Teksa riciklimi i qelqit redukton ndjeshëm ndotjen e ajrit dhe ujit, praktika mbetet e paeksploruar në Kosovë. Ky ishte një nga shqetësimet kryesore të Dugagjin Berishës, adhuruesit të mjedisit dhe babait të pesë fëmijëve, i cili ishte i gatshëm të provonte riciklimin e qelqit si një veprim shoqëror dhe mjedisor me përfitime financiare.
I lindur dhe i rritur në Gjakovë, Dugagjini njihet për përkujdesjen për lagjen ku jeton - deri në atë masë sa që ka mundur ta rrisë shumë vetëdijesimin e banorëve të vendlindjes së tij. Zona e kompleksit ku ai jeton ka qenë një zonë parkimi me pluhur dhe baltë. Falë punës së palodhur të Dugagjinit, parkingu tashmë është kthyer në kopsht të bukur që ka edhe një fushë basketbolli për fëmijët e lagjes. Veç kësaj, ai importoi dhe instaloi një sistem për ujitje; por asnjëherë nuk e ka përdorur ujin e pijshëm për ujitje. Në vend të kësaj, ai rregulloi një pus të vjetër prej disa dekadash dhe që ekzistonte në kompleks. “Marin Barleti” për shumë vite shquhet si lagje model – jo vetëm në Gjakovë, por edhe në komunat fqinje.
Ky ndërmarrës ishte nxitur nga dëshira për ta mbrojtur mjedisin në këtë zonë me sistem jofunksional për menaxhim të mbeturinave, shkaku i të cilit mbeturinat shpesh përfundonin në vendgrumbullime të paligjshme. Një nga kontributet e tij është ndarja e mbeturinave, veçanërisht për materialet si letra, metali dhe plastika, të cilat përpunohen për riciklim në zonën “Marin Barleti”.
“Gjatë ndarjes së këtyre mbeturinave, vura re se nga mbeturinat e grumbulluara kishte mbetur vetëm qelqi, dhe ky ishte momenti që e kuptova se ka një hendek në treg”, thotë Dugagjini.
Procesin ai filloi pa asnjë ndihmë - përveç një mbështetje të madhe morale nga familja e tij dhe njerëzit e tjerë përreth tij. Nismës iu bashkuan dalëngadalë edhe bizneset e vogla, teksa në lagjen e tij u grumbulluan kilogramët e parë të mbetjeve të qelqit. I njohur si qytetar aktiv, ai do të organizonte çdo javë pastrimin e zonës së lagjes, ku edhe fëmijët ishin të gatshëm dhe të plot dëshirë për pastrim dhe riciklim.
Kur familjarët e tij panë ambiciet dhe idetë e tij, u bindën plotësisht ta mbështesnin. Disa prej tyre e mbështetën financiarisht, disa me marketing dhe marrëdhënie me publikun, por edhe duke punuar në deponi, duke ndarë dhe pastruar xhamin për riciklim. Familja e tij tani është plotësisht e angazhuar në operacionet e përditshme.
“Fillimi ishte i vështirë, por më pas morëm mbështetje nga banorët, familja ime dhe bizneset e vogla nëpër qytetin tim. Fillova me një të punësuar, tani bashkë me të gjithë familjarët e angazhuar kemi 9 të punësuar, një deponi të vogël për mbetje qelqi dhe një strategji ambicioze. Plani im është ta bëj kompaninë plotësisht të qëndrueshme, të punësoj më shumë njerëz dhe në fazat e mëvonshme, të filloj prodhimin e qelqit nga qelqi i ricikluar dhe ta bëj Kosovo Glass Recycling (KGR) kompaninë e parë që e bën këtë në Kosovë dhe rajon. Vizioni im është gjithashtu ta kthej në biznes atraktiv për investitorët evropianë për të siguruar grumbullimin dhe riciklimin në mbarë Kosovën”, thotë Dugagjini.
Deri më sot, Kosova Glass Recycling është i vetmi biznes i këtij lloji në Kosovë. Për më shumë se një vit, ai funksionoi plotësisht me financim familjar dhe nuk gjeneroi asnjë fitim. Por kohët e fundit biznesi filloi të lulëzojë me kërkesat e klientëve. Me kapacitet të shtuar dhe infrastrukturën më moderne në vend, KGR mund të përmbushë kërkesat e tregut duke forcuar përgjegjësinë e vet shoqërore të korporatës: duke punësuar më shumë individë për të trajtuar shkallën e lartë të papunësisë në qytetin e tij, duke kontribuar në të njëjtën kohë në restaurimin e ekosistemit duke ricikluar sasi të mëdha të qelqit.
Për vizionin e tij për kompaninë Dugagjini thotë: “Synoj të jem lider në riciklimin e qelqit në rajon për përpunim dhe riprodhim; qëllimi im është të punësoj mbi 100 persona të angazhuar në mbledhjen, riciklimin dhe riprodhimin. KGR e sheh veten të pranishme në të gjitha komunat kryesore të Kosovës si akter kryesor në kontributin për një mjedis më të pastër”.
Si ambientalist i pasionuar Dugagjini na thotë se këtë po e bën që brezat e ardhshëm të gëzojnë një mjedis më të gjelbër.
Kosova ka nevojë për më shumë nisma të tilla, të cilat mbështesin zhvillimin e qëndrueshëm mjedisor dhe krijimin e vendeve të punës. Dugagjini është shembull i shkëlqyer se si ndryshimet e vetëdijshme në nivel individual janë vendimtare - nuk mjafton ta kesh sistemin, por duhet edhe gatishmëria për ndryshim. E dimë se Toka varet nga njerëzit dhe jo anasjelltas. Duhet t’i vlerësojmë iniciativa si kjo, t’i lavdërojmë dhe t’i ndajmë me të tjerët.