Liria e Medias është Themeli i Demokracisë
Unë gjithnjë e kam konsideruar gazetarinë si forcë pozitive. Të jep fuqinë t’u ndihmosh njerëzve, siguron ndarjen e informacionit që përdoret si mjet i fuqishëm
|
“Gazetarët sot nuk janë gazetarët që kam njohur në fillimet e karrierës sime. Në Kosovë ka gazetarë të cilëve mediat as nuk u ofrojnë transport për lajmet e tyre në terren. Ne në RTK jemi me fat në këtë drejtim. Ne jemi të pajisur mirë dhe jemi në të gjithë Kosovën, duke mbuluar çdo rajon, qytet dhe fshat”, shpjegon Aleksandra.
Ajo thotë se ndërthurja e krizës globale - ekonomike dhe politike - me pasojat e pandemisë COVID solli shumë probleme në cilësinë e gazetarisë. Ishte e vështirë për gazetarët që t’i kontrollonin të gjitha faktet gjatë pandemisë për shkak të kufizimeve. Tani, po bëhet më e lehtë.
“Mungesa e informacionit, transmetimi i konferencave pa përkthim dhe vështirësitë në gjetjen e bashkëbiseduesve për tema të caktuara, mund ta vështirësojnë këtë punë”, i përshkruan Aleksandra sfidat me të cilat u përball gjatë pandemisë.
Shtëpia e Aleksandrës u godit rëndë nga vërshimet gjatë tri viteve të fundit, gjatë shirave të dendur në vjeshtë dhe pranverë, kështu që ajo personalisht ndihet e pasionuar pas çështjeve mjedisore.
“Urbanizimi dhe planifikimi i duhur paraqesin sfida të mëdha në Kosovë. Shtëpinë time e goditën vërshimet për shkak të ndërtimeve të paplanifikuara në fshat. Pasi u përballa me dëmtime të rënda dhe shtëpinë e përmbytur tërësisht, më ndihmuan financiarisht kolegët gazetarë, jo vetëm nga Kosova, por nga i gjithë rajoni. Kjo më solli shpresë për veten dhe shpresë për njerëzimin. Sot jam e fiksuar pas kësaj teme dhe sa herë që mundem kërkoj vetëdijesim për mjedisin”, tha Aleksandra.
“E kuptoj që situata globale po përkeqësohet, dhe ndryshime të mëdha do të ndodhin në ekonomi, dhe e kuptoj që ne na duhet “t’i bëjmë sytë katër” për njerëzit që jetojnë në varfëri. Në të njëjtën kohë, u bëj një thirrje liderëve botërorë që t’i përdorin mediat për ta shpëtuar globin dhe për të luftuar kundër shpërndarjes së dezinformatave. Media mund të luajë rol kyç në formësimin e botës së re, me më pak përdorim të derivateve fosile dhe një mjedis më të shëndetshëm, me komunitete paqësore dhe më reziliente”, përfundon Aleksandra.
UNDP, në partneritet me OSBE-në, UNMIK-un dhe Qeverinë e Japonisë, mbështeti krijimin e mediave të pavarura në Kosovë gjatë viteve 2000-2002 përmes themelimit të RTK-së, transmetuesit publik, që transmeton në shtatë gjuhë: shqip, serbisht, turqisht, boshnjakisht, rome dhe së fundmi në gjuhët malazeze dhe ashkali. Së shpejti do të transmetohet edhe në gjuhën gorane.
RTK-ja ndihmon në shprehjen e pluralizmit të diversitetit politik, etnik, gjuhësor, kulturor dhe fetar, si dhe promovon prodhimin lokal dhe integrimin shoqëror.
UNESCO ka raportuar se 85 për qind e popullsisë së botës përjetoi rënie të lirisë së shtypit në vendin e tyre gjatë pesë viteve të fundit. Gratë gazetare janë veçanërisht të prekura. UNESCO dhe Qendra Ndërkombëtare për Gazetarët (ICFJ) konstatuan se 73 për qind e 714 gazetareve që identifikohen si gra nga 125 vende, kanë raportuar se kanë përjetuar dhunë online gjatë punës së tyre. |