Njoftimi për media

Deklaratë: Mesazhi i Komisionerit të Lartë Filippo Grandi me rastin e Ditës Botërore të Refugjatëve 2025

20 qershor 2025

Sot është Dita Botërore e Refugjatëve – një ditë për të nderuar guximin dhe qëndrueshmërinë e miliona njerëzve në mbarë botën që janë detyruar të largohen nga lufta, dhuna dhe përndjekja. Por është gjithashtu një moment për të ngritur zërin në emër të tyre.

Numri rekord i burrave, grave dhe fëmijëve – mbi 122 milionë njerëz në mbarë botën – janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre, por aftësia e tyre për të gjetur siguri dhe mbështetje është më e kërcënuar se kurrë më parë.

Dështimi i plotë për t’i dhënë fund konflikteve – nga Sudani në Ukrainë, nga Republika Demokratike e Kongos në Gaza – vazhdon të shkaktojë vuajtje të pafundme njerëzore. Megjithatë, njerëzit e pafajshëm që vrapojnë për të shpëtuar jetën nën breshërinë e plumbave dhe shiun e raketave stigmatizohen padrejtësisht, gjë që ua vështirëson arratisjen nga rreziku dhe gjetjen e një vendi ku të gjejnë siguri, shërim dhe mundësi për të rindërtuar jetën.

Për ta rënduar edhe më tej gjendjen e tyre të rëndë, shkurtimet brutale në ndihmën humanitare po ndërpresin qasjen në mbështetje jetike, duke rrezikuar jetën e miliona njerëzve që kanë nevojë urgjente për ndihmë.

Në këtë moment kritik, është thelbësore të riafirmojmë solidaritetin tonë me refugjatët – jo vetëm përmes fjalëve, por përmes veprimeve të menjëhershme dhe konkrete. Fatmirësisht, nuk mungojnë shembuj frymëzues: vendet që ndodhen pranë zonave të konfliktit dhe që vazhdojnë të mirëpresin e të strehojnë refugjatë; komunitetet vendore që hapin dyert e shtëpive, vendet e punës dhe zemrat e tyre për njerëzit e zhvendosur; si edhe aktet e panumërta individuale të mirësisë dhe dhembshurisë që dëshmojnë njerëzinë tonë të përbashkët.

Në shumë raste, kjo mbështetje ofrohet nga njerëz me burime të kufizuara dhe nga vende që përballen me sfida të mëdha ekonomike. Nga shtetet më të pasura te bankat zhvillimore, bizneset dhe të tjerë, ne mund dhe duhet t’i mbështesim këto vende dhe komunitete duke ndarë përgjegjësinë për mbrojtjen e refugjatëve. Këto akte solidariteti do të mundësonin vazhdimin e kësaj bujarie.

Edhe në këto kohë të trazuara, ka momente të shpresës së thellë. Këtë Ditë Botërore të Refugjatëve, ndodhem në Siri, ku pas 14 vitesh krize dhe dëshpërimi, dy milionë njerëz kanë vendosur tashmë të kthehen në shtëpitë dhe komunitetet e tyre pas rënies së regjimit të Assadit në dhjetorin e kaluar. Në një rajon që ka përjetuar aq shumë dhunë – dhe që ende vuan – na paraqitet megjithatë mundësia për të ndihmuar popullin sirian të arrijë stabilitet dhe mirëqenie. Kjo mundësi nuk duhet humbur.

Sot, takova familje siriane që janë kthyer pas më shumë se një dekade si refugjatë. Gëzimi i thellë që ndjejnë teksa janë sërish mes fytyrave dhe vendeve të njohura – pavarësisht sfidave të shumta – është një kujtesë prekëse e mallëngjimit të thellë që refugjatët ndiejnë për shtëpitë dhe vendlindjen e tyre.

Këto momente bëhen të mundura vetëm përmes solidaritetit: solidariteti i treguar nga vendet fqinje të Sirisë që ofruan strehë derisa njerëzit të ndiheshin të sigurt për t’u kthyer; solidariteti i treguar nga komunitetet siriane që mirëpresin bashkëqytetarët e tyre pas një mungese të gjatë dhe të dhimbshme; dhe solidariteti i treguar nga kolegët e mi të UNHCR-së dhe partnerët e tyre lokalë e ndërkombëtarë, të cilët janë këtu për të mbështetur familjet që kthehen dhe do të qëndrojnë pranë tyre ndërsa rindërtojnë shtëpitë dhe jetën e tyre.

Më shumë se kurrë, sot kemi nevojë të qëndrojmë përkrah refugjatëve për të mbajtur gjallë shpresat e tyre për një të ardhme më të mirë. Këtë Ditë Botërore të Refugjatëve – dhe çdo ditë – qeveritë, institucionet, kompanitë dhe individët mund ta dëshmojnë këtë përkushtim duke ndihmuar ata që janë zënë në vorbullën e konflikteve të pakuptimta. Duke vepruar kështu, ne i afrohemi më shumë stabilitetit, njerëzisë dhe drejtësisë për të gjithë. Dhe nëse e bëjmë këtë, unë ju premtoj se refugjatët do të sjellin gjithë guximin, shpirtin dhe zgjuarsinë e tyre për të ndërtuar një të nesërme më të mirë dhe më të ndritur.

 

UN Kosovo Team Comms

Media & Communications Team

Subjektet e OKB-së të përfshira në këtë nismë

UNHCR
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët

Objektivat që mbështesim përmes kësaj nisme