Java Botërore e Imunizimit 2022: Jetë e gjatë për të gjithë
26 prill 2022
UNICEF-i dhe OBSH-ja bëjnë thirrje për intensifikimin e përpjekjeve për t’u siguruar që të gjithë kosovarët t’i marrin vaksinat
Java Botërore e Imunizimit – që festohet çdo vit gjatë javës së fundit të prillit – bën bashkë partnerët për të promovuar dhënien e vaksinave për t’i mbrojtur personat e të gjitha moshave nga sëmundjet. Udhëhequr nga UNICEF-i dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, tema e Javës Botërore të Imunizimit për këtë vit është #Jetë e gjatë për të gjithë.
Tema e këtij viti u përzgjedh për t’i nxjerrë në pah arritjet historike në fushën e vaksinimit përreth botës. Për më shumë se dy shekuj, vaksinat kanë ndihmuar që fëmijët dhe të rriturit të mbrohen nga sëmundjet serioze dhe vdekjeprurëse. Vaksinat janë një nga arritjet më të avancuara të shkencës moderne, me ndihmën e të cilave është arritur që të përgjysmohet vdekshmëria e fëmijëve dhe të shpëtohen miliona jetë në botë.
Gjersa rikujtojmë ndikimin historik të vaksinave, tani bota gjendet në një udhëkryq. Në aspektin global, pandemia COVID-19 ka paraqitur një ngarkesë të madhe mbi sistemet dhe shërbimet shëndetësore, gjë që paraqet kërcënim për progresin e arritur deri më tani në imunizimin rutinë në botë, përfshirë edhe Kosovën. Një shifër alarmuese prej 23 milionë fëmijësh nuk janë vaksinuar në vitin 2020. Ky numër mund të zvogëlohet vetëm nëpërmjet një angazhimi më të madh dhe investimit në shërbimet e imunizimit nga ana e të gjithëve.
Kosova ka ende mangësi të theksuara për sa i përket imunizimit rutinë. Vetëm një në 3 fëmijë apo 73% e fëmijëve jane plotesisht te vaksinuar1. Por edhe më shqetësuese është fakti që të dhënat shfaqën pabarazi të theksuara, për shembull, mbulimi i plotë me imunizim ishte bërë vetëm për 38 për qind të fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian (për të njëjtën grupmoshë), do të thotë më pak se gjysma e përqindjes së të gjithë fëmijëve në Kosovë.
Për të zvogëluar ndikimin e pandemisë COVID-19 në imunizimin rutinë, sidomos tek grupet e cenuara, UNICEF-i në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik nisi një fushatë derë më derë tek familjet për t’i identifikuar fëmijët që nuk ishin vaksinuar. Brenda pak më shumë se një viti, gjithsej 6,300 fëmijë – shumica e tyre nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian – u identifikuan me të dhëna jo të plota të vaksinimit dhe u ofrua mbështetje që të vaksinoheshin nga ekipet mobile të vaksinimit të Mjekësisë Familjare përmes fushatës së imunizimit.
Që nga fillimi i vitit 2021, OKB-ja ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë në mbështetjen e Kosovës në aspektin e planifikimit dhe shtrirjes së vaksinimit kundër COVID-19, duke përfshirë trajnimin e profesionistëve të kujdesit shëndetësor dhe krijimin e vendeve të caktuara për vaksinim. Përkundër përpjekjeve kolektive, me mbulim vaksinimi prej 50 për qind deri më tani (të paktën me një dozë), kosovarëve u kërkohet ta rrisin shkallën e vaksinimit për t'u mbrojtur nga sëmundjet e mundshme serioze.
UNICEF-i dhe OBSH-ja bashkërisht theksojnë se duhet kërkuar çdo mundësi për t’i vaksinuar fëmijët dhe të rriturit sipas kalendarit rutinë të imunizimit. Të gjitha vaksinat e parakualifikuara nga OBSH-ja janë të sigurta dhe efikase.
Rreth UNICEF-it dhe OBSh-së:
Ø UNICEF-i dhe OBSH-ja punojnë me qeveritë e mbi 190 vendeve, territoreve dhe zonave për t’i forcuar programet kombëtare të shëndetit dhe imunizimit, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.
Për më shumë informata, ju lutemi kontaktoni: Dafina Zuna , UNICEF në Kosovë, Tel: +383 44 185 123, dzuna@unicef.org Edita Haxhiu, zyra e OBSH-së, Prishtinë, Tel: +383 44 155 635, haxhiue@who.int
[1] According to the Multiple Indicator Cluster Survey, Kosovo Agency of Statistics and UNICEF 2020. The number represents the percentage of children aged 24–35 months who had received all the vaccinations recommended.