Ngrini Zërin Tuaj dhe Punoni së Bashku që t’i Transformoni Jetët, Gjatë 16 Ditëve të Aktivizmit dhe Çdo Ditë
Fillon fushata 16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës në Baza Gjinore me aktivitete që bëjnë thirrje për eliminimin urgjent të dhunës ndaj grave!
Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës në Baza Gjinore, 25 nëntori, shënon fillimin e fushatës ndërkombëtare “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”. Nën temën globale “Ti japim fund dhunës ndaj grave tani!”, një sërë aktivitetesh shënuan fillimin e fushatës, duke nënvizuar nevojën urgjente për eliminimin e dhunës ndaj grave.
Në ditën e lansimit, në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” u organizua një ceremoni për të shënuar fillimin e fushatës duke e ndriçuar bibliotekën me ngjyrën portokalli, ngjyrën zyrtare të fushatës, dhe duke bërë thirrje për një të ardhme më të ndritshme për gratë dhe vajzat. Ngjyrosja e përvitshme në “Portokalli” e Bibliotekës Kombëtare u shoqërua me mjaft fjalime frymëzuese.
Drejtuesja e ceremonisë, Vlora Tuzi Nushi, udhëheqëse e Zyrës së UN Women, theksoi se edukimi është kura më e mirë kundër dhunës në baza gjinore. “Teksa nuk ka vaksinë kundër dhunës në baza gjinore, ne e kemi në dorë ta parandalojmë. Dhe vaksina më e mirë është edukimi. Fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës në Baza Gjinore” këtë vit përcjell një mesazh të fuqishëm: Ti japim fund dhunës ndaj grave tani!”
Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, tha se dhuna në baza gjinore mund të luftohet vetëm duke edukuar gjeneratat e reja dhe duke mbjellë kulturën e barazisë qysh herët tek vajzat dhe djemtë. “Parandalimi i dhunës fillon me edukimin, formal dhe informal. Është detyrë e të gjithëve ne që t’i edukojmë gjeneratat e ardhshëm pa norma të dëmshme gjinore, në mënyrë që gratë dhe vajzat të kenë një të ardhme më të mirë. Ne duhet të angazhojmë burra dhe djem, që të bëhen mbrojtës të të drejtave të grave dhe vajzave”, tha ajo.
Diellza Hoti, vajza e Armenda Aliut të cilën e vrau bashkëshorti i saj në gusht të 2019-ës, u bëri apel institucioneve përkatëse që ta trajtojnë me prioritet dhunën në baza gjinore dhe bëri thirrje që shoqëria t’i mbështesë dhe fuqizojë gratë. “E vetëdijshme për rëndësinë e kësaj fushate globale kundër dhunës ndaj grave, që nesër të mos ketë më viktima, sot jam mes jush. U bëj thirrje burrave dhe grave, djemve dhe vajzave, le të përfitojmë nga këto 16 ditë aktivizmi kundër dhunës në baza gjinore dhe më tej, ta ngremë zërin, ta raportojmë dhunën dhe së bashku t’i japim fund dhunës ndaj grave dhe vajzave, sot dhe përgjithmonë.”
Ceremonia e ndriçimit të bibliotekës u pasua me një koncert homazh për gratë e humbura nga dhuna në familje, i organizuar në bashkëpunim me Festivalin DAM. Solistja Adelina Paloja dhe pianistja Lule Elezi performuan teksa në sfond shfaqeshin emrat e 14 grave të vrara gjatë 10 viteve të fundit në Kosovë.
Në hapje të koncertit, fjalën e mbajti Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për Zhvillim në Kosovë, e cila deklaroi se ky koncert është një dedikim për të gjitha gratë që u përballën me një fund tragjik, pasi u besuan partnerëve të tyre. “Kur një grua vritet, shumë shpesh nga partneri i saj i dashur, kjo ndodh sepse ajo është grua. Sonte, ne po i përkujtojmë këto gra përmes muzikës që transmeton emocione, ndjeshmëri, solidaritet dhe shpresë.”
Çdo vit, nga 25 nëntori, Dita Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, deri më 10 dhjetor, Dita e të Drejtave të Njeriut, 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore janë periudha kur inkurajohen veprimet për t’i dhënë fund dhunës ndaj grave dhe vajzave anembanë botës. Kosova ka qenë pjesë e fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit” tash e disa vite përmes Grupit me shumë akterë për Sigurinë dhe Çështjet Gjinore (SGG) të kryesuar nga UN Women.
Një aspekt kyç i aktiviteteve të UN Women gjatë 16 ditëve të këtij viti është gjithashtu puna me sektorin privat. Rreth 20 kompani dhe korporata të sektorit privat i janë bashkuar fushatës së këtij viti, duke rritur vetëdijesimin e stafit dhe klientëve të tyre për rolin e sektorit privat në parandalimin e dhunës në baza gjinore. Më tej, duke synuar adresimin e normave dhe stereotipeve të dëmshme gjinore, ndryshimin e normave sociale dhe vetëdijesimin e publikut për nevojën e eliminimit të dhunës ndaj grave, këto kompani kanë shfaqur produkte me logot e fushatës dhe kanë publikuar materiale të fushatës në rrjetet e tyre sociale. Këto kompani dhe korporata janë zotuar ta përfshijnë barazinë gjinore në kulturën, politikat dhe praktikat e vendit të punës me një ndikim të rëndësishëm si në biznes ashtu edhe në komunitet. Për të shënuar pjesëmarrjen e sektorit privat, UN Women së bashku me Abi Çarshia, Cinemarine, organizuan një ceremoni dhe një shfaqje të posaçme të filmit ZGJOI. Aktiviteti mblodhi përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile dhe Mekanizmave të Koordinimit Kundër Dhunës në Familje. E ftuara e posaçme e mbrëmjes, znj. Fahrije Hoti, heroina e vërtetë mbi jetën e së cilës u bazua filmi ZGJOI, ndezi ndriçimin portokalli mbi ABI Çarshinë dhe bëri thirrje për shtimin e përpjekjeve për parandalimin e dhunës ndaj grave.
Më 29 nëntor, UN Women dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi lansuan Platformën Online për Ndihmë Juridike Falas. Kjo platformë, si pjesë e Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas, do të sjellë shpresë të re për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe në baza gjinore, pasi që do të lehtësojë qasjen në ndihmën juridike falas (dhe qasjen e përgjithshme në drejtësi) me fokus tek gratë nga komunitetet e margjinalizuara, gratë me aftësi të kufizuara, si dhe gratë nga zonat rurale dhe nga shtresat e pafavorizuara ekonomike. Platforma është shumë e lehtë për përdoruesit, e disponueshme në gjuhën shqipe dhe serbe, si dhe ofron mundësi të shumta përmes së cilave gratë mund të komunikojnë me avokatët e IKD-së dhe të kenë qasje më të lehtë në të drejtat e tyre.
Duke folur gjatë aktivitetit, Ulrika Richardson, UNDC, tha: “Platforma e re online e lansuar sot është një hap i madh përpara për të garantuar drejtësi për gratë dhe vajzat e mbijetuara nga dhuna në baza gjinore. Fakti që është lansuar gjatë fushatës globale #16ditë i jep një simbolikë dhe kuptim të veçantë. Platforma e re do t’u mundësojë grave të kenë qasje në njohuri për hapat që duhet të ndërmarrin për të siguruar drejtësi, veçanërisht për të mbijetuarat e dhunës në familje dhe dhunës në baza gjinore. Nëpërmjet kësaj platforme gratë dhe vajzat do t’i njohin të drejtat e tyre dhe do të kenë mjetin për t'i kërkuar ato.”
Kuvendi i Kosovës iu bashkua fushatës “16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës në Baza Gjinore”, ku deputetët e Kuvendit të Kosovës mbanin shalle dhe simbole të tjera portokalli në mbështetje të fushatës, për të rritur vetëdijesimin për nevojën e eliminimit të dhunës në baza gjinore. Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, bëri thirrje për solidaritet të vazhdueshëm dhe përpjekje të vazhdueshme dhe veprime për parandalimin e dhunës ndaj grave, si dhe për ruajtjen dhe mbrojtjen e dinjitetit të tyre.