Përfshirja Funksionon për të Mirën e të Gjithëve!
Kremtim i jashtëzakonshëm i Ditës së OKB-së 2022.
Teksa bota shënon 77 vjet të paqes, prosperitetit dhe zhvillimit, urojmë që këto të jenë të përhershme dhe të qëndrueshme. Në Kosovë, Dita e Kombeve të Bashkuara 2022 është dita kur kremtojnë idealet dhe vlerat e OKB-së që na lidhin si individë, organizata dhe komunitete. Në ditëlindjen e Kombeve të Bashkuara, kremtuam trashëgiminë e OKB-së me heronjtë e ditës nga Down Syndrome Kosova, duke ripërtërirë shpresën për atë që mund të arrijë njerëzimi kur punojmë të bashkuar.
Në përpjekje të vazhdueshme për të mbështetur fushatën avokuese njëmujore me titull ‘GJITHËPËRFSHIRJA’, e gjithë familja e OKB-së në Kosovë, së bashku me Down Syndrome Kosova dhe IPKO Foundation, organizuan një ditë me lojëra dhe aktivitete të ndryshme. Të ftuarit u kënaqën duke vizituar zyrat, duke folur për Kombet e Bashkuara, duke mësuar, duke vizatuar, duke pikturuar dhe duke kërcyer.
Kombet e Bashkuara janë produkt i shpresës dhe nuk ka fillim më të mbarë sesa me përfshirjen dhe uljen e pabarazive. Përfshirja u sjell dobi të gjithëve, sepse i bashkon njerëzit dhe i bën ata të vetëdijshëm për vlerat, nevojat dhe ëndrrat e njëri-tjetrit.
Të ftuarit nga Down Syndrome Kosova janë ata që na e ndryshojnë jetën, duke avokuar dhe marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitete të ndryshme që sjellin të mira në jetën e tyre dhe për shoqërinë në përgjithësi. Ne duhet t’i lëvdojmë këta individë të jashtëzakonshëm dhe të punojmë për të ofruar qasje në arsim, përfshirje sociale dhe mundësi të barabarta për të gjithë, duke e trajtuar çdo qenie njerëzore si një individ me potencial të pafund.
Gjatë vizitës në Shtëpinë e OKB-së, Koordinatorja për Zhvillim e OKB-së Arnhild Spence i përshëndeti duke iu drejtuar: “Kemi kënaqësinë të mirëpresim Fondacionin IPKO dhe Down Syndrome Kosova për ta kremtuar së bashku Ditën e OKB-së. Gjatë muajit të kaluar, fushata jonë e avokimit për GJITHËPËRFSHIRJE u shtri anekënd Kosovës dhe jemi krenarë që i mbështesim dhe promovojmë të drejtat për të gjithë!’
Pas fjalëve përshëndetëse, u shfaqën disa video të krijuara nga agjencitë e OKB-së ndër vite, madje edh një me “Dinosaurin Frankie”. Të ftuarit patën mundësinë të takoheshin me Dinosaurin Frankie të improvizuar, çka u solli gëzim dhe emocion.
E ftuara jonë nga Down Syndrome Kosova, Medina tha: ‘Më pëlqeu shumë kjo ditë. Sot është dita për t’ju uruar ditëlindjen! Ne bëmë aktivitete për ta ngritur zërin tonë, për të drejtat tona dhe për potencialin tonë, në mënyrë që njerëzit në mbarë botën të na dëgjojnë!’
Caroline Ziadeh, Përfaqësuesja e posaçme e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, tha: “Ajo që po bëni ju i bën jehonë dhe rezonon me atë që përfaqëson OKB-ja.” Në OKB ne mbështesim njerëzimin, mbështesim të drejtat e njeriut dhe mbështesim shpresën!’ teksa i mirëpresim të ftuarit dhe i japim secilit mundësinë të flasë në tryezën e UNMIK-ut, përpara se të kalojmë në pjesën argëtuese me piktura, lojëra dhe vallëzim.
Ne të gjithë mund të jemi heroi i dikujt duke marrë pjesë në ndërtimin e përbashkët të paqes dhe prosperitet, duke i dhënë shpresë dhe vlerë të barabartë çdo qenieje njerëzore.