La Vague de la Femme au Kosovo!
Është vala e re, dhe u përket regjisoreve të reja nga Kosova.
Industria e filmit në Kosovë ka njohur vetëm rritje gjatë dekadës së fundit, por veçanërisht viteve të fundit ajo përfaqëson prurjen e re të kinematografisë evropiane.
Suksesi ndërkombëtar ka qenë rezultat i punës komplekse dhe të palodhur të shumë kineastëve, mbështetësve dhe festivaleve të filmit në Kosovë. Dhe PriFest me krenari merr pjesë në zhvillimin e industrisë së re të filmit kosovar. Të gjithë filmat e suksesshëm të sotëm, kanë qenë më parë (në fazën e zhvillimit) pjesë e programeve të ndryshme në seksionin e industrisë së PriFest, të quajtur PriForum – Forumi i Filmit në Prishtinë.
Dhe Programi Fokus i edicionit të kaluar të PriFest, natyrisht që solli në qendër të vëmendjes kineastet e reja kosovare. Kjo u bë në bashkëpunim dhe me mbështetjen e Koordinatores së OKB-së për Zhvillim në Kosovë dhe UN Women.
Programi i brenduar në gjuhën frënge ‘La Vague de la Femme au Kosova’ përfshinte pesë regjisore të reja kosovare.
Në industrinë kinematografike, gratë i thyejnë kufijtë dhe sfidojnë paragjykimet gjinore që janë pengesë për gratë, tha Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së, Ulrika Richardson
Ato të gjitha e bënë Kosovën krenare me filmat e tyre debutues në periudhën e fundit: Blerta Basholli me filmin ‘Zgjoi’ që fitoi tre çmime kryesore në Sundance Film Festival (dhe është nominuar për Oscar), Norika Sefa me filmin ‘Në kërkim të Venerës’ që fitoi çmimin special të jurisë në Festivalin e Filmit në Roterdam, Luana Bajrami me filmin ‘Luaneshat e kodrës’ që u shfaq premierë në Festivalin e Kanës, Antoneta Kastrati me filmin ‘Zana’ që e pati premierë botërore në Festivalin e Filmit në Toronto, dhe Kaltrina Krasniqi që së fundmi pati premierën botërore në Festivalin e Venecias me filmin e saj ‘Vera andrron detin’.
Gjatë festivalit u zhvilluan disa diskutime, tryeza të rrumbullakëta, intervista dhe projeksione filmash për të diskutuar suksesin e këtyre filmave që marrin pjesë në festivale të listës A dhe fitojnë çmime. Interesimi i publikut për t'i parë këto filma ishte shumë i madh, sidomos i publikut të ri. Dhe kjo nuk është befasi, pasi Kosova ka popullsinë më të re në Evropë.
Duket se të rinjtë kosovarë, dhe veçanërisht vajzat e reja, kanë një të ardhme të ndritur në industrinë e filmit, duke ndjekur shembullin e modeleve të tyre: La Vague de la Femme Au Kosovo.
Sot, PriFest, Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë, është festivali më i madh ndërkombëtar i filmit në Kosovë dhe një pikë e rëndësishme takimi e industrisë së filmit rajonal dhe ndërkombëtar.
Ne besojmë se PriFest, duke mbështetur kulturën dhe të rinjtë, po bëhet një mjet shumë i rëndësishëm promovues i Kosovës ndërkombëtarisht, si dhe po mundëson rritjen e industrive kreative dhe krijimin e mundësive më të mira të punës për profesionistët e rinj të kësaj industrie.
Blog nga Vjosa Berisha, drejtoreshë e PriFest