Antimikrobikët – përfshirë antibiotikët, antiviralët, antimykotikët dhe antiparazitikët – përdoren për trajtimin e infeksioneve tek njerëzit, kafshët dhe bimët.
Anembanë botës, bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët po ndryshojnë dhe po fillojnë të mos reagojnë ndaj barnave të përdorura për trajtimin e infeksioneve që ato shkaktojnë. Kjo rezistencë antimikrobike shfaqet natyrshëm, zakonisht përmes ndryshimeve gjenetike. Megjithatë, përdorimi i tepruar dhe keqpërdorimi i antimikrobikëve, bashkë me mungesën e ujit të pastër dhe kanalizimeve dhe parandalimin dhe kontrollin joadekuat të infeksioneve, e kanë përshpejtuar zhvillimin e rezistencës antimikrobike. Kjo i bën infeksionet më të vështira për t’u trajtuar, çka e rrit rrezikun e përhapjes së infeksioneve, sëmundjeve të rënda dhe vdekshmërisë.
Rritja e patogjenëve rezistente ndaj barnave kërcënon ta zhbëjë punën e më shumë se një shekulli të përparimit në kujdesin shëndetësor dhe të minojë vetë themelet e mjekësisë moderne. Për shembull, infeksionet bakteriale rezistente ndaj antibiotikëve mund ta bëjë shumë të rrezikshme kryerjen e procedurave mjekësore jetike si transplantet e organeve, zëvendësimet e kyçeve, kujdesin ndaj kancerit dhe kujdesin për foshnjat me lindje të parakohshme. AMR mund të prekë këdo, të çdo moshe, në çdo vend.
Rezistenca antimikrobike gjithashtu ndikon dhe ndikohet nga kafshët dhe mjedisi. Përdorimi i antimikrobikëve në shëndetin e kafshëve nxitet nga barra e madhe dhe në rritje e sëmundjeve të kafshëve, rritja e shkallës së prodhimit prej kafshëve, dhe investimi i pamjaftueshëm në shërbimet veterinare dhe shëndetin e kafshëve. Reduktimi i përdorimit të papërshtatshëm të antimikrobikëve te kafshët duhet së pari të adresojë këto çështje themelore.