Zgjerimi i Zgjedhjeve: Forcimi i Politikave me Përgjegjshmëri Gjinore për Familjen në Sektorin e Biznesit
Zgjerimi i Zgjedhjeve:Politikat me Përgjegjshmëri Gjinore për Familjen, projekt në Kosovë, Shqipëri dhe Moldavi, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim
Një nga objektivat strategjikë të UNFPA-së në vitet e fundit ka qenë promovimi dhe lehtësimi i politikave mbështetëse ndaj familjes dhe me përgjegjshmëri gjinore në të gjitha fushat, me fokus të veçantë në komunitetin e biznesit. Sipas këtij nocioni, në vitin 2020 UNFPA nisi projektin Zgjerimi i Zgjedhjeve: Politikat me Përgjegjshmëri Gjinore për Familjen, që po zbatohet në Kosovë, Shqipëri dhe Moldavi, i financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), njësia operative e Bashkëpunimit Austriak për Zhvillim. Projekti, i cili të vazhdojë gjatë gjithë vitit 2022, punon me palët kyçe të interesit për zgjerimin e mundësive dhe opsioneve për gratë dhe burrat, në mënyrë që ata të ekuilibrojnë karrierën e tyre me jetën familjare dhe t’i përmbushin aspiratat e tyre për karrierën dhe lindjen e fëmijëve.
Nëpërmjet një vlerësimi gjithëpërfshirës dhe rigoroz të mbi 25 kompanive private që operojnë në Kosovë, UNFPA ka identifikuar shtatë organizata biznesi që kanë demonstruar dëshirën dhe pasionin për t’i avancuar më tej rregullat, politikat dhe praktikat e tyre që krijojnë vende pune mbështetëse ndaj familjes. Duke udhëhequr me shembullin e tyre, kompanitë kampione do të demonstrojnë se si politikat mbështetëse ndaj familjes jo vetëm që zgjerojnë zgjedhjet për gratë dhe burrat në tregun e punës, por gjithashtu zgjerojnë kapacitetet dhe zhdërvjelltësinë e kompanisë, dhe përfundimisht pozicionin e saj në treg.
Për të siguruar integrimin e politikave me përgjegjshmëri gjinore për familjen në mbarë sektorin privat dhe publik në Kosovë, UNFPA i ka bashkuar forcat me Odën Ekonomike të Kosovës dhe Rrjetin e Grave të Kosovës, dy organizata të përfshira në mënyrë aktive në mentorimin e kompanive kampione për avancimin e tyre si vende pune mbështetëse ndaj familjes. Në zemër të këtij bashkëpunimi ishte prezantimi i çmimit Më të mirët në Kosovë 2021 në kategorinë e Vendeve të Punës Mbështetëse ndaj Familjes, i prezantuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në Prishtinë më 18 shkurt 2022. Krahas çmimeve të tjera për kompanitë me performancë të jashtëzakonshme në sektorë të ndryshëm, Cacttus Sh.A., Gjirafa dhe KIVO Kosova u shpallën kompani kampione dhe morën mirënjohjen e Odës Ekonomike dhe komunitetit të biznesit për përkushtimin dhe arritjet e tyre për promovimin e ekuilibrit punë-jetë përmes politikave dhe praktikave me përgjegjshmëri gjinore për familjen.
Sipas Ariel Shaban, Menaxher i Cilësisë dhe Zhvillimit në KIVO Kosova, çmimi ishte “… një dëshmi e shtatë viteve të krijimit të një ambienti mikpritës për punonjësit tanë dhe familjet e tyre… [Çmimi] e forcon reputacionin tonë si punëdhënës premium dhe është një mjet i paçmueshëm për mbajtjen dhe rekrutimin e punonjësve në të ardhmen. Prandaj, ne do të vazhdojmë t’i përsosim dhe zhvillojmë përpjekjet tona për t’i zgjeruar përfitimet që siguron KIVO për punonjësit tanë dhe familjet e tyre.”
“Nëpërmjet këtij çmimi ne morëm një vlerësim për politikat e kompanisë të cilat janë të dizajnuara për të qenë të përshtatshme për një vend pune mbështetës ndaj familjes,” u shpreh e kënaqur Loreta Tahiri nga Departamenti i Burimeve Njerëzore të Cacttus Sh.A. “Ne do të vazhdojmë të punojmë drejt ofrimit të politikave më të mira të mundshme për punonjësit tanë, duke zbatuar kështu rekomandimet e partnerëve tanë: Odës Ekonomike të Kosovës, UNFPA dhe Rrjetit të Grave të Kosovës”, shtoi ajo.
Greta Kamberi, Udhëheqëse për Burimet Njerëzore dhe Kulturën e Punës për kompaninë Gjirafa, reagoi duke thënë se “Ne në Gjirafa jemi të përkushtuar ndaj forcimit të një mjedisi unik me qëllim të përbashkët, i cili nxit inovacionin dhe bashkëpunimin; dhe e dimë se çelësi për këtë është vendosja e ekuilibrit midis jetës dhe punës. Ne jemi të nderuar që jemi pjesë e këtij projekti dhe kështu jemi në gjendje të mësojmë, zbatojmë dhe kontribuojmë për t’i promovuar më tej praktikat më të mira të punës mbështetëse ndaj familjes.”
UNFPA dhe Oda Ekonomike e Kosovës do të vazhdojnë të kontribuojnë në krijimin e vendeve të punës më mbështetëse ndaj familjes në Kosovë. Të gjithë presim me padurim t’i vlerësojmë çdo vit bizneset mbështetëse ndaj familjes dhe i inkurajojmë të gjitha kompanitë kosovare që ta përqafojnë këtë koncept.