Edicioni i 16-të i çmimeve vjetore të gazetarisë për Çrrënjosjen e Varfërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës – AGK, në bashkëpunim me Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNKT, nën koordinimin e Zyrës së Koordinatores për Zhvillim – Ulrika Richardson, organizoi edicionin e 16-të të çmimeve vjetore të gazetarisë “Çmimi për raportimin më të mirë mbi Çrrënjosjen e Varfërisë”.
Edicioni i 16-të u mbajt nën moton “Portretizimi i përgjegjshëm i varfërisë”, ku u ndanë pesë çmime nga përfaqësues të UNKT-së.
Këtë vit, në kategorinë “Video-storja e shkurtër më e mirë” u shpërblye storja e gazetares Genta Zejnullahu nga TV Syri. Çmimi u dorëzua nga Manushaqe Hoxha-Krasniqi, Zyrtare e Lartë për Marrëdhënie me Jashtë nga Zyra e Shefit të Misionit të UNHCR-së në Kosovë.
Çmimi për “audio-storjen më të mirë” iu nda gazetarit të Radio Kosova 2, Denis Galushi. Çmimi u dorëzua nga Visare Mujko-Nimani, shefe e Zyrës së UNFPA-së për Kosovë.
Çmimi për “Storjen e shkruar më të mirë” iu nga gazetarit të Grupit KOHA, Fitim Gashi. Çmimi u dorëzua nga Përfaqësuesja e Përhershme e UNDP-së në Kosovë, znj. Maria Suokko.
Teksa në kategorinë “Dokumentari më i mirë televiziv”, çmimin e fitoi dokumentari “Sot, për nesër”, i gazetares Vjosa Çerkini. Çmimi u dha nga shefi i zyrës së UNOPS-it për Kosovën, z. Brendan Kiernan.
Fotografi i pavarur Valdrin Fetahu u shpërblye me çmimin “Fotografia më e mirë”. Çmimin, në emër të UN Women, e ndau znj. Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim.
Përveç ceremonisë për ndarjen e çmimeve, të pranishmëve iu drejtuan kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, dhe Koordinatorja për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara, Ulrika Richardson.
Z. Rexha tha se qëllimi kryesor i këtyre çmimeve është raportimi nga gazetarët i ndryshimit të politikave për zhdukjen e varfërisë.
Ndërsa znj. Richardson tha se gazetarët duhet të sjellin në vëmendjen e publikut se cilat janë shqetësimet në Kosovë. Gjithashtu, ajo shprehu shqetësimin e saj për sulmet që kanë ndodhur ndaj gazetarëve.
“Gazetarët janë ata që duhet të tërheqin vëmendjen e publikut se cilat janë shqetësimet në Kosovë, siç është varfëria. Kosova ka varfëri të skajshme dhe ky është një shqetësim serioz. “Varfëria e skajshme mund të çrrënjoset”, tha znj. Richardson
Edicioni i 16-të i ndarjes së çmimeve për raportimin më të mirë për çrrënjosjen e varfërisë, u mbështet edhe nga projekti “Promovimi i punës së denjë përmes forcimit të menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë, si dhe dialogut social në Kosovë”, i cili zbatohet nga UNOPS-i dhe financohet nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (Sida) përmes Ambasadës Suedeze në Prishtinë.
Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë
RCO
United Nations Resident Coordinator Office
UN Women
United Nations Entity for Gender Equality and the Empowerment of Women
UNDP
Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara
UNFPA
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë
UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët
UNOPS
Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projektit