.jpeg?auto=webp)
Ne jemi një grup i grave krenar. Krenare që, përkundër të gjithave, përhapim mirësi dhe dashuri për të gjithë rreth nesh. Nuk jemi dorëzuar kurrë dhe kemi gjetur forcën për t’i kapërcyer të gjitha pengesat. Gjatë pandemisë, i përdorëm shkathtësitë tona të qepjes për të prodhuar maska dhe për t’ua shpërndarë shkollave dhe njerëzve në përgjithësi. Dolëm në rrugë dhe ia dhamë, pa pagesë, çdo kalimtari. Kjo është dashuri”.
Janë fjalët me të cilat na pret Mire Salihu, sekretarja e “Lidhja e Invalidëve, viktimave dhe të zhdukurve në Kosovë” në Fushë Kosovë. Entuziazmi i saj është i parezistueshëm sepse fjalët i dalin nga zemra.
.jpg?auto=webp)
Takohemi me të dhe një grusht grash në një dhomë të vogël pranë punishtes ku takohen çdo ditë për të qepur, qëndisur dhe krijuar punime të tjera artizanale. Shoqata ka më shumë se 500 anëtare dhe mbledh jo vetëm anëtarët e familjeve të atyre që u vranë ose u zhdukën në vitin 1999, por grupit i janë bashkuar edhe viktima të abuzimit në familje dhe dhunës në bazë gjinore.
Me këto shifra të mëdha, çdo mbështetje është e mirëseardhur. Zonjat janë shumë të lumtura të më informojnë menjëherë se edhe e kemi një dorë. Falë projektit të financuar nga Britania “Përballja me Trashëgiminë e Konfliktit në Kosovë”, UNDP-ja e mbështeti shoqatën me të gjitha mjetet dhe pajisjet e nevojshme për mbarëvajtjen e punës së një salloni ondulimi, të cilin do ta vizitojmë më vonë.
.jpg?auto=webp)
Pas shkëmbimit të përshëndetjeve, pyetjeve për shëndetin dhe familjet e të gjithëve, e para flet Sanije Aziri. Ajo nuk mund t’i falënderojë sa duhet themeluesin e shoqatës z. Mustafë Prenku edhe Miren, sekretaren, për përkushtimin dhe punën e tyre të pandërprerë: “Na e merr mendja se ata madje po i lënë pas dore familjet e tyre që të jenë këtu për ne, që të japin një dorë për ndihmë, një vend ku t’i qajmë hallet, një vesh për të na dëgjuar. Nuk është e lehtë; ne të gjitha e kemi nga një histori për të treguar dhe ia tregojmë shpesh njëri-tjetrës. Kjo është mënyra si i përballojmë dhe shërohemi prej halleve. Kur jemi këtu së bashku, duke punuar së bashku, e heqim mendjen nga shqetësimet. Dhe kjo na ndihmon t’i mbështesim familjet tona.”
Arlinda Murtezi vjen nga komuniteti egjiptas dhe është nënë e pesë fëmijëve. Shkathtësitë e saj për qepje janë mjeti i vetëm për ta mbajtur familjen, por ajo nuk ankohet: “Unë jam kryefamiljare dhe e fitoj vetë bukën. Shpresoj se një ditë së shpejti, fëmijët e mi do të gjejnë punë dhe do të jenë në gjendje të ndihmojnë. Deri atëherë kam një makinë qepëse dhe kam mikeshat e mia!”.
.jpg?auto=webp)
.jpg?auto=webp)
.jpg?auto=webp)
.jpg?auto=webp)
U themi mirupafshim dhe nisemi drejt stacionit tonë të ardhshëm. Salloni i ondulacionit duket i vogël teksa afrohemi, por kuptojmë se ka lokacion strategjik në katin e parë të një kompleksi të ri ndërtimi.
Fatime Drejta, vetë anëtare e shoqatës dhe stiliste e certifikuar e flokëve, aktualisht është duke trajnuar gjashtë prej anëtareve. Ato shpresojnë të fitojnë përvojë të mjaftueshme për të punuar në mënyrë të pavarur dhe ky profesion të jetë mënyra e tyre për të siguruar të hyra për familjet e tyre. Megjithatë, kohët janë të vështira. Vlora Mirena, një nga kursantet shpjegon: “Pandemia ka mbyllur gjithçka. Njerëzit kujdesen vetëm për nevojat e domosdoshme. Për disa, edhe një prerje e thjeshtë e flokëve është bërë luks, e lëre më çdo trajtim tjetër flokësh apo grimi. Nuk ka dasma dhe festa. Që do të thotë numër shumë i kufizuar klientësh. Por ne nuk ankohemi. Kjo po na jep më shumë kohë për të mësuar, për t’u trajnuar dhe për t’u bërë edhe më të afta në punën tonë. Eksperimentojmë me njëra-tjetrën, kështu që kemi gjithmonë modele të bukura flokësh. Shpresojmë që me uljen e numrit të infeksioneve të hiqen kufizimet dhe të fillojmë të punojmë me shpejtësi”, thotë Vlora duke u përpjekur t’i largojë me të qeshur shqetësimet e saj.
.jpg?auto=webp)
.jpg?auto=webp)
Vizitat tona marrin fund. Lëmë pas një grup grash të forta, të cilat kanë kaluar halle të rënda dhe humbjen e familjarëve, duke e ditur se më shumë sesa puna, angazhimet, përfitimet financiar, ato janë aty për miqësinë, për mbështetjen morale, psikologjike dhe emocionale për njëra tjetrën. Ato janë të zonjat për jetën. Në më shumë se një mënyrë.
Projekti Ballafaqimi me Trashëgiminë e Konfliktit mbështet të gjitha komunitetet që kanë anëtarë të zhdukur të familjes për trajtimin e çështjeve ekzistuese të trashëgimisë së konfliktit dhe arritjen e pajtimit të qëndrueshëm në Kosovë.
.jpg?auto=webp)