"Pa Dokument Identiteti, gjithçka ishte kaq e vështirë."
28 janar 2025
Kështu fillon rrëfimi i Gone Salihi, e cila dikur rrezikonte të mbetej pa shtetësi.
Gone ishte vetëm tre vjeçe kur familja e saj u largua nga fshati i tyre për shkak të konfliktit dhe kërkoi siguri në Mal të Zi. Megjithëse Gone mezi e kujton vendlindjen ose vështirësitë e familjes së saj gjatë konfliktit, ato rrethana do të formësonin të ardhmen e saj në mënyra që ajo nuk mund t’i imagjinonte.
Pa dokumentacion, qasja e saj në të drejtat bazë u mohua, duke e lënë në një limbo ligjore. Ajo e kujton fëmijërinë e saj qartë: "Më kujtohet kur më thoshin se kemi jetuar në një barakë të vogël me trembëdhjetë anëtarë të tjerë të familjes. Kushtet ishin të vështira, por e kishim njëri-tjetrin për mbështetje."
Në vitin 2013, UNHCR lehtësoi kthimin vullnetar të Gone-s në Kosovë. Megjithatë, sfidat e saj u shtuan për shkak të mungesës së dokumentacionit personal. Ndërtimi i një jete për veten dhe familjen e saj u bë gjithnjë e më i vështirë pa një identitet ligjor.
"Të mbërrija në moshën 26 vjeç pa një identitet ligjor ishte dërrmuese," thotë Gone. "Situata ime civile ishte aq e ndërlikuar saqë gjetja e një zgjidhjeje vetë më dukej e pamundur."
Gjatë sesioneve të arritshmërisë me të kthyerit që kërkonin ndihmë, Gone dhe bashkëshorti i saj iu drejtuan UNHCR-së dhe partnerit të tij zbatues, Programit për të Drejtat Civile – Kosovë. Organizata mori përsipër kërkesën e saj, duke punuar pa u lodhur për të mbledhur prova që do të ndihmonin në përcaktimin e statusit të saj ligjor. Ky proces zgjati katër vjet.
"Nuk është e pazakontë që raste të tilla të ndihen si të bashkosh pjesë të një mozaiku," shpjegon Milanka, një Asociate për Zgjidhje të Qëndrueshme në UNHCR. "Ne punojmë ngushtë me partnerë, autoritete dhe aktorë të tjerë për t’u siguruar që çdo hap i procesit të jetë gjithëpërfshirës dhe i plotë."
Mbështetja e koordinuar e Zyrës Komunale të Gjendjes Civile në vendin e lindjes dhe Agjencisë së Regjistrimit Civil ishte mbresëlënëse në pajisjen e Gone-s me dokumente të statusit civil. Në momentin kur ajo mori ekstraktin e lindjes, fytyra e saj shprehte mosbesim të habitur që më në fund ishte regjistruar dhe pajisur me dokumentet. Sytë i kishte të mbushur me lot.
Gone u kthye dhe pyeti zyrtarët e UNHCR-së dhe Zyrës Komunale të Gjendjes Civile: "A është kjo e vërtetë, …a jam me të vërtetë e regjistruar tani?"
Përpjekjet dhanë fryte. Deri në vitin 2023, regjistrimi i Gone-s në regjistrin civil ishte finalizuar. Pak më vonë, edhe statusi ligjor i djalit të saj u përcaktua, duke i mundësuar atij të vazhdonte arsimin.
"Jam shumë mirënjohëse për ndihmën që kam marrë nga UNHCR," thotë Gone, me një buzëqeshje në fytyrë. "Tani, gjithçka duket e lehtë—si një ëndërr e bërë realitet. Djali im mund të shkojë në shkollë dhe të shijojë fëmijërinë dhe mundësitë që do të vijnë… ndoshta një ditë do të bëhet mjek."
Historia e Gone-s është vetëm një shembull i mijëra jetëve të transformuara nga fushata #IBelong e UNHCR-së, e cila përfundoi me sukses në vitin 2024 dhe ndihmoi individë të panumërt të fitojnë identitetin ligjor.
Siç shpjegon Merita, një Zyrtare Mbrojtjeje e UNHCR-së: "Kemi arritur kaq shumë përmes partneriteteve dhe bashkëpunimit. Së bashku me autoritetet dhe partnerët, kemi ndihmuar më shumë se 29,000 persona të fitojnë statusin ligjor që nga viti 2006. Tani po kalojmë në një fazë të re me Aleancën Globale, duke u fokusuar në zgjidhje më të qëndrueshme dhe më efikase për të siguruar që askush të mos mbetet pas."
Rrugëtimi i Gone-s nga mungesa e shtetësisë deri te siguria ligjore është një dëshmi e fuqisë së këmbënguljes, bashkëpunimit dhe shpresës. Ai na kujton se diçka aq e thjeshtë sa një certifikatë lindjeje ose një kartë identiteti është shumë më tepër sesa një dokument—është themeli i një jete me dinjitet, mundësi dhe ëndrra të realizuara.