Që nga lindja, çdo individ ka të drejtën për një identitet!
Identiteti i një individi afirmon ekzistencën e tij në shoqëri dhe njeh unikalitetin e tij, duke i dhënë individit ndjenjën e përkatësisë," thotë Merita Ahma...
Identiteti i një individi afirmon ekzistencën e tij në shoqëri dhe njeh unikalitetin e tij, duke i dhënë individit ndjenjën e përkatësisë," thotë Merita Ahma, Oficerja e Mbrojtjes në Zyrën e UNHCR-së. "Megjithatë, ky fenomen kërkon një trajtim institucional sistematik në formën e krijimit të një mekanizmi sistemik efikas për identifikimin e personave të paregjistruar që nga lindja ose atyre që përballen me sfida në regjistrimin e lindjes së tyre dhe ofrimin e zgjidhjeve adekuate dhe të shpejta."
Në vitin 1999, mes trazirave të konfliktit, Shkurta Hoti dhe familja e saj u zhvendosën në Mal të Zi. Familja e madhe Hoti u strehua në dhomat e vogla të një strehimi kolektiv. Me kalimin e viteve, Shkurta kaloi nga fëmijëria në të rritur. Ajo u martua dhe lindi tre fëmijë. Dy prej fëmijëve të saj u regjistruan që në lindje, por në vitin 2015, ajo hasi në vështirësi për të regjistruar vajzën e saj të vogël vetëm me një kartë identiteti për personat e zhvendosur. Për shkak të reformave ligjore në vazhdim, asaj i duhej një dokument i vlefshëm ID për të regjistruar fëmijën e saj.
Shkurta kërkoi ndihmë nga UNHCR dhe partnerët e saj në Mal të Zi për mbështetje përmes ekipit mobil biometrik nga Kosova që po lëshonte dokumentacion personal për personat e zhvendosur. Pavarësisht pengesës fillestare të mungesës së provave të mjaftueshme për të qenë regjistruar në regjistrat e statusit civil, Shkurta u sigurua nga mbështetja dhe përpjekjet e vazhdueshme të UNHCR-së dhe partnerëve të saj, që më në fund çoi në regjistrimin e saj pas disa vitesh.
"Vështirësia e marrjes së dokumenteve të statusit civil zgjati shumë. Prindërit e mi nuk e regjistruan lindjen time. Kam pasur fat që u takova me UNHCR dhe avokatët e Programit për të Drejtat Civile në Kosovë (CRPK) të cilët me ekspertizën e tyre ligjore mbështetën betejën time për dokumentacion personal. Falë ndërhyrjeve të tyre, munda të kthehem në Kosovë, megjithëse dokumentet nuk ishin finalizuar. Për më tepër, me mbështetjen e tyre të zellshme dhe zyrtarëve të regjistrit të statusit civil në komunën e Pejës, procedura për regjistrimin e vonuar të lindjes u finalizua në vitin 2018. Më është lëshuar karta ime e parë e identitetit atë vit," kujton Shkurta.
"Ju e dini, nuk mund të bëni shumë pa një kartë identiteti. Isha e dëshpëruar sepse nuk mund të kisha qasje në asnjë shërbim si fqinjët e mi që posedonin dokumente personale."
Pasi Shkurta mori dokumentacionin e saj personal, ajo menjëherë kërkoi mbështetje për të regjistruar lindjen e vajzës së saj, Elmedina tetëvjeçare, në Podgoricë, vendi i lindjes së saj. Elmedina u regjistrua pesë vjet më vonë, vetëm në vitin 2023. Për fat të keq, kjo ndodhi për shkak të faktorëve të ndryshëm, në veçanti procedurave komplekse për regjistrimin pasues.
"Doja të siguroja një të ardhme më të ndritur për vajzën time dhe kjo ishte e mundur vetëm nëse ajo pajisej me dokumentacionin personal," shpjegon Shkurta.
UNHCR në Prishtinë, së bashku me organizatën e saj partnere ligjore CRPK, ishin të angazhuar që nga fillimi në mbështetjen e regjistrimit të vonuar të lindjes së Shkurtës dhe fëmijëve të saj. Dy nga fëmijët e saj, të cilët lindën në Podgoricë, u regjistruan në regjistrin e lindjeve dhe iu lëshuan ekstrakte të lindjes pas lëshimit të një karte identiteti në vitin 2018. Megjithatë, fëmija i saj më i vogël, Elmedina, nuk u regjistrua që në lindje në Podgoricë dhe certifikata e lindjes së saj nuk mund të lëshohej në Kosovë. Mbledhja e dokumentacionit provues, së bashku me procedurat e tjera ligjore, u vonua për shkak të disa faktorëve, duke përfshirë pandeminë. Sapo kushtet u përmirësuan, ekipet në Podgoricë dhe Prishtinë organizuan takime për regjistrimin e vonuar të lindjes.
"Përmes një telefonate të papritur, unë dhe bashkëshorti im u informuam se do të udhëtonim në Podgoricë. Nuk mund ta besonim deri sa një makinë e UNHCR-së mbërriti në shtëpinë tonë dhe filluam udhëtimin që do të siguronte për vajzën tonë të vogël zgjidhjen për statusin e saj 'e paregjistruar që në lindje'," kujton Shkurta. "UNHCR, CRPK dhe Aleanca Civile mblodhën dhe dorëzuan të gjitha dokumentet në emrin tonë. Pa mbështetjen e tyre, ne nuk do të kishim ditur si të regjistronim fëmijën tonë, cilat dokumente të paraqisnim apo ku të shkonim. Pa ta, do të ishim plotësisht të humbur."
Është për shkak të angazhimit, përfshirjes dhe reagimit të shpejtë të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Mal të Zi, që u trajtua kërkesa për regjistrimin e vonuar të lindjes dhe lëshimi i një certifikate lindjeje për Elmedina brenda një dite. Pas regjistrimit në Mal të Zi, Elmedina u regjistrua gjithashtu në Regjistrin e Statusit Civil të Kosovës duke i lejuar asaj të vendosë identitetin e saj të plotë ligjor.
"Bashkëpunimi ynë me individët në rrezik të statelessness, autoritetet, partnerët dhe aktorët e ndryshëm është thelbësor në adresimin e kërkesave komplekse individuale që kanë karakteristika të ndryshme; prandaj, rrugë të ndryshme drejt zgjidhjeve duhet të ndiqen individualisht dhe njëkohësisht," thotë Mentor Seferi, avokat i CRPK-së.
"Fatkeqësisht, autoritetet ende nuk kanë një pasqyrë të plotë, në mungesë të të dhënave zyrtare, mbi numrin e individëve të paregjistruar në Kosovë. Njerëzit e paregjistruar janë jashtëzakonisht të cenueshëm. Pa ndihmën e duhur ligjore, ata nuk mund të navigojnë në procedurat komplekse dhe burokratike," thotë Milanka Bazdar, Zyrtare për Zgjidhjet e Qëndrueshme nga zyra e UNHCR-së të Shefit të Misionit.
UNHCR vazhdon të ndjekë rolin e saj humanitar në mundësimin e njerëzve më të cenueshëm për të marrë zgjidhjen për identitetin e tyre, duke vepruar kështu nën mandatin e saj për parandalimin e statelessness-it si dhe në koordinim dhe bashkëpunim të përbashkët me partnerë të ndryshëm operacionalë për të arritur Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm 16.9 dhe objektivat specifike.