Dinjiteti për të gjithë në praktikë
U organizua edicioni i 17-të i çmimit vjetor për Çrrënjosjen e varfërisë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe familja e OKB-së
A mund ta pyesim veten se sa kontribuojmë ne si gazetarë në ndërtimin e kohezionit dhe besimit social? Sa punojmë që t’i gjejmë raportet e duhura ndërmjet vlerave të rëndësishme si diversiteti, gjithëpërfshirja, mundësitë e barabarta dhe një komunitet i drejtë, demokratik, i hapur dhe tolerant? Sa mund të bëjmë për ta promovuar dhe praktikuar barazinë gjinore në media dhe me të gjithë gazetarët?
Gjatë edicionit të 17-të të çmimit për gazetarë për Çrrënjosjen e Varfërisë 2022, ne i ngritëm të gjitha këto pyetje përmes dy paneleve dhe i diskutuam në thellësi këto çështje me interes për shoqërinë kosovare. Këto z mbyllën me ceremoninë e ndarjes së çmimeve, duke prezantuar punimet më të mira gazetareske, që mbulojnë periudhën nga 18 tetori 2021 deri më 18 tetor 2022.
Paneli i parë, i moderuar nga Kryesuesi i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, z. Xhemajl Rexha, ishte i përbërë nga: z. Budimir Niçiq, gazetar nga Medija Centar-Graçanica, znj. Ardiana Thaçi, gazetare nga Klan Kosova TV, znj. Biljana Nasteska Kalanoska, përfaqësuese e Asociacionit të Gazetarëve nga Maqedonia e Veriut.
Dëgjuam për sfidat me të cilat përballen gazetarët në trajtimin e klimës politike gjithnjë në ndryshim, shpesh duke luftuar kundër shprehjeve që mund të quhen gjuhë e urrejtjes. Teksa në Kosovë nuk ka më shtyp ditor të shtypur, në Maqedoninë e Veriut ka një ose dy media të shkruara ditore dhe pak revista periodike. Supremacia e mediave online është jashtëzakonisht sfiduese për sa i përket përgjegjësisë për informacionin e publikuar, duke lënë shumë hapësirë për keqinterpretime dhe citime jashtë kontekstit të publikuara dhe të promovuara në rrjete sociale. Më tej paneli arriti në përfundimin se media e sotme nuk mund të ekzistojë pa vlerat e vjetra të gazetarisë, por kërkohen edhe shkathtësi të reja. Të menduarit kritik na duhet më shumë se kurrë më parë. Na duhet ta shqyrtojmë gjithçka që po ndodh rreth nesh dhe të kuptojmë se çka fshihet pas çdo storje. Kjo do të na çojë të gjithëve në nivele më të larta përgjegjësie dhe profesionalizmi.
Në panelin e dytë, gjithashtu të moderuar edhe nga Kryesuesi i Bordit të AGK-së, z. Rexha, pjesëmarrësit ishin: znj. Vlora Tuzi Nushi, Udhëheqëse e UN Women; znj. Luljeta Demolli, Drejtoreshë Ekzekutive e Qendrës Kosovare për Studime Gjinore, dhe znj. Gentiana Begolli redaktore nga RTK1, si dhe ish Kryesuese e Bordit të AGK-së.
Panelistët diskutuan vështirësitë e punës si gazetar për të mirën e përbashkët dhe ndërtimin e besimit, ndërkohë që në media dhe në diskursin publik politik ka një trend të përgjithshme që duket se po funksionon kundër këtij profesioni. Si shembull i mirë u përmend portretizimi gjithnjë e më i mirë në media i grave të forta, kurse si raste të këqija portretizimi nënçmues i grave në disa media, ku flitet për pamjen dhe punët e shtëpisë së tyre më shumë sesa për vlerat dhe kontributin e tyre.
Më pas u bë prezantimi jurisë së përbërë me këta anëtarë:
Znj. Dafina Zuna, Zyrtare për Komunikim nga UNICEF
Donika Saboviq, Zyrtare për Komunikim nga UNFPA
Z. Isa Myzyraj, Gazetar i pavarur
Z. Bojan Tomiq, gazetar i RTK2
Znj. Doruntina Baliu, gazetare nga Radio Evropa e Lirë
Në bazë të vlerësimit të jurisë, AGK-ja dhe UNKT ndanë këto çmime:
Zëvendës Përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, z. Niels Knudsen, ndau çmimin ‘Video-storja e shkurtër më e mirë’ që e mori DORUNTINA BYLYKBASHI, për storjen - Diskriminim në arsim dhe xhep, një prodhim i RTV Dukagjini që synon të pasqyrojë situatën socio-ekonomike dhe vështirësitë me të cilat përballen komunitetet joshumicë në Kosovë, përkatësisht qytetarët romë, ashkali dhe egjiptas, dhe përballjen e tyre me sfidën e arsimit. Video-storja, e realizuar në fund të dhjetorit 2021, fokusohet më së shumti në situatën e re të krijuar për shkak të pandemisë, pasojë e të cilës ishte përkeqësimi i telasheve për këto komunitete (dhe jo vetëm). Protagonistët e storjes janë nxënës të ciklit të arsimit të ulët, për të cilët normalisht merret leja nga prindërit për intervistim; studentë që kanë punuar vullnetarisht për integrimin e fëmijëve nga komunitetet joshumicë; organizata që fokusohen në edukim dhe avokojnë për integrimin e romëve, egjiptasve dhe ashkalive në Kosovë; statistika nga Agjencia e Statistikave të Kosovës dhe statistika nga rektorati i Universitetit të Prishtinës. Nga niveli institucional, pjesë e rrëfimit është edhe ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, i cili nuk flet vetëm në emër të pozitës së tij zyrtare, por edhe si pjesëtar dhe përfaqësues i komunitetit egjiptas. Pamjet tregojnë gjendjen e mbi 100 banorëve të këtyre komuniteteve. Në përgjithësi ata përballen me kushte të këqija dhe shumë vështirësi në jetën e përditshme, duke ndikuar edhe në mosekzistimin e të drejtave elementare. Vendi ku ka ndodh rrëfimi është fshati Plemetin i komunës së Obiliqit.
Koordinatori i UN VOLUNTEERS, z. Blerim Azizi ia dorëzoi çmimin “Dokumentari më i mirë televiziv" DIAMANT BAJRËS - Asgjë për pakicat, për storjen e tij për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas. Në këtë dokumentar pasqyrohet jeta e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptas që jetojnë në Kosovë. Pabarazia dhe diskriminimi në shoqëri i bëjnë këta banorë të komuniteteve pakicë në Kosovë të jetojnë në kushte minimale të jetesës. Në këtë dokumentar janë intervistuar disa pjesëtarë të komuniteteve joshumicë që jetojnë në Fushë Kosovë. Gjithashtu, pjesë e dokumentarit janë edhe përfaqësuesit e tyre nëpër institucione, të cilët tregojnë rolin dhe përkushtimin e tyre ndaj pjesëtarëve të komuniteteve. Nga ajo që pasqyrohet në dokumentar, shihet se në mungesë të mbështetjes së nevojshme nga autoritetet dhe shkaku i pabarazisë në shoqëri, të qenurit pjesëtar i komuniteteve pakicë është sfidë më vete. Sipas të dhënave të regjistrimit të popullsisë të bërë në vitin 2011, thuhet se në Kosovë jetojnë 8824 romë, 15436 ashkali dhe 11524 egjiptas. Qëllimi i realizimit të këtij dokumentari ishte nxjerrja në pah e situatës reale dhe sfidave me të cilat përballen, me qëllim përmirësimin e kësaj situate.
Menaxheri i Operacioneve të UNICEF-it, Shpend Selimi ia dorëzoi çmimin ‘Storja e shkruar më mirë’ DAFINA HALILIT - Shkolla fantazmë, shkolla geto e ndërrime të segreguara, për artikullin e saj hulumtues për pasojat e varfërisë dhe ndarjen e fëmijëve sipas përkatësisë së tyre etnike në shkolla. Në këtë storje hulumtuese, K2.0 gjurmoi dhe dokumentoi se qindra fëmijë romë dhe disa ashkali janë ndarë nga bashkëmoshatarët e tyre në disa shkolla të sistemit serb në qytete dhe qyteza etnikisht të përziera anembanë Kosovës. K2.0 konfirmoi se ka ndërrime të segreguara etnikisht në Mitrovicën e Veriut, një shkollë pothuajse bosh në Obiliq dhe një degë e getoizuar e një shkolle vetëm për romët në Gjilan, dhe se ka indikacione për praktika të ngjashme në Janjevë, Plemetin, dhe në Fushë Kosovë. Storja gjithashtu gjurmoi dhe verifikoi se si shkollat e sistemit zyrtar shkollor të Kosovës i kanë diskriminuar ilegalisht fëmijët romë, ashkali dhe egjiptas, ndërkohë që vazhdojnë përpjekjet për praktika të tilla segregimi. K2.0 tregon sesi vendimmarrja nga strukturat paralele arsimore serbe dhe pranimi i heshtur nga sistemi zyrtar arsimor i Kosovës, lejon që të vazhdojë diskriminimi në arsim. Por në themel të gjithë kësaj janë privimi i vazhdueshëm i romëve, ashkalive dhe egjiptasve nga të drejtat ekonomike, si dhe hendekët në mbikëqyrje që janë rezultat i sistemit të arsimit të dyfishtë në Kosovë.
Përfaqësuesi i UNOPS-it, z. Sherafedin Mustafa ndau çmimin ‘Fotografia më e mirë’ mes VALDRIN FETAHUT - Perspektivë dhe ADNAN BEQIRIT - Mbijetesë, dhe po ashtu njoftoi se në të ardhmen në këtë kategori do të përfshihet edhe kategoria e videove me emrin Kamera më e Mirë.
Zyrtari i OBSH-së, z. Bujar Rexhepi, ia dorëzoi çmimin ‘Audio-storja më e mirë’ gazetares MILENA TODOROVIQ - Pozicioni i romëve në Graçanicë, për reportazhin e saj radiofonik. Në Ditën Botërore të Romëve, e cila festohet më 8 prill, vizituam Graçanicën, për të parë vetë se si jetojnë pjesëtarët e komunitetit rom në territorin e kësaj komune. Përmes bisedës me bashkëbiseduesit tanë mësuam se, si shumica e popullatës rome në mbarë Kosovën, edhe romët në Graçanicë përballen me sfida të shumta, por më të theksuara janë problemet socio-ekonomike. Inflacioni i lartë në Kosovë dhe të hyrat e ulëta i kanë prekur veçanërisht pjesëtarët e këtij komuniteti, të cilët presin ndihmë nga Qeveria e Kosovës. Romët në Graçanicë më së shumti janë të angazhuar në punë fizike, numri i të punësuarve në institucione është i vogël, prandaj ata janë ende një kategori shumë e ndjeshme e popullatës sa i përket ekzistencës.
Udhëheqësja e Zyrës së UNFPA-së, Dr. Visare Mujko-Nimani, ia dorëzoi çmimin e posaçëm për ‘Audio-storja më e mirë në radio’ gazetares MAJLINDA DODA - Largimi nga puna i grave shtatzëna, reportazh për pasigurinë e punës për gratë shtatzëna. Reportazhi “Largimi nga puna i grave shtatzëna” shtjellon sfidat e gjinisë femërore në një vend pune, në momentin kur ato mbeten shtatzënë. Puna apo krijimi i familjes është një nga dilemat me të cilat përballen gratë në Kosovë, kryesisht ato që janë të punësuara në sektorin privat apo edhe pretendojnë të gjejnë punë, ku gjatë vitit të kaluar mbi 1 mijë e 500 gra janë larguar nga vendi i punës për shkak të shtatzënisë. Personazhi i këtij materiali, Donjeta, nënë e tri vajzave, tregon se si u pranua në punë dy herë dhe i kaloi të gjitha testet, por nuk arriti të punësohej, sepse ishte në pritje të një fëmije dhe kjo ishte në dëm të bizneseve, dhe këtë ia kanë thënë në sy. Ndërkaq, në storje theksohet më tej se nuk ka mjaftueshëm inspektorë në terren për zbatimin e Ligjit për Pushim të Lehonisë, ndërsa në të dhënat zyrtare nuk ka të dhëna se sa për qind e grave janë larguar nga puna për këtë arsye.
Puna apo familja, dukuri që po ndikon në uljen e lindshmërisë, marrë parasysh se niveli i papunësisë në Kosovë është 20.5 për qind.