Mbjellim për të Ardhmen: të Rinjtë Ngrenë Zërin për Mbrojtjen e të Ardhmes së Mjedisit Tonë
Mbjellja e drunjve, trajnimi për ndryshimet klimatike dhe ekspozita artistike, janë të gjitha pjesë të Fushatës për Veprimin për Klimën në Kosovë
Nga Parisi në Nju Jork, fëmijët dhe të rinjtë po i lënë klasat dhe po marshojnë nëpër qytetet e tyre për rritjen e veprimeve kundër ndryshimeve klimatike. Si kudo tjetër në botë, edhe në Kosovë ndryshimet klimatike kanë rritur pasigurinë për të ardhmen tonë dhe kanë nënvizuar nevojën për veprime urgjente për shmangien e ndikimeve të pakthyeshme. Teksa ritmi dhe shtrirja e ndikimeve klimatike intensifikohen me kalimin e kohës, një gjë është bërë e sigurt: të rinjtë përfaqësojnë një aset të fuqishëm për përforcimin e angazhimit aktual për veprimin për klimën, dhe Kosova nuk bën përjashtim.
Eltiona, 11 vjeçare, është një nga nxënëset e shkollës ‘Mihal Grameno’ që mori pjesë në eventin e Ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë të organizuar më 21 tetor, për të rritur vetëdijesimin për rëndësinë e edukimit për klimën të gjeneratave të ardhshme dhe promovimin e ajrit të pastër dhe mbrojtjen e mjedisit. “Gjenerata e vjetër nuk e trajtoi ndryshimin e klimës si çështje drejtësie”, thotë ajo, duke shtuar “Ne jemi ata që mund ta shpëtojmë të ardhmen tonë”.
Eventi, i mbështetur nga Ambasada Italiane në Prishtinë, përfshiu një ekspozitë artistike interaktive me temën e fuqizimit të të rinjve për veprim për klimën, ku u paraqitën punimet artistike të nxënësve të shkollës ‘Mihal Grameno’. “Nxënësit tanë nuk janë vetëm viktima të ndryshimeve klimatike. Ata janë agjentë të ndryshimit, inovatorë, mendje kreative” tha Miradija, mësimdhënëse e artit në shkollën ‘Mihal Grameno’, e cila koordinoi përgatitjet e ekspozitës artistike.
Fuqizimi i të rinjve për të ndërmarrë veprime kundër ndryshimeve klimatike është hapi i parë, por i fuqishëm, për t’u ofruar atyre informacionin që u nevojitet për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Ekspozitës së artit i parapriu një punëtori për klimën e mbajtur nga UN-HABITAT, për të eksploruar kanalet dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike në Kosovë, duke përfshirë mbrojtjen e mjedisit, ndotjen dhe planifikimin urban. Duke u mbështetur në përvojën e UN-HABITAT-it në ofrimin e trajnimeve për çështjet e energjisë së gjelbër, veprimit për klimën dhe mbrojtjes së mjedisit, përfshirë punën me gjeneratat e reja, punëtoria u lejoi nxënësve të ndërveprojnë dhe t’i testojnë njohuritë e tyre mbi shkaqet kyçe, ndikimet dhe mjetet korrigjuese kundër ndryshimeve klimatike.
“Në klasën time ne jemi të vetëdijshëm se kriza klimatike krijon sfida dhe rreziqe të mëdha për gjeneratën tonë”, tha Alea, 11 vjeçare, e cila mori pjesë në punëtorinë për klimën dhe ekspozitën e artit. Piktura e Aleas e tregon fuqishëm lidhjen njeri-mjedis, duke e parë ndryshimin e klimës si një çështje të drejtësisë globale. “Nëpërmjet pikturës sime doja të tregoja se zgjidhja e krizës klimatike nuk ka të bëjë vetëm me shpëtimin e pyjeve tropikale apo shpëtimin e balenave; ka të bëjë me shpëtimin e njerëzve më të cenueshëm në planet”.
Qoftë përmes edukimit, inovacionit apo teknologjisë, të rinjtë luajnë rol vendimtar për të rritur përpjekjet e vazhdueshme dhe për t’i përdorur shkathtësitë e tyre për ta përshpejtuar veprimin për klimën në Kosovë. Nxënësit që morën pjesë në ekspozitën e artit u shpërblyen nga Ambasada Italiane me kuponë për dhurata në një librari lokale, në mënyrë që të sigurohen investime të vazhdueshme për edukimin e nxënësve për veprimin për klimën.
Aktiviteti përfshiu edhe dhurimin e 20 fidanëve nga Ambasada Italiane për të mbrojtur dhe sanuar mjedisin lokal dhe për ta ndihmuar natyrën të rimëkëmbet. “Edhe një ushtrim i thjeshtë i mbjelljes së drunjve mund të bëjë shumëçka për të rritur veprimet për klimën, mjetet e jetesës dhe qëndrueshmërinë” tha drejtori i shkollës z. Ismet Gashi. “Eventi u tregoi nxënësve tanë se ne mund ta ndihmojmë mjedisin e Kosovës edhe përmes masave të thjeshta të ndërmarra në mënyrë individuale dhe në nivel bazë”. Përveç UN-HABITAT-it, organizimin e eventit e mbështetën edhe Agjencitë e tjera të OKB-së, përfshirë UNICEF-in dhe UNDP-në. Në këtë iniciativë mori pjesë edhe znj. Fadile Dyla, ushtruese e detyrës së Sekretares së Përgjithshme të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). “Ne e kemi për detyrë të investojmë në gjeneratat e ardhshme dhe të krijojmë hapësirën për t’i angazhuar ata në gjetjen e zgjidhjeve, si dhe t’i dëgjojmë zërat e tyre”, tha ajo.
Eventi është pjesë e fushatës për Veprimin për Klimën në Kosovë, e cila organizohet nga Ekipi i OKB-së në Kosovë në partneritet me Ambasadën Italiane dhe Britanike Ambasadën, dhe do të zgjasë gjatë gjithë muajit tetor. Objektivi i fushatës është të inkurajojë masa konkrete dhe angazhim aktiv nga të gjithë akterët e shoqërisë për të përshpejtuar tranzicionin drejt një ekonomie me emetime neto zero, duke përfshirë amplifikimin e mesazheve të përbashkëta, storjeve dhe zërave të njerëzve në terren për veprimin ndaj klimës.
Për të mësuar më shumë rreth fushatës, përdorni #Kosovoclimateaction në rrjete sociale!