Një nga Pikat e Nxehta në Botë: Si i Lufton një Ambasadore e re për Klimën Ndryshimet Klimatike në Ballkanin Perëndimor
In this guest blog series that forms part of our Kosovo Climate Action campaign in October 2021, we invite experts and young people to share their views.
Fjollë Caka, 31 vjeç, Ambasadore për Klimën për vitin 2021 e Rrjetit
Global Rinor për Klimën të Grupit të Bankës Botërore dhe urbaniste
në UN-Habitat, synon të rrisë vetëdijesimin për ndryshimet klimatike
në Kosovë. Në këtë postim si mysafire në blog ajo tregon pse
ndryshimet klimatike kanë rëndësi për Kosovën dhe çka po bën ajo
për të kundërvepruar ndaj tyre. Fjolla është diplomuar si Master në
Arkitekturë nga Universiteti i Prishtinës, Master në Planifikimin Urban
të Qëndrueshëm nga Universiteti George Washington në Uashington,
DC, dhe është një kandidate e Doktoraturës në Universitetin e
Evropës Juglindore në Maqedoninë e Veriut.
Një ditë të ftohtë nëntori, teksa po ligjëroja për seriozitetin e ngrohjes globale në një orë mësimore për Planifikimin Urban në një universitet privat në Kosovë, një nga studentët e mi me shaka tha: “Çfarë
ngrohjeje globale? Ne po ngrijmë këtu!” Studentët e tjerë qeshën, ashtu si edhe unë, por iu përgjigja shpejt, duke shpjeguar se ndryshimet klimatike nuk shoqërohet vetëm me ditë më të ngrohta.
Ndryshimet klimatike nënkuptojnë ndryshim afatgjatë në klimën e zakonshme - në varësi të kontekstit, kjo mund të sjellë të dy ekstremet, si mot më të nxehtë ashtu edhe më të ftohtë. Ai student nuk ishte
i pari që më sfidonte rreth ndryshimeve klimatike. Jo të gjithë njerëzit besojnë atë që nuk mund ta shohin drejtpërdrejt ose në gjërat nga të cilat nuk ndikohen drejtpërdrejt.
Dy vjet para asaj dite, unë sapo kisha kryer kursin tim të parë gjithëpërfshirës mbi shkencën e ndryshimeve klimatike kur ndiqja studimet master në SHBA. Brenda dy javëve të para, rreth një e treta
e shokëve të mi të klasës nuk erdhën më në mësim, dhe me sa duket, e kisha gabim në pothuajse gjithçka që thosha. Tema ishte e vështirë, profesori më i rëndë, por vendosa të mos e braktis kursin.
Në fund të fundit, si mund të shpresoja që të angazhohem në menaxhimin dhe politikat për ndryshimet klimatike pa e kuptuar mirë se çka janë në të vërtetë ndryshimet klimatike, pse po ndodhin
dhe si duken? A do të përballemi me një botë në flakë apo një epokë të ardhshme akulli? Me pak fjalë, profesori i rëndë, Dr. Rachael Jonassen, u bë mentori im gjatë gjithë jetës, i cili vazhdon të më
udhëheqë, si nga ana akademike ashtu edhe profesionalisht.
Dr. Jonassen më mësoi edhe se si ta dalloj të vërtetën nga trillimi, si t’i ndaj dëshmitë shkencore nga kërcënimet e pabaza ose mohimi i plotë. Kur rreshtohesh me 97% të komunitetit shkencor, e ke të
qartë se ndryshimet klimatike po ndodhin, dhe se ato janë shkaktuar kryesisht nga aktivitetet njerëzore. Sidoqoftë, sipas një raporti të kohëve të fundit të Kombeve të Bashkuara, ndryshimet
klimatike jo vetëm që po ndodhin - po ndodh me një ritëm më të shpejtë seç është menduar më parë.Nëse vazhdojmë si zakonisht, do të përballemi me ndikime gjithnjë e më të rënda kudo!
Një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike: Ballkani Perëndimor
Klima e sotme globale është e ndryshme nga ajo e qindra e mijëra viteve më parë. Ne përjetojmë mot më të ngrohtë dhe ngjarje më ekstreme. Ka pasur ndryshime të pakthyeshme në oqeane, shtresat e
akullit dhe nivelet globale të deteve! Ballkani Perëndimor konsiderohet si një nga pikat e nxehta të ndryshimeve klimatike në botë, dhe ka përjetuar rritje të ngjarjeve të lidhura me motin ekstrem dhe
klimën. Thatësira ekstreme, përmbytje dhe zjarre të egra kanë shkaktuar kosto të larta ekonomike dhe tregojnë se njerëzit dhe institucionet nuk janë të përgatitur sa duhet. Kosova për shembull ka
përjetuar rritje të temperaturave dhe valë të nxehtësisë që nga vitet 1960, shira të dendur të ndjekur nga përmbytje që nga viti 1980, dhe zjarre në pyje që nga viti 2000. Thatësira ka pasur në vitet 1993,
2000, 2007, 2009 dhe 2012.
Dikush mund të kujtojë vërshimet e janarit 2021 të shkaktuara nga reshjet e dendura dhe rritja e shkrirjes së borës për shkak të rritjes së papritur të temperaturës. Shumë rrugë buzë lumenjve u
vërshuan, urat u shkatërruan, furnizimi me ujë u ndërpre (në Prishtinë, Drenas, Obiliq). U desh të evakuoheshin njerëzit në Fushë Kosovë, Gjilan, Malishevë dhe gjetkë. Zjarret e korrikut-gushtit 2021
kishin rreth 473 vatra aktive në rajonet e Pejës, Prizrenit, Gjilanit dhe Mitrovicës! Zjarre të tillë i shterojnë më tej pyjet tona - burimi më i rëndësishëm i Kosovës për uljen e dioksidit të karbonit dhe
për luftimin e ndryshimeve klimatike. Ato zvogëlojnë biodiversitetin dhe ndikojnë në mjetet e jetesës. Ose le të kujtojmë thatësirën e korrikut 2017, e cila reduktoi prodhimin bujqësor,
veçanërisht drithërat (me 20-30%) dhe misrin (me 60%). Dëmet e vlerësuara prej 13 milionë eurosh as që mund të mbuloheshin nga fondi i ndarë prej 500,000 eurosh për kompensimin e dëmeve
bujqësore, duke i shkatërruar shumë fermerë. Ose shterimi i burimeve tona ujore, veçanërisht gjatë verës, çka na kujton neve fatlumëve që kemi rezerva shtesë të ujit pse ende i mbajmë rezervat e ujit
në shtëpi. Ose numri i reduktuar i ditëve me dëborë, ndonjëherë madje na bën të harrojmë se siishte të bjerë borë në prag të Vitit të Ri.
Disa prej nesh në Kosovë mund të mos shohin asgjë të keqe me këto kushte të ndryshuara klimatike. Disa madje mund të thonë se moti më i ngrohtë i sjell dobi biznesit - për shembull i riu që krijoi
pemishten më të madhe të boronicës në Kosovë. Por ndryshimet në klimën e vendeve të tjera mund të shkaktojnë probleme për ne këtu në Kosovë, të tilla si kur pranvera e ngrohtë në vitin 2018 çoi në
një sezon të vjeljes më të hershme të boronicave në të gjithë Evropën - territori kryesor ku eksportohen boronicat e Kosovës - duke bërë që fermeri ynë i ri i boronicës të përballet me rënien e
çmimeve, uljen e përfitimit dhe kërcënime ndaj operacioneve dhe mjeteve të jetesës. Sipas raportit të fundit të vlerësimit të IPCC mbi bazën e shkencës fizike të ndryshimeve klimatike,
rajoni i Ballkanit Perëndimor pritet të përballet me rritje të temperaturave dhe ndryshimeve në modelet e reshjeve, duke çuar në periudha të zgjatura të thatësirës, rritje të erozionit të tokave, zjarre
pyjorë dhe riskun e vërshimeve. Temperaturat në zonat malore pritet të rriten më shumë se mesatarja botërore, duke zvogëluar ditët e mbulimit me dëborë dhe duke rritur vërshimet pranverore. Ekziston
një risk në rritje i mungesës së ujit dhe konkurrencës mes përdoruesve të ndryshëm të ujit (bujqësi, industri, turizëm, amvisëri), veçanërisht gjatë verës. Kërkesa për energji do të rritet, për shembull për
klimatizim, duke u pasuar nga emetimet e lidhura (të cilat në vitin 2019 tashmë përbënin rreth 86% të emetimeve totale të gazrave serrë në Kosovë) dhe ndotësit atmosferikë (tashmë të lartë në të gjithë
rajonin). Ndikimet e lidhura klimatike do të ndikojnë rëndë në ekosistemet tokësore dhe shpërndarjen e specieve, ciklin e karbonit tokësor, sistemet e prodhimit të ushqimit, bujqësinë, infrastrukturën dhe
shëndetin dhe mirëqenien e përgjithshme - duke shkaktuar humbje të konsiderueshme në habitate, njerëzore dhe ekonomike.
Ka ende kohë për të shpëtuar nga orteku...
Por teksa ky “ortek” po na afrohet, ka ende kohë për të vepruar dhe ulur ndikimet e tij. Mënyra si e kemi prodhuar ushqimin (bujqësi intensive me bazë kimike) dhe e konsumojmë atë (dieta me
përdorim të lartë mishi, ushqime ekzotike që udhëtojnë distanca të gjata për të ardhur në pjatat tona, mbeturina ushqimore), prodhojmë energji, i operojmë fabrikat dhe udhëtojmë (me lëndë djegëse
fosile), i ndërtojmë shtëpitë dhe qytetet tona (humbja e hapësirave të hapura dhe të gjelbra, qytetet e përhapura, duke mos menduar për ciklin e tyre të jetës), si lahemi ne vetë, si i lajmë enët, rrobat ose oborret (humbja e ujit ose ndotja e lumenjve) ose si i zgjedhim rrobat tona (nga industritë ndotëse), e ka ndryshuar qartë klimën, duke e bërë atë riskun më të madh për të gjithë ne. Pra, nëse kemi arritur
ta ndryshojmë klimën globale deri në këtë pikë, me siguri duhet të jemi të aftë të eksplorojmë mënyra alternative për ta mbështetur Kosovën - dhe Tokën - dhe për ta kufizuar shkatërrimin e mëtejshëm.
Përparimet botërore në trajtimin e ndryshimeve klimatike po çojnë në ajër më të pastër dhe rimëkëmbjen e natyrës dhe në të njëjtën kohë kanë mbështetur rritjen ekonomike dhe vendet e reja
të punës. Edhe ne duhet ta përdorim momentumin e rimëkëmbjes nga pandemia COVID-19 dhe të rrisim reziliencën ndaj goditjeve dhe streseve të mëtejshme në një mënyrë që e mbron mjedisin tonë
për brezat e ardhshëm, duke rindërtuar më mirë dhe më gjelbër. Edhe pse veprimi i shtuar global për klimën ka shkuar në drejtim të dekarbonizimit, as që i jemi afruar kufizimit të ngrohjes globale në 1.5oC
deri në vitin 2030. Aktualisht kemi temperatura sipërfaqësore prej 1.1OC më të ngrohta sesa në kohët para-industriale, dhe nëse vazhdojmë me të njëjtin trend emetimi, mund të arrijmë në 4.4OC deri në
vitin 2100 - duke rezultuar në ndikime katastrofike! Prandaj, nevojiten reduktime të shpejta të emetimeve të gazrave serrë për të kufizuar efektin e ngrohjes, si dhe ndotjen e ajrit.
Në Konferencën këtij viti (e 26-ta) e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike(COP26), vendet e angazhuara sipas Marrëveshjes së Parisit do të mblidhen së bashku për t’i përshpejtuar planet e tyre
për reduktimin e emetimeve, për të inkurajuar rimëkëmbjen e ekosistemeve dhe ndërtimin e reziliencës, për të bashkëpunuar me të tjerët dhe për të mobilizuar financime - veçanërisht duke
mbështetur vendet në zhvillim. Bashkimi Evropian është zotuar t’i zvogëlojë emetimet e gazrave serrë për 60% deri në vitin 2030, dhe kjo nuk mund të arrihet pa rritjen e veprimeve klimatike në Ballkanin
Perëndimor, përfshirë edhe Kosovën.
Trajtimi i ndryshimeve klimatike nuk bëhet në vetmi
Njerëzit mund të priren ta shmangin ankthin e tyre duke i injoruar ndryshimet klimatike, ose mund të jenë të ngadalshëm në përshtatjen me ndryshimin, por ne duhet të zgjohemi dhe ta brendësojmë
faktin se klima po ndryshon, dhe ndikimet e saj do të ndikojnë drejtpërdrejt tek ne - dhe më e rëndësishmja tek fëmijët tanë dhe nipërit e mbesat!
Teksa secili prej nesh fillon ta ndryshojë sjelljen tonë ose përpiqet të ndikojë në ato të familjeve dhe komuniteteve tona, ne duhet të inkurajojmë rritjen e veprimit klimatik edhe në vendet tona të punës!
Në nivelin personal, kjo mund të nënkuptojë ndryshime të vogla, si larje më të shkurtra në dush ose fikja e dritave kur dilet nga një dhomë. Mund të nënkuptojë zgjedhjen e produkteve vendore në
market ose shmangien e produkteve me paketim të tepërt. Mund të nënkuptojë rritjen e më shumë bimëve, ose ecjen, biçikletën ose përdorimin e transportit publik. Ndikimi në vendet tona të punës
mund të bëhet nëse punoni për një institucion qeveritar, organizatë të shoqërisë civile, institucion akademik ose kompani private!
Personalisht, duke punuar si urbaniste për UN-Habitat Kosova, jam përpjekur të avancoj më shumë qasje të planifikimit hapësinor me karbon të ulët dhe më reziliente drejt një zhvillimi më të
qëndrueshëm dhe më të kujdesshëm ndaj klimës në Kosovë - mes tyre mbështetja e zhvillimit dhe zbatimit të një Plan për Lëvizshmëri të Qëndrueshme Urbane në Mitrovicën e Jugut, hartimi i
udhëzimeve për lëvizshmërinë urbane për qytetet e Kosovës, mbështetja e fushatës së Ditëve të Tokës në Kosovë, dhe mbështetja e fushatës për Veprim për Klimën në Kosovë. E kam prezantuar hulumtimin
tim të doktoraturës për vlerësimin e kapaciteteve njerëzore dhe institucionale në menaxhimin e ndryshimeve klimatike në drejtoritë e planifikimit dhe urbanizmit në komunat e Kosovës, dhe kam
mbështetur aktivitete të tjera drejt mobilizimit institucional dhe të shoqërisë civile drejt zhvillimit me karbon të ulët dhe ndërtimit të reziliencës ndaj klimës.
Por trajtimi i ndryshimeve klimatike nuk bëhet në vetmi. Vetëm me veprimet e mia dhe tua nuk mund ta ndalim. Kërkohet veprim i shtuar nga të gjithë, i mbështetur nga udhëheqja e fortë dhe vizionare,
planifikimi i bazuar në fakte dhe i mirë-informuar, proceset përfshirëse, si dhe inovacionet teknologjike (për fat, ne kemi kaq shumë mendje të ndritura). Me siguri, mund t’i zvogëlojmë ndikimet
e ndryshimeve klimatike në komunitetet tona dhe ta kufizojmë ngrohjen e mëtejshme! Pra, bashkohuni me ne dhe përvishni mëngët për shpëtimin e Tokës!
Në këtë seri blogesh që përbën një pjesë të fushatës sonë të Veprimit për Klimën në Kosovë në tetor 2021, kemi ftuar ekspertë dhe të rinj nga Kosova të ndajnë pikëpamjet e tyre.
---------------------------------------------------------------------------------------
Çka po bëni për t’i luftuar ndryshimet klimatike? Bëni tweet në lidhje me këtë me hashtag #KosovoClimateAction. Ose kërkoni nga punëdhënësi juaj që të bashkohet me Zotimet Vullnetare
ANG: https://www.surveymonkey.com/r/GMKTKJ6