Me Mbështetjen e BE-së dhe Suedisë, Gratë në Istog Nisin Linjën e Re të Prodhimit të Çajit Organik, Duke Forcuar Pylltarinë e Qëndrueshme dhe Krijimin e Vendeve të Punës
24 shtator 2024
Sot, në Istog/Istok u zhvillua hapja zyrtare e linjës lokale të prodhimit të çajit organik me filtra, si pjesë e programit të financuar nga BE-ja dhe Suedia
E martë, 24 Shtator 2024 – Sot u zhvillua hapja zyrtare e linjës lokale të prodhimit të çajit organik me filtra në Istog, si pjesë e programit të financuar nga BE-ja dhe Suedia "Mbështetje për Forcimin e Menaxhimit të Qëndrueshëm dhe Multifunksional të Pyjeve për Përmirësimin e Jetesës në Zonat Rurale dhe Përballjen me Ndryshimet Klimatike në Kosovë." Ky program zbatohet nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO) e Kombeve të Bashkuara.
Shoqata e Grave "Melissa" nga Istogu ka filluar prodhimin e çajit organik me filtra duke përdorur një proces inovativ paketimi. Kjo linjë e re prodhimi të çajit, një model unik në treg dhe një qasje e re në paketimin e çajit, u krijua me mbështetjen e programit. Pajisjet janë dizajnuar për të lehtësuar prodhimin e çajit organik me filtra duke përdorur lëndë të para të siguruara nga bimët mjekësore dhe aromatike që rriten në rajonin e Radushës, të cilat mblidhen nga anëtarët e Shoqatës "Melissa".
Me këtë mbështetje, shoqata tani mund t'i shtojë vlerë produkteve të mbledhura, duke përmbyllur kështu zinxhirin e vlerës së produkteve të lidhura me pylltarinë, si bimët mjekësore dhe aromatike. Për më tepër, anëtarët e Shoqatës së Grave do të trefishojnë sasinë e bimëve aromatike dhe mjekësore të mbledhura në Radushë dhe do të prodhojnë një markë të re çaji organik me filtra në Kosovë, të quajtur "Melissa."
Kjo linjë prodhimi pritet të krijojë vende të reja pune, përfshirë tre pozicione me kohë të plotë për gratë në fazën e përpunimit dhe 25 vende pune me kohë të pjesshme për mbledhjen e bimëve dhe dorëzimin e produkteve për përpunim. Mbledhja e produkteve pyjore jo-drurë, përfshirë bimët mjekësore dhe aromatike, nga anëtarët e shoqatës do të udhëhiqet nga Plani i Ri i Menaxhimit Multifunksional të Pyjeve për rajonin e Radushës. Ky plan siguron që procesi i mbledhjes të mbështesë qëndrueshmërinë e burimeve pyjore.
Në ngjarje morën pjesë përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada e Suedisë në Prishtinë, Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), Komuna e Istogut, Shoqata e Grave "Melissa" dhe bizneset lokale. Gjatë ngjarjes, përfaqësuesit e këtyre organizatave nënvizuan rëndësinë e projektit dhe rolin kritik që luajnë gratë në rritjen e ndërgjegjësimit të komunitetit për përdorimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore dhe sfidat e ndryshimeve klimatike. Pjesëmarrësit shprehën përkushtimin e tyre për të vazhduar përpjekjet drejt një të ardhmeje më të qëndrueshme në menaxhimin e pyjeve dhe mbrojtjen e mjedisit.
Olivier Boudart, Udhëheqës i Ekipit për Agjendën e Gjelbër dhe Zhvillimin Territorial në Zyrën e BE-së në Kosovë, theksoi potencialin afatgjatë të menaxhimit të qëndrueshëm të pyjeve.
"Shoqata 'Melissa' është një shembull se si pyjet, kur menaxhohen në mënyrë të qëndrueshme, mund të japin shumë më tepër. Ne shpresojmë se pajisjet që po dorëzojmë sot do të përmirësojnë ndjeshëm zinxhirin e vlerës për këto bimë, duke forcuar më tej qëndrueshmërinë ekonomike të Shoqatës Melissa," tha Bourdart.
Henrik Riby, Zëvendësshefi i Misionit në Ambasadën e Suedisë, shprehu krenarinë për mbështetjen e kësaj nisme dhe ndau shpresat e tij që pajisjet e dhuruara për Shoqatën Melissa do t'i ndihmojnë ato të bëjnë produktet e tyre më të arritshme në Kosovë dhe ndoshta edhe për eksport.
"Jemi shumë krenarë që ju mbështesim në këtë mënyrë, së bashku me BE-në, FAO-në dhe Ministrinë, sepse besojmë se puna e palodhur dhe mirëkuptimi i zinxhirit të vlerës mund të ndryshojnë jetën," tha Riby.
Ali Nimanaj, Nënkryetari i Komunës së Istogut, vuri në dukje pasuritë e mëdha natyrore të rajonit dhe traditën e tij në prodhimin e çajrave organikë. "Komuna e Istogut veçohet për pasuritë e saj natyrore. Ka male, dhe përmes natyrës, këto bimë aromatike mjekësore janë të lidhura. Përveç përdorimeve të ndryshme ushqimore, këto bimë kontribuojnë në zhvillimin ekonomik dhe fuqizimin e grave," tha Nimanaj.
Gjatë ceremonisë së hapjes, u krye një demonstrim për të treguar funksionalitetin e pajisjeve të dizajnuara për të lehtësuar prodhimin e çajit organik.