Teksa i afrohemi shkollës, shohim një grua që na buzëqesh para një ndërtese, që siç do ta mësojmë më vonë njihet me një emër të thjeshtë - kuzhina e Vildanes.
Vildania na e bën me dorë nga larg dhe, teksa afrohemi, ajo vendos një maskë mbrojtëse për të na përshëndetur dhe mirëpritur në ambientet ku kalon pjesën më të madhe të kohës. E njohur gjerësisht si kuzhina e Vildanes, ky lokal i vogël komod është një burim ushqimesh të shijshme shtëpiake për nxënësit dhe personelin akademik të shkollës fillore Andon Zako Çajupi.
Ne jemi mysafirët e vetëm ndërkohë që ligjëratat vazhdojnë në ambientet e shkollës, dhe sapo ulemi përpara na vihet një mëngjes i bollshëm me burek, bukë shtëpie, speca dhe çaj. Ne jemi këtu për të dëgjuar historinë e saj, një nga shumtat, të gjitha të ngjashme dhe megjithatë shumë të ndryshme.
“Kjo kuzhinë është fitimprurëse për të gjithë. Për shkak se ndodhemi brenda oborrit të shkollës, fëmijët nuk kanë nevojë të dalin jashtë ambienteve. Ne përgatisim ushqime të shijshme të bëra në shtëpi, të cilat nxënësit i pëlqejnë dhe prindërit e tyre janë të lumtur duke e ditur se ajo që hanë është e ushqyeshme. Këtu nuk hanë vetëm fëmijët e shkollës, por edhe mësimdhënësit. Shpesh marrim komplimente duke na thënë se duhet t’i dërgojnë bashkëshortet e tyre që të mësojnë të gatuajnë ushqime kaq të shijshme”, thotë Vildane me një buzëqeshje të ngrohtë.
Mikeshat dhe partneret e saj në kuzhinë nuk i ndalin lëvdata për pajisjet që kanë marrë. Rifadije Popova dhe Minire Beka konfirmojnë se puna e tyre është bërë shumë më e lehtë pasi nuk kanë nevojë të bëjnë gjithçka me dorë. Pajisjet, të ofruara nga UNDP-ja dhe të financuara bujarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar, kanë shkurtuar kohën e nevojshme për ta përgatitur ushqimin dhe kanë përmirësuar cilësinë e shërbimeve që ofrojnë.
Me shtimin e lavdërimeve për punën e tyre, u shumuan edhe thirrjet nga shoqatat e komunave tjera. Që nga themelimi i shërbimeve të gatimit, Vildania dhe bashkëpunëtoret e saj kanë udhëtuar nëpër Kosovë për të mbajtur trajnime se si të përgatisin ushqim, perime të konservuara dhe turshi. Ato gjithashtu ndajnë përvojën e tyre me të tjerët se si të jenë të suksesshëm në përpjekjet e tyre dhe për hapat që duhen ndërmarrë gjatë procesit.
E vetmi keqardhje që kanë është se pandemia e COVID-19 ka ndikuar seriozisht në porositë për ushqime. Ato përmendin me krenari se kanë shërbyer bufe për delegacione të ndryshme dhe vizita të nivelit të lartë në komunë, pasi që zyrtarët preferojnë ta porosisin ushqim prej tyre në vend që të angazhojnë restorante moderne. Vildania dhe ekipi i saj mbeten optimiste dhe presin ditë më të mira.
Teksa Rifadija dhe Miniria kthehen në kuzhinë për t’u përgatitur për pushimin e radhës mes orëve mësimore dhe ardhjes së nxënësve, Vildania kujton se si dalëngadalë ëndrrat e saj u kthyen në përpjekje dhe përpjekjet u kthyen realitet për t’u ndihmuar familjeve që, si ajo, kanë humbur të dashurit e tyre. Ajo ishte 26 vjeçe, nënë e një djali dy vjeçar dhe gjashtë muajshe shtatzënë kur e humbi bashkëshortin. Ai ishte një nga 587 të vrarët gjatë konfliktit të viteve 1998-1999 në komunën e Vushtrrisë.
“Ishte tepër e vështirë! Për vite kam pasur probleme emocionale. Kisha fëmijët e mi dhe mbështetjen e familjes. Vjehrra më nxiti të rifilloja të jetoja. Dhe, në fund, e bëra. Ishte në vitin 2008 kur u mblodhëm me disa nga anëtarët e familjeve që kanë humbur njerëzit e dashur, dhe u krijua shoqata”.
Aktualisht, Vildania e ndan kohën e saj mes kuzhinës dhe zyrës. Puna atje është po aq e vështirë: “Puna ime në zyrë nuk është aq kreative, por jo më pak e rëndësishme. Pasi mbaroj me kuzhinën, ku punoj nga gjashtë e mëngjesit deri në 11, shkoj në zyrë. Ne kemi një regjistër me emrat e të gjithë familjarëve të të vrarëve dhe të zhdukurve dhe një nga detyrat e mia të përditshme është nxjerrja e certifikatave që vërtetojnë se personi në fjalë i përket njërës prej atyre familjeve. Certifikatat janë të nevojshme për marrjen e licencave të ndryshme në komunë ose për ndonjë lloj ndihme tjetër në dispozicion për ta. Shpesh ndihmoj gratë që janë viktima të dhunës në familje, por nuk i përziej me anëtarët e tjerë. Dhimbja e tyre është aktuale, e ndryshme. I pres zyrën time dhe i dëgjoj dhe përpiqem t’u ndihmoj”.
Zilja e mprehtë sinjalizon fundin e orës. Ajo gjithashtu njofton fundin e vizitës sonë, teksa ne lëmë Vildane dhe mikeshat e saj që u shërbejnë shumë klientëve që mezi e presin ushqimin e tyre. Ne lëmë pas tre prej shumë grave të forta që kanë duruar humbjen e të dashurve të tyre dhe kanë gjetur forcën të ngrihen mbi vuajtjet dhe të përparojnë.
“Po hyjmë në fazën e tretë të projektit Ballafaqimi me Trashëgiminë e Konfliktit në Kosovë. Falë Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, UNDP-ja do të vazhdojë të punojë me familjet e viktimave, shoqatat lokale, institucionet, palët e interesit dhe organizatat ndërkombëtare, për trajtimin e çështjeve ekzistuese të trashëgimisë së konfliktit, si dhe të kontribuojë për arritjen e pajtimit të qëndrueshëm”, tha Vehbi Selmani, Menaxher i Projektit në UNDP në Kosovë.