BE-ja dhe UNOPS: Studentët dhe stafi akademik i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës do t’u gëzohen objekteve të rej
09 qershor 2022
PRISHTINË, 09 qershor 2022 - Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbime të Projekteve (UNOPS) prezantoi sot në Prishtinë projektin e financuar nga BE-ja për ndërtimin e objekteve të reja për Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) të Universitetit të Prishtinës (UP), me vlerë 8.9 milionë euro.
Ndërtimi i objekteve të reja të fakultetit është pjesë e një programi më të gjerë të BE-së për Punësim dhe Arsim dhe është një prej shumë projekteve për infrastrukturën arsimore të financuara nga BE-ja në Kosovë. Prej vitit 2007 deri në vitin 2022, BE-ja ka investuar 85 milionë euro për zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë, pa e përfshirë këtë projekt. Punimet për objektet e reja të FSHMN-së pritet të fillojnë në shtator të këtij viti.
Duke folur në këtë event, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha: “Jam shumë krenar që BE-ja po përmirëson infrastrukturën arsimore të Universitetit të Prishtinës përmes ofrimit të objekteve moderne dhe funksionale për studentët dhe stafin akademik të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore. Këto objekte të reja, moderne dhe miqësore me mjedisin do të kontribuojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë dhe do të promovojnë barazinë gjinore dhe gjithëpërfshirjen në sistemin arsimor”.
Në përputhje me dizajnin e paraqitur, përveç lokaleve moderne për punë hulumtuese, objektet e reja të FSHMN-së do të përfshijnë edhe dhoma për ushqyerjen me gji dhe do të rrethohen nga parqe dhe zona të gjelbra publike nga të cilat përfitojnë studentët dhe komuniteti lokal, ndërsa ndërtesa do të jetë me efiçiencë energjetike dhe e pajisur me panele solare.
“Avancimi i infrastrukturës në Universitetin e Prishtinës është bërë i mundur me mbështetjen e partnerit tonë, BE-së, të cilën e falënderoj për kontributin e tyre jo vetëm në këtë projekt por në zhvillimin e arsimit të lartë në përgjithësi”, tha ministrja znj. Arbërie Nagavci.
Universiteti i Prishtinës është duke e bashkëfinancuar projektin dhe do të furnizojë mobilje dhe pajisje laboratorike.
“Ndërtimi i këtij fakulteti është i një rëndësie të madhe pasi përmirësimi i kushteve të punës dhe cilësisë së studimeve në këtë fakultet do të përmirësojë në mënyrë indirekte cilësinë edhe në fakultetet tjera në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, tha rektori, z. Naser Sahiti.
Komuna e Prishtinës ka ndarë tokë për ndërtimin e objektit të ri të FSHMN-së në afërsi të Fakultetit Teknik.
Gjatë fjalës së tij, kryetari i Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama tha: “Ky projekt do të jetë shembull për standardin që synojmë ta zbatojmë tani e tutje në kryeqytet, si në aspektin e standardeve të ndërtimit dhe projektimit, ashtu edhe në aspektin funksional që merr parasysh aspektin gjinor dhe mjedisor”.
Ky projekt është financuar përmes zarfit IPA 2014-2020: “EU4 Punësimi dhe Arsimi” dhe udhëhiqet dhe zbatohet nga UNOPS, i cili mban llogaridhënien dhe mbikëqyrjen përfundimtare mbi të gjitha aspektet e menaxhimit të projektit dhe rezultateve të tij. I gjithë procesi, që nga planifikimi, dizajnimi dhe menaxhimi i projektit, udhëhiqet dhe zbatohet nga UNOPS-i.
Gjatë prezantimit të dizajnit, udhëheqësi i Zyrës së UNOPS-it, z. Brendan Keirnan tha: “UNOPS-i është i përkushtuar të ofrojë zgjidhjen e dizajnit dhe punën më të mirë infrastrukturore për këtë fakultet në mënyrë që t’u sjellë studentëve dhe stafit një objekt modern që përmbush nevojat dhe pritjet e tyre, është i qëndrueshëm, efiçient dhe funksional duke respektuar standardet më të larta të Infrastrukturës së Cilësisë.”
Rreth UNOPS-it
Misioni i UNOPS-it është t’u ndihmojë njerëzve të ndërtojnë jetë më të mirë dhe vendet të arrijnë paqen dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Ne ndihmojmë Kombet e Bashkuara, qeveritë dhe partnerët e tjerë për të menaxhuar projektet dhe për të realizuar infrastrukturë të qëndrueshme dhe prokurime në mënyrë efikase.
Lexo më shumë: www.unops.org | https://www.facebook.com/UNOPSKosovo