Komunitetet Përfitojnë nga Aktivitetet e Pyllëzimit dhe Ripyllëzimit të Mbështetura nga FAO
E takuam Ylvi Çengajn gjatë një prej ditëve kur ai punon fort në fshatin Rrenc të Dragashit për pyllëzimin e zonës së shkretuar me fidanë të florës vendore.
I kontraktuar si punëtor më mëditje nga programi për pylltarinë i Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi (FAO) së bashku me dhjetëra punëtorë të tjerë, ai po kontribuon në mbjelljen e 33,000 fidanëve të ahut dhe bredhit në zonat përreth fshatit të tij në Dragash.
“Po i mbjellim këta drunj për të ardhmen e fëmijëve tanë. Pyllëzimi është shumë i rëndësishëm me pas ajër më të pastër dhe me zhvillu më tej turizmin në kët’ zonë”, tha ai.
Kujdesi për pyjet është një nga shqetësimet më të mëdha të Ylviut. Familja e tij përdor dru për ngrohje, siç bëjnë shumë familje të tjera në zonat rurale. Por Ylviu dhe bashkëfshatarët e tij e kanë të vështirë t’i mbrojnë pyjet nga prerjet e paligjshme. Ata janë plotësisht të vetëdijshëm për përfitimet që ofrojnë pyjet.
“Pyjet sigurojnë tre funksione madhore: sociale, ekonomike dhe ekologjike, ndaj të gjithë duhet të angazhohemi për ruajtjen e këtij resursi që na ka dhënë Toka”, tha Muhamet Sofi, i cili mbikëqyr punëtorët me mëditje të kontraktuar nga FAO për aktivitete pyllëzimi në zonën e Dragashit. “Këtu shumë zona janë të zhveshura dhe është e rëndësishme që ato të ripyllëzohen”, shtoi ai.
Pyjet mbulojnë 44% të sipërfaqes së përgjithshme të Kosovës, vlerë kjo më e lartë se në vendet fqinje. Përmes një programi të bashkëfinancuar nga SIDA dhe BE, FAO po mbështet Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Agjencinë Pyjore të Kosovës për të forcuar kapacitetet e tyre për menaxhim të qëndrueshëm dhe me shumë qëllime të pyjeve për të përmirësuar jetesën rurale dhe për të adresuar ndryshimet klimatike në Kosovë. Programi synon të rrisë kontributin e sektorit të pylltarisë në ekonominë kombëtare nëpërmjet menaxhimit me pjesëmarrje dhe me shumë qëllime të pyjeve.
Në këtë drejtim, FAO po mbështet edhe zbatimin e Programit Kombëtar për Pyllëzim dhe Ripyllëzim, si një program madhor i Kosovës drejt rimëkëmbjes së mbulesës pyjore dhe përmirësimit të produktivitetit. Qëllimi i këtij programi është të përdoren specie të florës vendore në përputhje me masat për ulje të efekteve të ndryshimeve klimatike. Aktualisht aktivitetet e pyllëzimit dhe ripyllëzimit zbatohen në zonën e Dragashit dhe Shtërpcës përmes angazhimit të anëtarëve të komunitetit të kontraktuar si punëtorë me mëditje, duke përfshirë gratë dhe të rinjtë, çka përfundimisht sjell përfitime për të gjitha komunitetet në aspektin e gjenerimit të të hyrave përmes aktiviteteve pyjore. Vitin e kaluar janë zhvilluar aktivitete në Mitrovicë dhe Suharekë. Gjithsej 50 hektarë me rreth 140 mijë fidanë do të mbillen nga FAO deri në fillim të majit 2022, krahas aktiviteteve të pyllëzimit dhe ripyllëzimit të realizuara nga MBPZHR-ja dhe APK-ja. Vëmendje e veçantë iu kushtua përzgjedhjes së zonave për këtë aktivitet nëpërmjet konsultimit me palët e interesit dhe komunitetin, duke shmangur gjenerimin e konflikteve për përdorimin e tokës, duke siguruar ndikim pozitiv të pyllëzimit në komunitet përmes përzgjedhjes së specieve të duhura dhe parandalimit të rreziqeve natyrore, duke siguruar gjenerim të të hyrave për komunitetet lokale, si dhe duke kontribuuar në parandalimin e humbjes së biodiversitetit dhe luftimin e ndryshimeve klimatike.
Me rastin e Ditës së Tokës, FAO ka dhuruar 10,000 fidanë për një aksion vullnetar të mbjelljeve në fshatin Kaçandoll të Mitrovicës, të organizuar nga Forumi Lokal i Veprimit për Klimën (LoCAF), në partneritet me UN-Habitat Kosova, FAO, Sustainability Leadership Kosovo (SLK), Komunën e Mitrovicës së Jugut, dhe në bashkëpunim me Zyrën e Presidentes së Kosovës, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Komisionin Parlamentar për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.
Koordinatorja e OKB-së për Zhvillim, Ulrika Richardson, e përshëndeti nismën për mbjelljen e fidanëve nga vullnetarët, duke theksuar se pyjet rregullojnë ekosistemet, mbështesin ekonomitë dhe i bëjnë njerëzit të shëndetshëm dhe të lumtur.
“Sigurisht, kjo është një pikë ujë në oqean, por ne e dimë se oqeani përbëhet nga pika të vogla dhe pylli përbëhet nga fidanë, kështu që nëse nuk fillojmë, nuk do të arrijmë kurrë t’i rimëkëmbim pyjet tona. Nuk është se krenohemi shumë për trashëgiminë që po i lëmë gjeneratës së re, fëmijëve dhe nipërve tanë, dhe mendoj se është koha ta ndryshojmë këtë trashëgimi”, tha Richardson gjatë aksionit për mbjelljen e fidanëve në Kaçandoll.
Zonat e mbjella në Dragash dhe Kaçandoll i vizitoi edhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci. “Nuk kemi planet tjetër, ndaj duhet ta mbrojmë planetin tonë nga çdo dëmtim që mund të shkaktohet, si dhe të kontribuojmë në përmirësimin e situatës. Me veprime të vogla mund t’i trajtojmë ndryshimet klimatike, qoftë përmes politikave që mbrojnë biodiversitetin, apo përmes veprimeve të rregullta të pyllëzimit”, tha ministri Peci.