Ndihma për rimëkëmbje nga kriza e COVID Ngritja e reziliencës mes personave që u duhet më shumë
Çorape leshi. Ato janë një shenjë e vogël vlerësimi për punëtoret humanitarë që i ndihmuan një gruaje të moshuar në nevojë.
“Nuk është shumë, por doja t’i bëja për fëmijët e mi. Tash të tilla janë për mua, ta dini. Ato më kanë ndihmuar shumë gjatë kësaj kohe dhe për secilën prej tyre kam thurur nga një palë çorape leshi, me tregu sa mirënjohëse jam”, thotë ajo.
“Çorapet do t’i mbajnë ngrohtë në dimër. Kështu që, në një farë mënyre, edhe unë po u ndihmoj”, qesh ajo.
Kjo grua zemërmirë dhe bujare është Remzije Morina. Por për të gjithë ata që e njohin, ajo është “hallë” Remzije – një term i dashur dhe i respektueshëm që përdoret në Kosovë për gratë e moshuara.
Hallë Remzije jeton e vetme në shtëpinë e saj në fshatin Radostë, në rrethinat e Gjakovës. Ajo ka tri vajza të cilat janë të martuara, kanë fëmijë dhe jetojnë në pjesë të tjera të Kosovës. “Më kontrollojnë herë pas here, por duhet të kujdesen për familjet e tyre”, thotë hallë Remzije.
Ajo është një nga rreth 200 personat që ka marrë shërbime shëndetësore dhe sociale përmes Klinikës Mobile, si pjesë e Aksionit 'Përgjigja ndaj emergjencës COVID-19 dhe mbështetje për rimëkëmbje të hershme’, i njohur gjithashtu si Projekti i Ndihmës Humanitare (HAP). I financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, HAP është zbatuar nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, me disa aktivitete të realizuara në partneritet me UN Women Kosova.
E operuar nga Shoqata Humanitare dhe Bamirëse “Nëna Terezë”, Klinika Mobile është një automjet i përshtatur që udhëton fshat më fshat, duke u ndihmuar njerëzve që jetojnë në zona të largëta, të vështira për t’u arritur, të cilët kanë qasje të kufizuar ose aspak qasje në shërbime shumë të nevojshme shëndetësore, sociale dhe juridike.
Automjeti i përshtatur është një nga katër që kanë operuar si pjesë e HAP-it. Tre të tjerat janë menaxhuar nga Handikos Gjilan, Agjencia për Ndihmë Juridike Falas dhe kompania mjekësore Horizon Consulting. Pothuaj 1000 persona janë asistuar përmes klinikave mobile që nga fillimi i projektit HAP. Pas dhurimit tek OJQ-të relevante dhe Ministria e Shëndetësisë, klinikat mobile do të vazhdojnë të funksionojnë.
Punëtorët humanitare të Shoqatës Humanitare dhe Bamirëse 'Nëna Terezë' e kanë vizituar herë pas here hallën Remzije gjatë vitit të shkuar, duke kontrolluar shëndetin e saj, duke i sjellë barnat që i nevojiteshin dhe duke e çuar tek fizioterapistja. Halla Remzije ka një ijë të dëmtuar, çka i shkakton dhimbje dhe vështirësi gjatë ecjes, dhe mund të shërohet vetëm me zëvendësim të ijes. Ajo e ka pasur këtë problem për aq kohë sa mban mend. Jetesa e saj vetëm, në periferi të qytetit, së bashku me gjendjen e saj, e vështirëson udhëtimin e hallës Remzije dhe përmes Klinikës Mobile të HAP-it, punëtorët humanitarë janë siguruar që ajo të marrë ndihmën e nevojshme.
Teksa çorapet e leshta të hallë Remzijes ishin pa markë, veshjet që i bën një tjetër përfituese janë të etiketuara.
Elki Gojani Ricami është një rrobaqepëse autodidakte. Ajo ka pesë vjet që qep veshje. Para kësaj, ajo ka punuar me bashkëshortin e saj në biznes tregtar.
“Qepja e veshjeve ka qenë gjithmonë një pasion i imi; unë thjesht nuk iu futa profesionalisht kësaj pune deri pesë vjet më parë,” shpjegon Elki. “Burri im filloi të merrte disa pëlhura nga Italia. I mbajta disa dhe fillova të qepja fustane, dhe mirë… pjesa tjetër është histori”, thotë ajo duke buzëqeshur. “Tani bëj pallto, xhaketa, më shumë fustane, bluza, këmisha dhe çdo gjë që mund të mendoni”, shton ajo.
Elki filloi të qepte rroba me dorë. Veshjet që ajo bënte pesë vite më parë ishin të thjeshta dhe nuk kërkonin shumë shkathtësi. Por me kalimin e kohës, ajo vendosi të mësojë vetë të bëjë më shumë. Ajo kurrë nuk studioi për dizajn mode, apo qepje; në vend të kësaj, ajo mësoi duke parë video në YouTube dhe duke praktikuar.
Por sado që ajo ishte e gatshme dhe e etur për të mësuar, diçka po e pengonte.
“Kur fillova, kisha vetëm një makinë qepëse të thjeshtë. Por ka gjëra që nuk mund t’i bësh vetëm me këtë. Ashtu si rruazat dhe tegelat e vrimave të pullave, për shembull. Ose xhaketat dhe jakat dhe xhepat e këtyre palltove dhe xhaketave. Më duhej të hekurosja me dorë ngjitësin që e mban të bashkuar. Do të më duheshin 2-3 ditë për të bërë një pallto, nga fillimi në fund, dhe nuk do të kisha kohë të bëja gjëra të tjera. Nuk ishte shumë fitimprurëse, kupton?” shpjegon Elki. “Por që kur mora këtë pajisje shtesë vitin e kaluar, gjithçka është bërë shumë më e lehtë,” shton ajo.
Elki është një nga 25 gratë nga Gjakova që kanë marrë trajnime si pjesë e Projektit të Ndihmës Humanitare, me qëllim të fuqizimit ekonomik të grave në përgjigje ndaj pandemisë COVID-19. Trajnimet u ndihmuan grave t’i zhvillojnë më tej shkathtësitë e tyre në drejtim të inovacionit, zhvillimit të planit të biznesit, ndërmarrësisë dhe marketingut digjital. Trajnimet u përfunduan me mbështetje praktike, ku secila grua miri pajisje të përshtatura për nevojat e saj, për t’u ndihmuar të hapin biznese të reja ose të forcojnë ato ekzistuese.
Aktiviteti është realizuar në partneritet me UN Women Kosova, me trajnime të realizuara në bashkëpunim me Shoqatën e Grave të Biznesit 'SHE-ERA'. Gjithsej 81 gra u trajnuan si pjesë e projektit HAP; përveç grave nga Gjakova, janë trajnuar edhe 26 gra nga Peja dhe 30 nga Mamusha. 51 gra që jetojnë në situata të cenueshme morën pajisje.
Elki mori dy lloje pajisjesh: një makinë ngjitëse për pallto dhe një hekur së bashku me dërrasën e hekurosjes.
“Dikur bëja një pallto në 2-3 ditë, tani bëj 2-3 pallto në ditë”, thotë Elki falënderuese. Dhe trajnimet më kanë ndihmuar shumë. Kam mësuar si ta promovoj më mirë biznesin tim dhe shkathtësitë e mia. Tani kam klientë edhe jashtë Gjakovës”, thotë ajo.
Përveç përdorimit si hobi ose për punë profesionale, fijet dhe gjilpërat mund të përdoren për të lehtësuar stresin, veçanërisht në situata të vështira si ato që solli pandemia. Dëshmitarë të kësaj janë banorët dhe vizitorët e Shoqatës Humanitare për Nënat me Fëmijë me Aftësi të Kufizuara Intelektuale “Hader” në Prizren.
“Ato punojnë me grep, thurin, qepin, bëjnë bizhuteri me rruaza dhe bëjnë lloj-lloj punimesh të tjera. Kjo i ndihmon dhe i bën të lumtura”, thotë Resmije Krasniqi, bashkëthemeluese dhe drejtoreshë e 'Hader'.
E themeluar në vitin 1999, 'Hader' ishte një iniciativë e disa nënave, fëmijët e të cilave janë me probleme mendore; Resmija është njëra prej tyre.
“Vajza ime është arsyeja që e bëj gjithë këtë. Kujdesi për të më bëri të mendoj për fëmijët me nevoja të veçanta, nënat e tyre, dhe sa shumë doja t’u ndihmoja. Dhe isha veçanërisht e shqetësuar për mirëqenien e fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore, të cilët nuk kishin kush të kujdesej për ta. Kush do t’u ndihmonte atyre?” pyet Resmije.
‘Hader' ka pesë banorë, ndërsa pjesa tjetër janë vizitorë që vijnë në mëngjes dhe qëndrojnë për disa orë. Qendra strehon fëmijë si dhe të rritur me aftësi të kufizuara, pavarësisht nga mosha, përkatësia etnike apo feja e tyre.
“Hader është shtëpia e kujtdo që ka nevojë”, thotë Resmija. Dhe një nga ata që ka nevojë është Beqir Lami, i cili jeton aty prej vitit 2014.
“Kur erdhi për herë të parë këtu, ishte i alkoolizuar. Nuk kishte kulm mbi krye. E mora dhe i ofrova strehë dhe që atëherë ai jeton me ne”, shpjegon Resmija.
Beqiri është veteran invalid i konfliktit të vitit 1999 në Kosovë. Beqiri ka qenë i martuar dhe ka një djalë dhe një vajzë. Por Beqiri nuk ka shumë kontakte me asnjërin nga fëmijët e tij.
“Jetoja një jetë krejtësisht të ndryshme atëherë,” thotë Beqiri, duke u përpjekur t’i mbledhë ato pak kujtime që ka nga ajo kohë. “Pija shumë. Isha në depresion dhe agresiv. Por motra më ndihmoi të shërohem”, thotë ai duke parë Resmijen, e cila i buzëqesh me admirim dhe krenari.
“Beqiri ka bërë rrugë të gjatë”, thotë Resmija. “Ai madje ia kthen këtij vendi. Në fund të fundit është shtëpia e tij”, thotë ajo. “Ai ndihmon, punon në kopsht, luan me fëmijët dhe kujdeset për shtëpinë,” qesh ajo. “Dhe përpiqem të kujdesem edhe më mirë për të që nga rinovimi,” shton Beqir duke qeshur.
Ai i referohet rinovimeve që 'Hader' i ka bërë me grantin që ka marrë nga HAP. Organizata humanitare është një nga 11 qendrat rezidenciale të mbështetura përmes projektit të financuar nga BE-ja, për të ndihmuar në rehabilitimin, rinovimin dhe rindërtimin e objekteve të tyre, duke u lejuar që nga ana tjetër të ofrojnë kujdes edhe më të mirë për familjet që ndihmojnë.
Duke marrë pak më shumë se 8000 euro, 'Hader' mundi të zëvendësojë kuzhinën e tyre të vjetër me një të re, të blejë divane, një furrë gatimi me dru, tavolina dhe karrige, si dhe shtretër e gardërobë për pesë banorët.
“Hader” ka përfituar shumë nga projekti HAP. Për shkak të rehabilitimit, shërbimet e përditshme sociale tani janë më të lehta për t’u ofruar. Posaçërisht nga mbështetja kanë përfituar personat e strehuar këtu, sepse me përmirësimin e kushteve të banimit është përmirësuar edhe mirëqenia e tyre”, thotë Resmija.
I themi lamtumirë, duke i lënë Beqirin dhe Resmijen duke parë fotot e bëra ndër vite, duke folur për kujtimet dhe duke falënderuar sa larg kanë arritur.
Sigurimi i katër klinikave mobile, trajnimet dhe pajisjet e ofruara për të forcuar fuqizimin ekonomik të grave, dhe grantet për rehabilitimin e 11 qendrave rezidenciale, ishin vetëm tri nga 13 aktivitetet e kryera si pjesë e Projektit të Ndihmës Humanitare të financuar nga BE-ja. Pesë prej tyre u zbatuan në partneritet me UN Women Kosova.
Nëpërmjet projektit HAP, UNDP-ja krijoi një Skemë me kuponë me vlerë pothuajse 3 milionë euro për të mbështetur 8,290 familje për 8 muaj. Familjet mund të blinin ushqime, produkte higjienike dhe nevoja të tjera sipas nevojave të tyre. U mbuluan shpenzimet e ujit dhe ngrohjes për 1819 familje për gjashtë muaj.
40 vullnetarë të komunitetit të OKB-së u vendosën për të mbështetur Qendrat për Punë Sociale (QPS) në mbarë Kosovën për të siguruar ofrimin në kohë të shërbimeve sociale. Kjo ofroi një mundësi për studentët e sapodiplomuar për të fituar përvojë të vlefshme pune, duke u bërë gjenerata e ardhshme e punëtorëve socialë.
Përveç 11 qendrave rezidenciale, 30 QPS u mbështetën përmes rinovimeve dhe rehabilitimit të targetuar. Nisma krijoi hapësira më të mira për të gjithë dhe bëri të mundur ofrimin e shërbimeve më cilësore për njerëzit në nevojë.
Më shumë se 200,000 gra dhe burra nga grupet e margjinalizuara u arritën përmes fushatave të organizuara nga UN Women Kosova që trajtuan stereotipet diskriminuese gjinore dhe normat sociale, me konsideratat e barazisë gjinore që u zbatuar gjatë të gjitha aktiviteteve të HAP-it.
Deri në 4,000 punëtorë të vijës së parë dhe vizitorë të QPS-ve dhe strehimoreve morën gjithashtu dezinfektues të nevojshëm duarsh, doreza mbrojtëse dhe maska për t’i ndihmuar të mbrohen nga virusi.
I udhëhequr nga parimi i Kombeve të Bashkuara 'të mos lëmë askënd prapa', projekti HAP ka qenë në qendër të përpjekjeve të UNDP-së për rimëkëmbje nga COVID-19, duke ofruar ndihmë për ata që kishin më shumë nevojë për të.
Storja nga Elsa Kelmendi, fotot nga Arben Llapashtica.