publik dhe privat i kryer në 7-të rajonet më të mëdha në Kosovë (Prishtinë, Prizren, Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjakovë, Gjilan) nxori në pah se në nivel të përgjithshëm 72% e mostrës ishin të familjarizuara me termin ngacmim seksual në vendin e punës dhe 24% deklaruan se nuk ishin në dijeni për këtë.
Në anën tjetër të pyetura nëse kanë përjetuar ngacmim seksual vetëm 9% e grave deklaruan se janë ngacmuar seksualisht, ndërkaq 84% e respodenteve kanë thënë se vetë ato ose dikush që e njohin nuk është ngacmuar seksualisht, 5% prej tyre nuk e dinin ndërkaq 2% kanë refuzuar të përgjigjen.
Sidoqoftë, për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe shqetësimit nga humbja e vendit të punës, të dhënat e deklarimit të rasteve të ngacmimit seksual nuk e reprezentojnë realitetin.
Ndërkaq sa i përket formës së ngacmimit seksual të cilën e kanë dëshmuar më së tepërmi të ndodh në ambientet e punës, listohen komentet e natyrës seksuale me (25%), ndjekja elektronike ose fizike (20%), detyrimi seksual apo quid pro quo – diçka në shkëmbim të diçkaje (19*).
Ky hulumtim është realizuar në kuadër të fushatës për të drejtat e punës “Punë e denjë për jetë të dinjitetshme” nën udhëheqjen e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve me Mbështetjen e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë. Partnerët zbatues të fushatës janë Inspektorati i Punës, Administrata Tatimore e Kosovës, Organizata Ndërkombëtare e Punës, UN Women, Community Development Fund, Iniciativa Kosovare për Stabilitet, Qendra për Politika dhe Avokim dhe LENS.