Hapja e Edicionit të Tretë të Festivalit Multikulturor - “Gratë, Arkitektet e Shoqërisë”
Festivali Multikulturor këtë vit do të mbahet në datat 2, 3 dhe 4 qershor, me temën “Gratë, arkitektet e shoqërisë”.
OJQ “Zëri i romëve, ashkalive dhe egjiptasve” për herë të tretë organizon Festivalin Multikulturor me qëllim të vetëdijesimit për sfidat, fuqizimin, paragjykimet dhe stereotipet që ekzistojnë ndaj grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas.
Qëllimi kryesor i festivalit është mbledhja e akterëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, politikëbërësve kyç me ndikim dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut. Ky vit u kushtohet grave, tek të cilat gjejmë më shumë se kudo tjetër frymëzim, forcën e guximit, dashurisë, karakterit, vizionin e madh për të ardhmen, dhe shpresën për ditët me diell.
Festivali i sivjetshëm filloi me një panair biznesi në mjedis të hapur ku u mbajtën prezantime nga artistë të rinj të shquar kosovarë, duke përfshirë piktorë dhe muzikantë, si dhe fjalët hapëse nga përfaqësuesit kombëtarë dhe ndërkombëtarë që e mbështesin festivalin.
Shkëlqesia e saj znj. Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës iu drejtua të pranishmëve duke thënë: “Të dashura gra dhe vajza të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas, keni sfida dyfish më të vështira. E dini sa e vështirë është të thyhen barrierat në shoqëritë patriarkale. Jeni frymëzim për secilin prej nesh, për gratë që ju takojnë sot për herë të parë dhe për gratë e komuniteteve tuaja”.
Shkëlqesia e saj znj. Pia Stjernvall, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë tha: “Më vjen mirë që ju shoh këtu. Kemi ardhur për të festuar dhe për t’i vlerësuar romët, ashkalitë dhe egjiptasit. Ne e mbështesim këtë organizatë sepse mendojmë se ata bëjnë një punë të shkëlqyer dhe jemi të nderuar që mund ta mbështesim punën e tyre”.
Katharina Stocker, Drejtoreshë e Zyrës Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë, tha: “Zvicra punon me organizata të ndryshme për të avokuar për ndryshim dhe luftë kundër racizmit. Më vjen mirë që shoh këtu gra ndërmarrëse që kanë hapur biznese edhe pse kanë pasur shumë pengesa për të hyrë në tregun e punës”.
Znj. Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, tha: “Pandemia na ka mësuar se: Asnjë krizë nuk kalon pa ndikuar tek gjinitë: gruaja do të ketë gjithmonë barrën më të madhe. Më pëlqen titulli i festivalit, “Gratë, arkitektet e shoqërisë” sepse për të qenë arkitekte ndonjëherë i shembim gjërat dhe këtu duhet të shemben barrierat me të cilat kemi jetuar prej kohësh”.
Z. Isak Skënderi, Drejtor Ekzekutiv i Zërit të Romëve, Ashkalive dhe Egjiptasve, tha: “Shoqëria jonë duhet ta pranojë konceptin e multikulturalizmit dhe barazisë si një proces natyror që vetëm do të na bëjë më të pasur dhe më të mirë”.
Krahas aktiviteteve të ndryshme përgjatë tri ditëve të festivalit do të ketë edhe diskutime për çështje që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në shoqëri, duke përfshirë panelistë të ndryshëm nga vendi dhe rajoni.