Ka ardhur koha të ndërtojmë një botë më të barabartë, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, duke i respektuar plotësisht të drejtat e njeriut.
Për të shënuar Ditën e Demokracisë u organizua një event publik me Kryetarin e Kuvendit, Familjen e Kombeve të Bashkuara, Institutin Kombëtar Demokratik, duke përfshirë praninë e mediave, shoqërisë civile dhe personave me aftësi të kufizuara.
Ishte në nderin e familjes së OKB-së, përfshirë UNDP-në dhe UNDCO-në, të mbështesin eventin publik për shënimin e Ditës së Demokracisë me Institutin Kombëtar Demokratik dhe Kuvendin e Kosovës. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues nga shoqëria civile dhe media. Kjo tregon se demokracia është për të gjithë dhe se ajo është pjesë thelbësore e shoqërisë sonë.
Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, mbajti një fjalim shumë frymëzues për rëndësinë e demokracisë dhe rolin e saj në promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Z. Konjufca përmendi se Kuvendi i Kosovës është në vendin e dytë në rajon sa i përket nivelit të transparencës, duke përmbushur 78% të treguesve në seksionin e Transparencës, të matur nga shoqëria civile. Z. Konjufca më tej foli për përpjekjet dhe përkushtimin e tij për transformimin dhe modernizimin e Kuvendit të Kosovës. Ai gjithashtu theksoi përkushtimin e Kosovës ndaj Agjendës 2030 dhe angazhimin e mëtejshëm të Këshillit për Zhvillim të Qëndrueshëm në udhëheqjen dhe mbështetjen e institucioneve në zbatimin e OZHQ-ve.
“Media e lirë, pluraliste dhe e pavarur është faktor kyç në promovimin e demokracisë dhe llogaridhënies dhe mbështetjen e Agjendës 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”, tha Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, znj. Arnhild Spence, duke nënvizuar rëndësinë e demokracisë, duke theksuar rëndësinë e medias së lirë, të pavarur dhe pluraliste për arritjen e OZHQ-ve
Ambasadorja Nancy Soderberg, drejtoreshë e NDI Kosovë, tha se demokracia duhet mbrojtur me çdo kusht, duke theksuar se edhe pse demokracia ndonjëherë është e vështirë për t’u zbatuar, ajo mbetet sistemi më i mirë i qeverisjes që kemi.
Eventi përfshiu një panair të OSHC-ve, ku të ftuarit dhe vizitorët patën mundësinë të bisedojnë me përfaqësuesit e tyre dhe të marrin publikimet më të fundit të skenës së OSHC-ve të Kosovës që monitorojnë legjislativin dhe institucionet e tjera publike, në të gjitha fushat e jetës. Të ftuarit dhe vizitorët patën gjithashtu mundësinë të bëjnë një kuiz të demokracisë.
Në anën tjetër, nën hijen e rrotës gjigante të OZHQ-ve, u zhvillua një turne shahu i veçantë për persona me dëmtim të shikimit. Kryetari i Federatës së Sporteve për të Verbër, z. Rinor Ymeri, thotë se këto raste janë një mundësi e mirë për t’ia rikujtuar popullatës së përgjithshme dhe vendimmarrësve se personat me aftësi të kufizuara mund të jenë kontribuues të barabartë.
Arnhild Spence nga UNDC-ja dhe Maria Suokko nga UNDP-ja, u dhuruan pjesëmarrësve dhe organizatorëve të turneut të shahut 12 gjurmues GPS, të cilët janë mjete të paçmueshme që personat me dëmtim të shikimit i përdorin çdo ditë.
Nga sistemet e papërshtatshme shëndetësore dhe hendekët në mbrojtjen sociale, tek prapambetja digjitale dhe qasja e pabarabartë në arsim, nga degradimi i mjedisit te diskriminimi racor dhe dhuna ndaj grave, përveç kostove të thella njerëzore, këto pabarazi përbëjnë kërcënime për demokracinë.
Tanimë është e qartë se institucionet duhet të bëjnë më shumë për t’i dëgjuar njerëzit që kërkojnë ndryshim, duke vazhduar të mbajnë të hapura të gjitha kanalet për dialog dhe të respektojnë lirinë e tubimeve paqësore.