Ka Ardhur Koha që Qyteteve Tona t’u Japim më Shumë Hapësirë (të Gjelbër)
Ka ardhur koha që qyteteve tona t’u japim më shumë hapësirë (të gjelbër).
Rritja e vetëdijesimit për sfidat e çështjeve klimatike dhe gjetja e mënyrave për adresimin e ndryshimeve klimatike është prioritet kryesor për Kombet e Bashkuara. Në këtë seri blogesh që përbën një pjesë të fushatës sonë për Veprimin për Klimën në Kosovë gjatë periudhës nëntor-dhjetor 2021, kemi ftuar ekspertë dhe të rinj nga Kosova që të ndajnë pikëpamjet e tyre.
Dion Deva është themelues dhe kryeshef ekzekutiv i TePema,
kompani e zgjidhjeve për hapësira jetese me projektim të
gjelbër dhe të qëndrueshëm, që vepron në industrinë e
Qyteteve inteligjente e të qëndrueshme. Te Pema është
produkt teknologjik inovativ, që përmirëson cilësinë e ajrit, si
dhe përbëhet nga një instalim panelesh, bimësh, si dhe sistemi
i ujitjes së integruar, që pastron ajrin me kapacitet maksimal.
Në këtë blog me mysafirë, Dioni flet për ndërlidhjet midis
ndryshimeve klimatike dhe ndotjes së ajrit, si dhe si t'i trajtojmë
këto nëpërmjet një kombinimi të inovacionit, teknologjisë dhe
dizajnit.
Ndërmarrja e veprimeve për ndotjen e ajrit shpëton jetë
Kur COVID-19 goditi botën, udhëheqësit globalë, qeveritë, komunitetet u bashkuan për trajtimin e sfidave të paprecedenta, në mënyrë që të mbrohej mirëqenia e qytetarëve dhe të sigurohej e ardhmja jonë. Kur COVID-19 goditi Ballkanin Perëndimor, pandemia iu shtua kërcënimit ekzistues dhe afatgjatë ndaj shëndetit tonë: ndotjes. Prej viteve 1960, banorët e Prishtinës kanë vuajtur nga probleme të rënda të ndotjes së ajrit, veçanërisht ato të gjeneruara nga termocentralet që djegin derivate fosile si thëngjilli. Ky “virus” nuk është i ri. Edhe pse e padukshme, dihet prej kohësh se ndotja e ajrit ka efekte të jashtëzakonshme negative në shëndetin tonë, përmes grimcave që thithim nga derivatet fosile që digjen për ngrohje nga familjet dhe nga termocentralet si Kosova A dhe Kosova B. Edhe pse i padukshëm, përqendrimi i këtyre grimcave të vogla dhe të imta në ajër është përgjegjësi kryesor për sëmundjet dhe madje edhe vdekjet e shkaktuara nga ndotja e ajrit.
Vlerësimet ndryshojnë, por analizat kanë treguar se më shumë se 10 milionë njerëz vdesin çdo vit nga një problem i tillë si ndotja e ajrit që nuk i kushtohet vëmendja e duhur. Thënë thjesht, ndotja e ajrit ka vrarë më shumë njerëz sesa COVID-19. Përveç shkurtimit të jetëve njerëzore, ndotja e ajrit mund të ndikojë negativisht në jetën tonë të përditshme, duke shkaktuar sëmundje të frymëmarrjes dhe duke rritur numrin e ditëve të mungesave në punë dhe shkollë. Fëmijët janë veçanërisht të cenueshëm prej ndikimeve të ndotjes së ajrit: nëse jeni të ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit gjatë fëmijërisë suaj të hershme, kur mushkëritë janë ende në zhvillim, mund të vuani nga ulja e kapacitetit të mushkërive deri në moshë madhore.
Për ta trajtuar këtë problem urgjent, ekipi ynë TePema vendosi të mblidhet dhe t’i bashkojë forcat për të punuar për një produkt të ri prototip të teknologjisë së fundit për efiçiencë të energjisë të quajtur "TePema Facade 2.0", i cili synon ta ulë për 30% çmimin e faturave të energjisë elektrike dhe të reduktojë 500 kg emetim të CO2 në vit nga çdo familje, kur një druri të rritur i duhen 50 vjet që të thithë 500 kg CO2. Për më tepër, mihja dhe djegia e derivateve fosile nuk është thjesht burimi kryesor i ndotjes së ajrit, por edhe shkaktare e ndryshimeve klimatike. Gjatë njëzet viteve të fundit, kemi qenë dëshmitarë të efekteve të ndryshimeve klimatike në Kosovë ndaj shëndetit tonë, ujërave, tokës, ekosistemit, ajrit, qyteteve, mjeteve të jetesës. Kur dizajnojmë dhe zgjedhim masat për cilësinë e klimës dhe ajrit, duhet të marrim parasysh si CO2 ashtu edhe ndotësit e ajrit, në mënyrë që të sigurohemi se mund të arrihen përfitimet e dëshiruara. Andaj, ndotja e ajrit nuk është problem i izoluar, por i lidhur ngushtë me sfidat më të gjera globale. Edhe më e rëndësishme është se ulja e varësisë nga derivatet fosile do të ndihmonte në arritjen e rezultateve më të mira shëndetësore përmes përmirësimit të cilësisë së ajrit, parandalimit të humbjeve në bujqësi, kufizimit të ndikimeve afatgjata, si dhe angazhimit në përpjekjet e vazhdueshme për përshtatje ndaj ndryshimeve klimatike.
Me mbështetjen e UNICEF-it, ne kanalizuam kreativitetin, entuziazmin, inovacionin e studentëve të Prishtinës në një hapësirë të gjelbër, duke sjellë më shumë oksigjen dhe natyrë në qytet. Planifikimi i mirë urban, duke përfshirë promovimin e hapësirave të gjelbra dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit, është thelbësor për të siguruar qytete më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme, veçanërisht kur gjithnjë e më shumë njerëzve zgjedhin të jetojnë në qendra të mëdha urbane. Kur filluam dizajnin industrial për eko-stolin "TePema T", ne konsideruam në mënyrë specifike sfidat më urgjente që prekin hapësirat moderne urbane, por edhe nevojat dhe preferencat kryesore të përdoruesve të tyre. Zgjidhja jonë ishte t’i adresonim të dyja nëpërmjet një kombinimi të dizajnit dhe teknologjisë.
Përmes dizajnit të një produkti të vetëm dhe mobil (Eko-stoli), ne trajtuam probleme të tilla si mungesa e hapësirës së gjelbër dhe sipërfaqet e mërzitshme të hirta dhe prej betoni që na rrethojnë kudo në Prishtinë. Integruam bimë, ujitje automatike dhe një sistem riciklimi të ujit të shiut në një produkt që lejon pastrimin e ajrit me kapacitet maksimal. Për ta shprehur në numra, kjo korrespondon me ekuivalentin e 300 bimëve në hapësira publike, por gjithashtu trajton çështjet e mungesës së qasjes në ujë për ujitje (një pengesë reale për qytetet dhe komunat!) për të siguruar që bimët të jenë të freskëta gjatë gjithë kohës. Njësia "TePema T" është me gjelbërim të përhershëm dhe i gjithë produkti funksionon përmes energjisë diellore.
Çelësi për arritjen e përfitimeve të shumta për cilësinë e ajrit, klimën, shëndetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm, është qasja shumë-dimensionale
Në këtë kornizë, qytetet po bëhen inkubatorët kyç të teknologjisë së re dhe inovacionit, por edhe pjesë e rëndësishme e mozaikut të masave për trajtimin e çështjeve të klimës dhe ndotjes së ajrit. Në nivel global, si dhe në Ballkanin Perëndimor, qytetet po rriten me shpejtësi, e po ashtu edhe numri i njerëzve që jetojnë në zonat urbane. Sipas Bankës Botërore, pritet që në vitet 2040, rreth 70% e popullsisë globale të jetojë në zonat urbane, kundrejt 50% që jetojnë tani.
Kjo do të thotë se janë “shumë të mëdha” përfitimet e kthimit të qyteteve tona në mbështetës të mjedisit. Por për të siguruar shëndet dhe mirëqenie më të mirë për qytetarët tanë, në mënyrë që të krijojmë mekanizma më të mirë paralajmërues dhe të zvogëlojmë riskun ndaj klimës, ne duhet të zhvillojmë infrastrukturën e duhur dhe të ndryshojmë mënyrën si e gjenerojmë energjinë që na duhet; si i ngrohim ndërtesat tona; si i freskojmë dhe ndriçojmë shtëpitë tona; si lëvizim dhe udhëtojmë gjatë jetës sonë të përditshme. Me fjalë të tjera, ka ardhur koha që qyteteve tona t’u japim më shumë hapësirë (të gjelbër).
Për të reduktuar nxehtësinë urbane dhe për të rregulluar mikroklimën, TePema projektoi dhe zbatoi projektin e parë të Kopshtit Vertikal në Kosovë, i vendosur në afërsi të bulevardit "Bill Clinton" në zemër të Prishtinës. Pas dy viteve të gjata të punës përgatitore, iniciativa u realizua për vetëm katër muaj, çka tregon se ndryshimi pozitiv dhe transformues në Kosovë është i mundur përmes kombinimit të teknologjisë, përkushtimit dhe kreativitetit. Në disa raste, kompani si TePema financohen drejtpërdrejt nga qeveria, vlerësohen si interes strategjik dhe iu ofrohen stimuj të veçantë financiarë ose të tjerë për të lehtësuar barrën burokratike. Gjermania është një shembull i mirë i kësaj qasjeje, dhe më shumë qeveri duhet të ndjekin këtë model.
Ne kemi nevojë që qeveritë, sektori privat dhe organizatat t’i bashkohen lëvizjes për qëndrueshmëri dhe të angazhohen plotësisht për të krijuar qytete të gjelbra, neutrale ndaj karbonit dhe të shëndetshme. Ne kemi zhvilluar një iniciativë të re të zhvillimit urban prej 15 kilometrash të quajtur "Shtegu i Gjelbër i Prishtinës", i cili lejon nxitjen e modeleve të ecjes dhe krijon një zonë tampon mes zhurmës urbane dhe emetimeve të makinave. Ndër të tjera, ideja do të mundësonte përmirësimin e jetesës dhe përvojës së qytetit për banorët, përveç arritjes së përfitimeve të rëndësishme shëndetësore dhe mjedisore. Por për ta kthyer këtë ide në praktikë, kemi nevojë për udhëheqje nga institucionet publike, sektori privat dhe OJQ-të. Së dyti, ne duhet ta pranojmë potencialin dhe idetë e të rinjve për t’i bërë qytetet tona më të gjelbra, si një forcë e pandalshme që i vendos veprimet klimatike, cilësinë e ajrit dhe zhvillimin e qëndrueshëm në zemër të qyteteve dhe strategjive tona.
Për mua, si ndërmarrës i ri dhe aktivist për klimën, kjo është një mundësi për të hapur një rrugë transformuese të drejtuar nga të rinjtë, udhëheqës të frymëzuar dhe ndërmarrës vizionarë, për të punuar së bashku dhe për të ndërmarrë veprime për ndotje më të ulët të ajrit dhe qytete më të gjelbra në Kosovë.
Pikëpamjet e shprehura në këtë dokument janë të autorit dhe nuk paraqesin medoemos pikëpamjet e Kombeve të Bashkuara.
Çka po bëni për t’i luftuar ndryshimet klimatike? Bëni tweet në lidhje me këtë me hashtag #KosovoClimateAction. Ose kërkoni nga punëdhënësi juaj që të bashkohet me Zotimet Vullnetare
English: https://www.surveymonkey.com/r/GMKTKJ6
Albanian: https://www.surveymonkey.com/r/GMKTKJ6?lang=sq
Serbian: https://www.surveymonkey.com/r/GMKTKJ6?lang=sr