Një Shpirt i Mirë: Storja e Një Gruaje të Fortë Rome
“Ka diçka kur je shpirtmirë. Unë jam shpirtmirë,” thotë Arieta Bajrami, një grua rome nga Graçanica.
Ajo është nënë vetë-ushqyese e tre fëmijëve, më i vogli prej të cilëve është tre vjeç. I shoqi ndërroi jetë para dy vitesh. “Pastaj na goditi pandemia,” shpjegon ajo. “Por na shpëtuan njerëzit e mirë që ishim të gatshëm të na ndihmonin. Ta dish, ka diçka kur je shpirtmirë”, e nisi Arieta intervistën tonë.
Çdo ditë Arietës i duhet të vrasë mendjen si ta sigurojë ushqimin dhe veshjet për fëmijët e saj Shtëpinë e kanë të rinovuar, kështu që fëmijët kanë kushte të denja për jetesë, sidomos dy vajzat e saj të vogla. “Unë jam pa shkollë. Baba mendonte se ishte e panevojshme. Kam marre kur ma lypin nënshkrimin diku. Çika ime do të mësojë shkrim e këndim, dhe do të bëj të pamundurën që t’ia mundësoj.”
Arieta thotë se të qenurit nënë vetë-ushqyese është shumë e vështirë për të. Asaj i duhet të kujdeset edhe për vjehrrën. Ajo thotë se do të donte që të kthehej pas në kohë, atëherë kur veç buzëqeshte dhe nuk e kishte asnjë shqetësim. “Kjo ishte fëmijëria jonë, zbathur, n’ lloç... Ama të lumtur. Tash, fëmijët e mi nuk janë aq të lumtur, dhe kjo më lëndon”, thotë Arieta.
Ajo thotë se prej fillimit të këtij viti jeta ka qenë pak më e lehtë, sepse nuk ka më aq shumë viktima të virusit Covid-19. “Gjithashtu, ka më shumë lëvizje dhe punë, dhe kjo është gjë e mirë”.
Arietës i pëlqen të qëndisë dhe thurë. “Nuk jam artiste,” thotë duke qeshur “por përpiqem.” Herë pas here, Arietës i vijnë porosi për punë dore. “Është mirë të fitosh para, por duhet edhe shumë punë! Aplikoj për kurse rrobaqepësie kurdo që mundem. Por është e vështirë sepse nuk kam arsim”, thotë Arieta.
Gjatë bisedës Arieta na e përkujton vazhdimisht se fëmijët e saj do të shkojnë në shkollë. “Dua që çikat e mia të bëhen zonja që e dinë si të flasin, të ecin, të shkruajnë dhe të lexojnë mirë; nuk dua të bëhen si unë! Ne romët e kemi të vështirë ndryshimin. Kështu jemi!” thotë me zemërim.
Që nga vdekja e papritur e të shoqit, Arieta është bërë shumë e prekshme.
“Ishte burrë i mirë”, thotë ajo duke shikuar fotot e tij të vjetra. “Zoti e mori sepse ishte aq i mirë. Dhe tash më duhet t[ mbahem për hir të fëmijëve”.
Vumë re se shumë fqinjë na u afruan gjatë intervistës, dhe na inkurajuan që t’i ndihmojmë Arietës. Me sa duhet, kjo grua shpirtmirë është e njohur për mirësinë dhe historinë e jetës së saj.
Arieta e ka të vështirë t’ia shpjegojë dikujt se i duhet gjithçka dhe se çkado do ta ndihmonte. “Ndihma më e madhe është kur nuk të harrojnë, kur je pjesë e gjithçkaje që ndodh. Unë nuk kam arsim, por do të doja të punoja e të mësoja shkrim e këndim. Nuk dua të jem një shpirt i thjeshtë”, shpjegon Arieta.
Po çka është puna e këtij “shpirti” - siç e quan ajo - që e bën kaq të rëndësishëm për Arietën? “Shpirti është gjithçka. Ai tregon se çfarë lloj njeriu je. Prandaj ka rëndësi”, shpjegon ajo. “Shpirtrat e mirë më kanë ndihmuar ta përballoj një periudhë të vështirë në jetën time. Kur filloi pandemia mbeta pa burrë, me tre fëmijë që duhet t’i rris vetë. Por dua t’i bëj ballë. Dua të jem në gjendje të fitoj të hyra me punën time; bëj gjithçka, nga qëndismat tek thurja, por më duhet një makinë qepëse. Di edhe të hedh fall me letra dhe të shoh kafen”, thotë ajo duke qeshur.
“Si e sheh “kafen”?”
“Ia shoh tjetrit të ardhmen!”
“OK. Po tënden a e sheh? Çka thotë?”
“Lumturi dhe miqësi”, thotë ajo me një buzëqeshje rrezëllitëse.
Arieta është një nga shumë kryefamiljaret nëna vetë-ushqyese të familjeve që kanë përfituar nga Skema e Kuponëve e iniciuar nga projekti “Përgjigja ndaj emergjencës COVID-19 dhe mbështetje për rimëkëmbje të hershme”, i financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe i zbatuar bashkërisht nga UNDP-ja në Kosovë dhe Departamenti për Politika Sociale dhe Familjen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve.
Qëllimi ka qenë ofrimi i mbështetjes së menjëhershme për familjet dhe komunitetet më të prekura nga pandemia Covid-19, duke targetuar kryesisht personat që jetojnë në varfëri të skajshme ose ata që e kanë të vështirë ta përballojnë jetesën. Mbështetja ka targetuar veçanërisht familjet me një prind vetë-ushqyes, komunitetet jo-shumicë, viktimat e dhunës në baza gjinore dhe personat që jetojnë në zona të largëta rurale me qasje të kufizuar në shërbimet sociale.
Projekti është në qendër të përpjekjeve të UNDP-së për rimëkëmbje nga Covid-19 dhe bazohet në parimin e Kombeve të Bashkuara ‘të mos lëmë askënd prapa’. Disbursimi i kuponëve për ata që jetojnë me ndihmë sociale; dislokimi i vullnetarëve të komunitetit të OKB-së në Qendrat për Punë Sociale nëpër Kosovë; intervenimet në qendra dhe strehimore rezidenciale, si dhe aktivitetet e tjera të projektit synojnë t’u ofrojnë ndihmë grupeve më të cenueshme, duke ofruar mbështetje të përkohshme financiare dhe duke forcuar kapacitetet për punë sociale.
Ky artikull është botuar së pari në ueb faqen e UNDP në Kosovë. https://undpkosovo.exposure.co/a-good-soul-the-story-of-a-resilient-roma-woman
Storja nga Danijela Mitic, photos by Arben Llapashtinca for UNDP Kosovo