Trashëgimia Kulturore në Duart e Të Rinjve në Kosovë
![](/sites/default/files/styles/hero_header_2xl_1x/public/2021-09/2021-09-22%20%282%29_0.png?itok=hnnQG0Ou)
Bota qëndron me të rinjtë dhe janë të rinjtë ata që janë agjentë të ndryshimit për mirë. Cila është trashëgimia e tyre në Kosovë?
Bota qëndron me të rinjtë dhe janë të rinjtë ata që janë agjentë të ndryshimit për mirë. Cila është trashëgimia e tyre në Kosovë? A kujdesen ata për monumentet e kulturës dhe a kujdesen për traditat?
Ditët e Trashëgimisë Evropiane të këtij viti janë një festë e Trashëgimisë Gjithëpërfshirëse dhe të Larmishme, duke theksuar se ndërveprimi mes individëve dhe komuniteteve me prejardhje të ndryshme mund ta pasurojë jetën tonë. UNDP-ja në Kosovë po zbaton projektin “Trashëgimia Kulturore si nxitëse e dialogut ndërmjet komuniteteve dhe kohezionit social”, i financuar nga Bashkimi Evropian dhe Instrumenti i tij që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe – pikërisht me qëllimin që t’i përfshijë të rinjtë në mënyrë aktive në respektimin e trashëgimisë së tyre, ndërtimin dhe ruajtjen e saj. Nëpërmjet këtij projekti u takuam me të rinj fantastikë për të cilët trashëgimia kulturore, në çdo trajtë apo formë, është diçka e veçantë.
![](/sites/default/files/styles/featured_image/public/2021-09/2021-09-22%20%2814%29_1.png?itok=OSgdWjmt)
Këta të rinj janë model për të tjerët dhe kontributi i tyre për ruajtjen e monumenteve të kulturës është tashmë i pamatshëm. Përmes projektit për Trashëgiminë Kulturore, të cilin UNDP-ja në Kosovë e zbaton tash e katër vjet, të rinj nga Kosova të të gjitha etnive dhe nacionaliteteve po marrin pjesë në kampe për restaurimin e monumenteve të kulturës dhe lokacioneve me rëndësi publike. Këta të rinj, të përkushtuar ndaj kujdesit për trashëgiminë e tyre, mblidhen, mësojnë dhe punojnë me zell për t’i pastruar dhe restauruar ato.
Para pak ditëve takuam njërën prej tyre. Melisa Syla, arkitekte nga Prishtina, mori pjesë në disa kampe restauruese kur ishte në vitin e fundit në Universitetin e Prishtinës, ku studionte arkitekturë. U takuam në Prishtinën e Vjetër, përballë Sahat Kullës, një nga monumentet më të vjetra në kryeqytetin e Kosovës. Ai daton nga shekulli i 19-të dhe paraqet një shembull të arkitekturës që përfaqëson zhvillimin ekonomik dhe fillimin e ndikimit perëndimor në arkitekturën osmane të kohës në Kosovë. “Sahat” do të thotë “orë”, kështu që kjo kullë kishte për qëllim të tregonte orën dhe të shërbente si pikë referimi për gjetjen e drejtimit. Aty u takuam me Melisën.
Melisa mezi pret restaurimin e këtij monumenti dhe si arkitekte e sheh nën dritën e rëndësisë së veçantë që ai ka. Ne folëm me Melisën për përvojën e saj në kampet e restaurimit dhe se sa rëndësi kanë ato për të. “Kam qenë pjesë e kampeve të restaurimit që nga viti 2016 dhe në Kosovë kam punuar në restaurimin e kishës katolike të Letnicës dhe një mulliri të vjetër me ujë. Ishte e mahnitshme të takoje të rinj të tjerë që ndajnë të njëjtin interes. Detyra ime ishte të flisja me banorët lokalë dhe të kërkoja të dhëna për mullirin me ujë dhe rëndësinë e tij. Takova pronarin e atij mulliri me ujë, i cili tani po i afrohet të nëntëdhjetave, dhe ai na tregoi se si funksionon dhe na tregoi histori për të. Është thjesht i bukur”, na tha Melisa.
“Si arkitekte e punësuar në Prishtinë, jam e pasionuar pas ndërtesave dhe objekteve të vjetra, monumenteve dhe pamjes së tyre origjinale. Pse isha në kampet e restaurimit? Për mua, kthimi në funksion dhe përdorim i një ndërtese apo monumenti të vjetër paraqet një qasje të veçantë ndaj të kaluarës sonë. Kam pasur rastin të bëj miq të rinj nga të gjitha etnitë dhe ne jemi ende në kontakt”, na tha Melisa. Personaliteti i saj pozitiv tregon një të ardhme të ndritur për Prishtinën dhe në të njëjtën kohë interesimi i saj për këtë temë nuk ka mbaruar, në fakt sapo ka filluar.
Vetëm pak kilometra nga Prishtina, në Graçanicë, po zhvillohen projekte ngazëlluese me temën e bashkëpunimit të të rinjve në Kosovë. OJQ-ja Graçanica e Re Aktive, me mbështetjen e Projektit për Trashëgiminë Kulturore, ka nisur një iniciativë të pazakontë që vetëm të rinjtë mund ta mendojnë: projektin “Fjalori i fjalëve që nuk kanë nevojë për përkthim”. Iniciator i këtij aktiviteti është Petar Gjorgjeviq, menaxher i OJQ-së Graçanica e Re Aktive. Projekti bashkon të rinj nga e gjithë Kosova për krijimin e fjalorit të fjalëve të përbashkëta nga gjuha shqipe dhe serbe. Petar na tha se ai arriti të mbledhë 34 pjesëmarrës nga të dy komunitetet për tri ditë në Brezovicë, duke përfshirë edhe vullnetarët e OJQ-së, ku ata identifikuan rreth 400 fjalë të përbashkëta.
![](/sites/default/files/styles/featured_image/public/2021-09/2021-09-22%20%287%29.png?itok=HTfe-5nT)
Ne takuam Petarin dhe pjesëmarrësit e tjerë të punëtorisë: Albanin, Elonën, Edonën dhe Lidijan në sitin e Ulpianës në Graçanicë. Ata na paraqitën vizionin e tyre. “Ne e bëjmë këtë përmes argëtimit! Vetëm kur jemi ulur e flasim, arrijmë tek fjalët si patos, laminat, ashiqare, hajde e shumë të tjera. U pajtuam që vazhdimi i këtij projekti të jetë “Natyrisht një super iniciativë”, tha Petari. Ky projekt duket tërheqës edhe për Elonën, pasi ajo udhëton nga Prizreni vetëm për të qenë pjesë e tij. Edona është nga Prishtina dhe është duke kryer një praktikë në Graçanicë, duke shkëmbyer njohuritë dhe përvojën e saj me të rinj të etnive të ndryshme.
Teksa e shikon këtë grup të të rinjve të talentuar, e kupton se sa shumë mundësi për miqësi shkojnë kot dhe sa më shumë hapësirë u duhet këtyre njerëzve për t’u shprehur. Petari thotë se kjo nuk është vetëm një mundësi për të krijuar një fjalor si ky, por është edhe një mundësi për të krijuar shoqëri. Ky grup të rinjsh, të cilët ende nuk e kanë filluar karrierën e tyre, dëshmon se ka potencial të madh për bashkëpunim ndërmjet komuniteteve. E mbyllëm bisedën me Albanin, një djalë nga Prishtina, një shpirt gazmor dhe i qeshur, i cili na dha përshtypjen e tij për këtë projekt: “Është shumë e thjeshtë! Kemi shumë dallime, por kur rrimë, kuptojmë sa shumë ngjashmëri kemi! Kjo qasje ndihmon që t’i pranojmë ngjashmëritë dhe t’i lëmë mënjanë dallimet.”
Arrijmë në Prizren, një qytet historik dhe një qendër e trashëgimisë kulturore. Jashtë qendrës së qytetit, rrugës për në mal, ndalemi pranë një mjedisi piktoresk: majat e gjelbra në sfond, lumi që kalon nëpër grykë dhe një ndërtesë dykatëshe që ngjan me një kështjellë të vogël. Dikur ka qenë hidrocentrali i njohur me emrin “Prizrenasja” dhe e ka furnizuar qytetin me energji elektrike prej vitit 1929, kur është ndërtuar, deri në fillim të viteve 1970. Pjesa e jashtme e është restauruar që atëherë dhe tani mbetet një monument arkitektonik i trashëgimisë kulturore, ndërsa projekti për Trashëgiminë Kulturore do të restaurojë brendësinë e ndërtesës dhe do ta bëjë të qasshme për të gjithë.
![](/sites/default/files/styles/featured_image/public/2021-09/2021-09-22%20%285%29.png?itok=MAjJgorz)
Këtu takojmë Sinem Danën, një e re nga Prizreni me origjinë shqiptare dhe turke. Ajo aspiron të bëhet arkitekte interieri dhe e ka pasion eksplorimin dhe restaurimin e trashëgimisë së institucioneve kulturore në komunitetin e saj. Ajo e ka pasur mundësinë ta bëjë këtë – për më tepër në shoqërinë e të rinjve të tjerë me prejardhje të ndryshme – në kampet e restaurimit të mbajtura në vitin 2019 në qytetin e saj në Prizren, si dhe në Gjakovë.
![](/sites/default/files/styles/featured_image/public/2021-09/2021-09-22%20%282%29_2.png?itok=wTAWtZUW)
Këto përvoja patën një ndikim të thellë tek ajo, pasi i ofruan një shans për t’u lidhur me bashkëqytetarët e një moshe më të madhe duke zhvilluar biseda të thelluara me ta për mbledhje të informatave për përpjekjet e restaurimit. Siç thotë ajo, “Më parë, nuk kam pasur kurrë mundësi të shkoj dhe t’u bëj pyetje njerëzve, dhe kështu kur i pyesja, zakonisht ata thoshin ‘jo, jo, nuk mund të flas’, por pasi ia nisnin më tregonin kaq shumë gjëra për historitë e qyteteve, për mënyrat që si shoqëroheshin në atë kohë dhe si kanë ndryshuar gjërat tani.”
Teksa fillon të flasë për diskutimet e frytshme që ka pasur me pjesëmarrësit e tjerë në këto kampe dhe mësimet që i ngulitur tanimë në kokën e saj, toni i saj ngrihet një oktavë nga emocioni. “Ishim shumë dhe diskutuam gjithçka që pamë dhe dëgjuam gjatë atyre ditëve, sepse secili prej nesh vuri re një detaj të ndryshëm”.
![](/sites/default/files/styles/featured_image/public/2021-09/2021-09-22%20%2816%29_0.png?itok=0DgsDooQ)
Në nivel më personal, ajo i ka përdorur kampet për t’i zhvilluar shkathtësitë e saj profesionale duke bërë punë të ndërlikuara manuale, si gdhendja e drurit. Aty ajo u ngjit për herë të parë në skelë, dhe pastaj sërish për herë të dytë, së bashku me të reja të tjera kreative dhe të forta që përbënin shumicën e pjesëmarrësve. “Njerëzit e shtëpive rreth nesh rrinin e na shikonin,” tha Sinem me krenari. “Hej, edhe vajzat po punojnë fort”.
Mbështetja e UNDP-së në Kosovë për trashëgiminë kulturore në Kosovë është tani në fazën e tretë me mbështetje bujare dhe të vazhdueshme financiare nga Instrumenti i Bashkimit Evropian që kontribuon për Stabilitet dhe Paqe (IcSP). Në vitet e fundit, më shumë se 30 objekte kulturore dhe fetare janë rinovuar ose rehabilituar në mbarë Kosovën - duke u mundësuar banorëve dhe vizitorëve t’i shijojnë ndërtesat e bukura arkitekturore. Përzgjedhja e lokacioneve për rinovim është bërë gjithmonë në konsultim të ngushtë me të gjitha bashkësitë fetare, duke përfshirë Bashkësinë Islame të Kosovës, Kishën Ortodokse Serbe, Kishën Katolike në Kosovë si dhe Urdhrat e Dervishëve. Lokacionet kulturore, si Muzeu Hidroelektrik, përfaqësojnë ndërtesa me të cilat kanë lidhje të gjitha komunitetet etnike në Prizren dhe në Kosovë dhe mund t’i shijojnë vizitat në to. Këto aktivitete nuk do të ishin të mundura pa partneritetin e ngushtë me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, komunat dhe përfaqësuesit e komuniteteve.