57
Ka një qytezë në Kosovë, me një kulturë të veçantë dhe, mbi të gjitha, një jetë të ndarë nga pjesa tjetër e Kosovës. Ai shpërfaq historinë por edhe të ardhmen, peisazhet e bukura dhe monumentet e krishtera.
Kjo qytezë gjendet në komunën e Lipjanit, në Kosovën qendrore, dhe quhet Janjevë. Është një Kosovë në miniaturë pasi banorët e saj përfshijnë shqiptarë, kroatë, romë, turq, ashkali, boshnjakë dhe serbë, dhe ishte e njohur për tregtarët kroatë të plastikës në vitet 1990 dhe suxhukun e famshëm.
Hyrja në Janjevë është pasqyrë e një bote të izoluar. Disa prej shtëpive janë braktisur vitet e fundit, hajatet e tyre janë të mbushura me bimë dhe barëra të këqija, të krijohet përshtypja se njerëzit po e braktisin këtë vend. Kushtet ekonomike nuk janë ideale dhe potenciali i këtij vendi është i pashfrytëzuar. Monumentet e kulturës janë një burim potencial të hyrash dhe mund ta kthejnë këtë qytezë në atraksion për turistët, duke sjellë me vete progresin ekonomik.
Në mes të kësaj qyteze ndodhet Kisha e Shën Nikollës e shekullit të 13-të, që shfaqet krejt natyrshëm, e rregulluar dhe e organizuar. Aty jeton një burrë që kujdeset për këtë kishë dhe komunitetin katolik. Don Matej gjithë jetën e ka kaluar rreth kësaj Kishe, në të cilën janë ngulitur shekuj jete, veçantie dhe përkushtimi ndaj besimit katolik. Kisha është mirëmbajtur me ndihmën e komunitetit lokal.
Viteve të kaluara, rehabilitimi i kësaj kishe është mbështetur përmes projektit të financuar nga BE-ja “Dialogu ndërmjet komuniteteve përmes ruajtjes gjithëpërfshirëse të trashëgimisë kulturore”, i zbatuar nga UNDP-ja.
“U bëmë me kulm dhe shkallë të reja që të çojnë në kambanoren e kishës. Gjithashtu janë bërë disa punime shtesë brenda, përfshirë edhe lyerjen”, na tha Don Matej, duke na përkujtuar se jeta në Janjevë është e vështirë.
Ndërprerjet e shpeshta të energjisë elektrike dhe mungesa e ujit janë disa nga problemet e tyre kryesore. “Ne kishim një traditë të mrekullueshme të kalërimit në qytezën tonë. Kjo sillte vizitorë këtu, por për shkak të mungesës së ujit nuk kemi mundur ta vazhdojmë”, shpjegon Don Matej.
Duke biseduar me të, një banor i vendit, Muharrem Gashi, erdhi për të kërkuar ndihmë dhe për ta falënderuar Don Matej për veshjet e reja. Muharremi na tha se është i varfër, por Don Matej i tha: “Kush ka vullnet nuk mund të jetë i varfër!” Muharremi u largua me humor të mirë pasi foli me të.
Për Don Matejin, ruajtja e një monumenti historik është nder dhe mision i shenjtë, të cilit ai i është përkushtuar. Asgjë nuk është e vështirë për të: “Kisha e Shën Nikollës daton nga shekulli i 13-të, por u përfundua plotësisht në 1856. Ne kemi ngjarjen tonë kryesore të përvitshme: Festën e Shën Nikollës më 6 dhjetor, kur këtu mblidhet i gjithë komuniteti, duke përfshirë edhe shumë që kanë ikur në Kroaci”.
Duke parë kishën e bukur në të cilën shërben, Don Matej na shpjegon se si do të jetë qyteza e Janjevës kur monumentet e kulturës dhe fesë do ta ndihmojnë në forcimin ekonomik të njerëzve. Ai mendon se ekonomia varet nga të tjerët, nga vizitat, nga turistët, nga turizmi rural etj.
Janjevasit ishin dikur me emër për “suxhukun” dhe për prodhimin e plastikës. “Të gjitha këto përparësi që i kemi varen nga furnizimi stabil me energji elektrike dhe ujë”, na tha Don Matej.
Në personalitetin e tij është skalitur shpirti i Janjevës. Ai na tregon me mall për fëmijërinë e tij me shumë fëmijë, i ardhur nga një familje me 11 fëmijë, shtatë motra dhe katër vëllezër: “Më kujtohet, kishim një shtëpi dykatëshe dhe aty ishte një dhomë e madhe për miqtë, e cila ishte gjithmonë e mbyllur.
Isha 10 vjeç kur hyra për herë të parë. Isha kaq i lumtur. Ishte aq e pastër dhe me perde të veçanta, atë dhomë e quanim “Guljema soba” (Dhoma e madhe).”
Don Matej e krahason fëmijërinë e tij me situatën e sotme - tani Janjeva ka vetëm 164 banorë të kombësisë kroate dhe shumë prej tyre janë larguar në Kroaci për mundësi më të mira ekonomike.
Ai shpreson për një të ardhme më të mirë. Ai beson se investimet në këtë qytet do t'i kthejnë njerëzit në shtëpitë që i presin të zbrazëta. Edhe pse shumë shtëpi janë braktisur dhe shkatërruar, potenciali turistik i këtij vendi është premtues dhe mbi të gjitha unik.
“Shpresoj, shpresoj shumë, që të vijë dita që ta rikthejmë krenarinë e këtij vendi në lavdi të plotë dhe të ndryshojmë rrjedhën e përparimit”, na thotë Don Matej.
Nuk do të ndiheni indiferentë pas largimit nga Janjeva. Ju do të largoheni, por do të riktheheni për këto peisazhe të bukura. Duket se do të shihemi edhe shumë herë.